Energjetika/ OSHEE sërish në privatizim, një pjesë ofrohet me aksione në bursë

Qeveria shqiptare do t’i rikthehet privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike, pas eksperimentit të dështuar në kohën e qeverisë Berisha, që përfundoi me heqjen e licensës çekëve të CEZ Group. Ky do të jetë një nga hapat për të vendosur rregull në një sektor jetik të ekonomisë, por të zhytur në kaos që pas vitit 1990, me furnizim të dobët, vjedhje masive, humbje në rrjet, mosarkëtime, borxhe të ndërsjellta ndërmjet kompanive dhe ndërhyrje të vazhdueshme financiare të shtetit, me një peshë të rëndë në buxhet.

Ndarja  
Së pari, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) duhet të përfundojë një proces ndarjeje, tashmë të përfunduar nga pikëpamja ligjore, por të shtyrë në kohë deri në marrjen e tri licensave të reja. Kjo, pasi duhet pritur shtatori 2019 për të përfunduar edhe procesin voluminoz të ndarjes së aseteve dhe likuidimit të faturave të ndërsjellta, ku ka mjaft përplasje. Kompanitë e krijuara janë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që do të ketë objekt të punës shpërndarjen e energjisë, duke përfshirë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit; Furnizuesi i Tregut të Lirë, që do të merret me blerjen dhe menaxhimin e energjisë në tregun e lire dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal, që do të ketë në fokus furnizimin me energji të klientëve fundorë që veprojnë në tregun e rregulluar.

Ndarja ligjore e tanishme shënon një hap të rëndësishëm, por në mënyrë të qartë nuk është përmbushur plotësisht sipas direktivave të Komunitetit të Energjisë, vëren qeveria në Planin Strategjik. Deri në përfundimin e periudhës tranzitore prej 12 muajsh, veprimtaritë e operimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, furnizimit të energjisë elektrike dhe detyrimit të shërbimit universal të furnizimit me energji elektrike do të vazhdojnë të kryhen nga OSHEE, në përputhje me vendimin më të fundit të Entit Rregullator të Energjisë.

Privatizimi
Hapi tjetër i rëndësishëm do të jetë privatizimi i dytë i OSHEE-së. Por kjo do të ketë të bëjë me vetëm një nga kompanitë e reja: Furnizuesi i Tregut të Lirë duhet të privatizohet brenda shtatorit të vitit që vjen. Formula e përcaktuar tashmë është që paketën kontrolluese të aksioneve të saj ta blejë një investitor strategjik, ndërkohë që pjesa tjetër e aksioneve do t’i ofrohet publikut nëpërmjet shitjes në bursë. Kalimi i pronësisë në një investitor të madh parashikohet të kryejë më me lehtësi transformimin në një kompani biznesi private dhe konkurruese. Kuotimi në Bursë i një pjese aksionesh është paralajmëruar edhe më herët nga kryeministri Edi Rama.

Ngërçi i borxheve
Duke qenë se, gjatë procesit të ndarjes së OSHEE-së, ka dalë në skenë problemi i borxheve shumë të mëdha që KESH, OST dhe OSHEE i kanë njera-tjetrës, është vendosur që grupi ndërministror i punës, i krijuar tashmë për këtë qëllim, të finalizojë një marrëveshje që rregullon trajtimin e ardhshëm të të gjitha borxheve të pagueshme, ndërmjet kompanive shtetërore që lidhen me sektorin e energjisë elektrike, përfshirë subjektet publike me detyrime për energjinë elektrike. Përveç marrëveshjes, do të hartohet dhe miratohet një plan veprimi i cili do të sigurojë angazhimin për pagesën e faturave të energjisë elektrike nga të gjitha subjektet publike, duke përfshirë ato buxhetore dhe jobuxhetore.

Tarifat
Në strategji përfshihet edhe një tjetër hap, që ka të bëjë me liberalizimin e çmimit të energjisë. Aty përmendet, ndër të tjera, “zbatimi i vendimeve lidhur me hapat që duhen ndërmarrë për hapjen e tregut dhe derregullimin e çmimeve”. Duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëmit e reformës në fushën e energjisë elektrike. Por, qeveria kërkon siguri që “hapja e tregut dhe derregullimi i çmimeve të kenë ndikim minimal negativ ekonomik ndaj konsumatorëve në nevojë dhe familjeve që vuajnë nga liberalizimi i çmimit të energjisë elektrike… Ky element i politikave të reformës do të përfshijë zhvillimin dhe zbatimin e një skeme mbështetëse që synon dhe mbron konsumatorët dhe familjet në nevojë, që do të vuanin nga liberalizimi i çmimit të energjisë.

Përderisa dihet se një formë e skemës së propozuar tashmë ekziston, ose është pasqyruar në skemat ekzistuese të mbështetjes sociale, elementi i politikave të reformës është llogaritur si masë plotësuese në hapësirën e lartpërmendur dhe me synimin për të siguruar që çdo skemë mbështetëse, ekzistuese ose e re, është hartuar në mënyrë transparente dhe se çdo masë, e re apo ekzistuese, ka sa më pak efekt në treg të jetë e mundur. Kjo, mes të tjerash, parashikon se asnjë skemë nuk përdoret si skemë e subvencionimit për të gjithë konsumatorët në Shqipëri, por përdoret vetëm për të mbështetur segmentin e konsumatorëve në nevojë”, theksohet në Planin Strategjik. Ndërkohë, pak ditë më parë ERE deklaroi se deri në fund të vitit të ardhshëm nuk do të ketë rritje të tarifave për konsumatorët familjarë dhe klientët e tjerë me pakicë. 

Privatizimi i dështuar i shpërndarjes, si erdhen dhe ikën çekët
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)  është kthyer që nga muaji gusht i këtij viti tërësisht në duart e shtetit shqiptar, pasi i është paguar edhe kësti i fundit kompanisë çeke CEZ Group, duke likuiduar në total shumën prej 95 milionë eurosh, për të cilën ishte rënë dakord mes dy palëve. CEZ Group bleu 76% të aksioneve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në vitin 2008 për 103 milionë euro, por, pasi nuk plotësoi objektivat dhe humbjet e energjisë iu afruan nivelit prej 50%, Enti Rregullator i Energjisë në fillim të vitit 2013 mori vendimin për heqjen e licensës.

Pas shumë negociatash, në qershor të vitit 2014, qeveria e Shqipërisë dhe ajo çeke arritën një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit, lindur në janar 2013. Kjo marrëveshje përfshinte së pari, transferimin e menjëhershëm të aksioneve në favor të shtetit shqiptar, 76% që zotëroheshin nga CEZ, duke i dhënë shtetit shqiptar pronësi të plotë të shoqërisë. Së dyti, pala çeke hiqte dorë nga kërkimi i vlerës prej 103 milionë eurosh, të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes dhe investimeve fillestare. Së treti, shoqëria e re e shpërndarjes e energjisë, pra shoqëria e re që mori aksionet nga pala çeke e kontrolluar nga shteti, merrte përsipër t’i paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë eurosh. Kjo vlerë ra dakord të paguhej me këste deri në vitin 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milionë eurosh mbi principalin e rënë dakord. Ky principal përfaqëson kreditë e marra dhe shumat e faturuara dhe të kërkueshme në çdo kohë nga CEZ s.a.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë