TIRANE - Masat e ndërmarra për rimëkëmbjen e sistemit energjetik në Shqipëri kanë filluar të japin rezultatet e duhura. Këtë bëri të ditur ministri i Energjisë Damian Gjuknuri gjatë një diskutimi me përfaqësues të huaj dhe donatorë të sistemin energjetik në vend. Sipas Gjiknurit, ka marrë fund koha e faljeve për qëllime elektorale.

“Të paktën në këtë periudhë ndaluam spiralen e rënies. Masat e para kanë filluar të japin rezultat dhe çdo reformë e mëtejshme strukturore nismë ligjore do të ketë mundësi të zbatohet siç duhet në mjedisin shqiptar. Ka përfunduar koha e faljeve në prag të zgjedhjeve, të cilat çuan sistemin në këtë pikë. Vetëm disiplina financiare është shpresa më e mirë që çdo reformë do të implementohet me sukses në Shqipëri”, u shpreh ministri. Fjala e Ministrit Gjiknuri në tryezën: “Reforma në Sistemin Energjetik në Shqipëri”

Drejtori i sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Janez Kopac përshëndeti reformat e ndërmarra që rritën arkëtimet, por sipas tij nevojiten më tepër investime. 

Ne do të vijojmë të ndihmojmë Shqipërinë, jo vetëm se është detyra jonë, por për shkak të reformave të rëndësishme që ka marrë. Janë bërë shumë hapa të rëndësishëm, sidomos kohët e fundit, në axhornimin e tarifave dhe mbledhjen e të ardhurave. Paketa e III për energjinë përmban ligje që rregullojnë funksionimin e sistemit të shpërndarjes së operatorëve të energjisë elektrike”, tha Kopac.

Në të njëjtën linjë foli edhe përfaqësuesi i Bankës Botërore Arturo Salvador Riviera, i cili kërkoi më tepër investime për përmirësimin e rrjetit energjetik, i cili është konsumuar tashmë. 

Ndërsa ministri Gjiknuri sheh pengesë detyrimet e mëparshme, një pjesë e të cilave deri më tani janë shlyer edhe nga rritja e nivelit të arkëtimeve.
 
Në vitin që lamë pas, në Shqipëri u shënuan rreth 45 milion dollarë më pak humbje, në krahasim me vitin e mëparshëm. Kjo ka çuar në përmirësimin e situatës financiare në sektorin energjetik. Reforma e re sipas ministrit parashikon që deri në 2018, sektori të jetë në gjendje të mbajë vetveten duke ulur humbjet dhe rritur arkëtimet për të nisur më pas liberalizimin e tregut.