Është shumë korrekt (nuk e di nëse e ka për natyrë apo për faktin që është gazetar). Në orën 14:00 duhet të takoheshim për intervistë dhe gazetari i njohur, Enkel Demi vjen 10 minuta përpara. I veshur “casual” Demi tregon edhe në këtë detaj, natyrën e tij sportive. Në një intervistë për THASH&THEM, gazetari tregon arsyen e largimit nga Televizioni Klan, talk shoun e ri në TVSH, si dhe eksperiencën e re si DJ në një nga klubet e kryeqytetit. Ai nuk heziton të na flas edhe për jetën e tij private, marrëdhëniet me fëmijet e tij dhe dobësinë që ka për Hanën, por në të njëjtën kohë edhe për Kelin si bashkëshort i deputetes Mesila Doda.

Enkel, keni qenë pjesë e mëngjesve tona në “ABC News”, në mbrëmje në emisionet e TV Klan, pse zgjodhët të largoheshit prej tij dhe si lindi talk shou “Shih” në TVSH?

Në Klan kam që në 31 dhjetor që nuk kam dal më, kjo për disa ndryshime në programacion që pak njerëz i dinë. Erdhi “Ezeli” dhe pjesa tjetër ishte një marrëdhënie jo e mirë më “Endemolin”, që nuk i interesojnë publikut. Ndërsa përsa i përket programit tim të ri në TVSH është një projekti i im i vjetër, që mund të prezantohej në një televizion jo komercial, sepse nuk është një projekt që ka ankthin e audiencës dhe kjo ishte arsyeja që unë u vet afrova në TVSH, jo se TVSH më peshkoi mua. Titulli është “Shih programin” dhe më pëlqen fakti që gazetarët e kanë shkurtuar dhe e kanë bërë “Shih” (qesh).

Ndoshta ka qenë një “thirrje” për të parë gjëra të reja...

Ndoshta. Kur kam prezantuar projektin kam patur një debat me drejtuesit, që përfundonte gjithnjë me fjalët “Shih programin pastaj fol” dhe ia vura titullin “ Shih” si projekt, por që më pas mbeti i tillë.

Si ndiheni në studiot e TVSH-së?

Në TVSH ndihem mirë, kemi ngritur një studio televizive në ambientet e “Radio Tiranës”. Unë kam një lidhje personale, sepse dikur kam qenë në” Radio Tirana”, (diku rreth viteve, ’93-’95) dhe në një farë mënyre jam kthyer në studiot e mia të vjetra. Jam shumë mirë, përsa kohë kam thyer disa paragjykime që i kisha edhe unë.

Cilat janë këto paragjykime?

Që në TVSH nuk të lenë të ftosh ata që do, që ka censurë, ndërkohë që jam duke përgatitur programin e gjashtë dhe nuk kam asnjë lloj problemi të kësaj natyre. Kam zgjedhur një fushë të talk shout që është paksa më e veçantë, por edhe për vet faktin që për etikë nuk mund të formojë opinion politikë. Unë jam i lidhur politikisht në një farë mënyrë dhe do të ishte jo etike të formoja një opinion të tillë.

Është një talk shou, që ju e drejtoni në një TVSH ku për hir të së vërtetës nuk ka patur emisione të tilla më parë. Me aq sa jeni i informuar si është pritur deri tani nga publiku?

Ju e thatë me shumë të drejtë që ky emision po shfaqet në TVSH, që do të thotë vetëm në zonat e pambuluara nga televizionet e tjera unë filloj me mbi 15% bonus audiencë, pasi janë zona ku shohin vetëm TVSH-në. Përsa i përket zonës urbane, ai ka konkurrencën si gjithë televizionet e tjera, por nga matjet e fundit që janë bërë (jo me sondazhe por me aparatura), flasim për një audeincë 18% që më përket mua dhe jam i surprizuar nga kjo. Megjithatë unë mendoj se nëse një njeri punon çdo ditë atëherë do të ketë sukses, por nëse këtë punë e bën me hile atëherë është problemi i personit jo i televizionit.

Ju keni drejtuar një sërë spektaklesh, lajme, punoni në radio. Në gjithë këtë mori zhanresh gazetarie ku ndiheni më komod?

Ne kemi patur fat që në moshë të re të punojmë fillimisht në gazetë, radio, televizion dhe ky brez që vjen pas nesh nuk e ka këtë shans, pasi jemi ne që iu kemi zenë hapësirat (qesh). Por unë kam eksperimentuar pasi doja të shihja ku do të isha më mirë edhe kam dështuar, por mund të them se në radio ndihem më mirë. Ky është profesioni im i vërtet, bëj televizion pasi radio nuk plotëson dot kërkesat e mia.

Cilat janë këto kërkesa?

Janë financiare, pasi tregu i radios është më i vështirë se ai i televizionit.

Si po ecën “Makina me dy timona”, emisioni radiofonik, që ju e beni me kolegun tuaj, Edi Ogën me të cilin keni punuar edhe tek “Kutia e Fundit”?

Ne kemi gati 7 vjet që punojmë bashkë, jemi munduar që të mos të ndahemi pasi na pëlqen të komunikojmë me njëri-tjetrin. Unë jam shumë i kënaqur që kemi arritur ti mbijetojmë tregut.

Duke ditur që keni shumë angazhime, si e racionalizoni kohën?

Nuk është ndonjë angazhim kaq i madh, unë mund të them që kryeredaktorja e gazetës suaj, ka një punë shumë më të madhe, pasi duhet të zgjohet që herët në mëngjes, ta ndjek gazetën deri sa të shkoj në shtypshkronjë dhe më pas ta mbaj dhe telefonin hapur në darkë se mos ka ndodhur ndonjë lajm. Unë gjërat e mia i kam më të programuara, kur mbaroj emisionin kam mundësi të shkoj në shtëpi të merrem me fëmijët, etj. Ndoshta njerëzit na shohin shpesh në ekran dhe ju duket sikur ne vdesim brenda në të, por jemi më të lirë sesa një gazetar gazete.

Ju mungon puna si gazetar gazete?

Është e lodhshme dhe jo aq komode, por ne kemi punuar në kushte shumë më të vështira. Unë e kam nisur me gazetat e para që dolën pas viteve ’90. Vetëm të gjeje një diktofon në atë kohë ishte luks i jashtëzakonshëm, intervistat shpesh duhet ti bënim me dorë, duhet ta ndiqnim lajmin në burime që ishin hermetike. Nostaligjik nuk jam, pasi bëj gjëra të tjera që më plotësojnë.

Muzika juaj e telefonit cila është?
Është një muzikë e aparatit, dikur kam patur një këngë të ACDC-së (qesh).

Keni një muzikë të preferuar?

Pëlqej çdo lloj muzike sepse shijet janë zgjeruar, më pëlqen hard rroku, heavy metal, dëgjoj muzikë shqiptare, Aleksandër Gjokën, Pirro Çakon, grupin “Burn”

Janë ndarë Burn..

Po më vika keq, kam një CD të tyren në makinë. Era Rusi më pëlqen, motrat Libohova, por dëgjoj shumë edhe muzikë italiane.

Çelentanon?

Çelentanon e dëgjojnë të gjithë në Shqipëri, por unë dëgjoj edhe ndonjë gjë tjetër që nuk e dëgjojnë të tjerët (qesh), më pëlqen shumë ky Giovanotti i ri jo ai vjetri.

Në fushën e muzikës duket se jeni bërë ekspert, pasi luani edhe si Dj edhe në një klub të Tiranës?

Eksperienca nuk ecën keq (qesh). Unë nuk jam DJ, por punoj me dy djem që janë afër meje për të mos bërë ndonjë gabim trashanik, ndërkohë që Dj të vërtet janë Dori , Denisi dhe një Dj fantastik që kemi nga Greqia, që quhet Aris.

Si e bëni përzgjedhjen?

Më pëlqen muzika e viteve 60-70 dhe ajo muzikë luhet kur jam unë si Dj (qesh).

Keni punuar për shumë vjet në TV Klan ndaj duam të dimë si është ndarë Enkeli nga ky Tv?

Jemi ndarë shumë mirë, nuk kam patur kurrë kontradikta vazhdoj të frekuentojë po të njëjtët njerëz dhe të njëjtin rreth. Unë vet kisha parashikuar mos të largohesha për një kohë të gjatë, por këto zhvillimet e fundit në tregun mediatik, bën që të lëvizja dhe ndoshta nesër pasnesër mbase mund të ketë edhe një rikthim, por nuk jam duke e menduar tani.

E mendoni një rikthim në televizionin ku ju punuat për shumë kohë?

Unë mendoj një rikthikim në Klan, në Top Channel, TVA-ja nuk ekziston më, por nuk kam ndonjë paragjykim për asnjë media.

Le të ndalemi pak tek ju si bashkëshort dhe si baba. Sa e mbështesni bashkëshorten tuaj në fushën e politikës?

Ne kemi qenë të dy solidarë, nuk i jetojmë në mënyrë intensive punët e njëri-tjetrit, por në momentet tona të vështira jemi gjithnjë pranë. Ajo e kishte qejf politikën dhe unë nuk doja.

Pse?

Fillimisht i thashë mos ta pranonte këtë punë, por ajo e ka pasion këtë gjë. Ka qenë një bisedë vetëm 5 minuta ku unë i thashë e ndave mendjen dhe ajo tha e vendosa.

Si gazetar si e vlerësoni Mesila Dodën në politikë?

Përgjithësisht e pëlqej. Ajo e ka me energji dhe me sinqeritet këtë punë, e beson atë punë që bën dhe mendoj se është në rregull nëse do të vazhdoj kështu.

Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga profesioni i gazetarit?

Kam gati 4-5 vjet që e mendoj çdo ditë, por nuk e lë dot se nuk di të bëj gjë tjetër, pasi edhe punët e tjera nuk janë më pak të lodhshme. Do të më pëlqente ndonjë punë që do varej nga shpatullat e mia, ndonjë restorant por atë se bëj dot (qesh).

Sa i rreptë jeni si baba?

Djali , Joni është maturant dhe dëshiron të studioj për mjekësi, ndërsa Hana është në klasë të tretë. Me Jonin kam marrëdhënie gjysëm miqësore, komunikoj lirshëm me të, ndërsa vajza është pika e dobët.

Nëse do të kishte zgjedhur të studionte për gazetari do ta mbështesnit?

Jo. E kemi bërë njëherë këtë diskutim dhe nuk është profesioni që do ta doja për të. Është profesion shumë i pasigurt në Shqipëri. Të mendosh që në moshën 40-vjeçare duhet të ndërrosh punë, mbas 20 vjetësh karrierë të të venë në diskutim në Shqipëri e bëjnë me lehtësinë më të madhe.

Si i shihni gazetarët e rinj dhe sa i keni ndihmuar kur keni qenë drejtues?

Gazetarët e rinj janë të mirë dhe të këqinj siç janë edhe të vjetërit, nuk kanë ndonjë ndryshim. Ka talente plot, njerëz të zotë, egoistë, por ka edhe mediokër. Kam promovuar jo sepse e kam nga natyra këtë fakt, por kam promovuar gazetarë pa fund, sepse doja të bëja punën dhe ajo nuk bëhet me qark të mbyllur. Ka plot njerëz që dikur kanë qenë reportorë që sot janë kryeredaktorë dhe unë shkoj mirë me ta.

Raporti me kolegët gazetarë?
Të mira, ka njerëz që i kam miq dhe të tjerë që nuk i honeps dot. Ne jemi njerëz normal si gjithë të tjerët, nuk kemi ndonjë medalje që jemi gazetarë.

Su/ Shqiptarja.com