Le të kthehemi tani në temën e debatit. Autori Fatosh Voshtina, thotë për intervistën time se “të dhënat dhe referencat për Bazën detare të Vlorës nuk i përgjigjen të vërtetës dokumentare dhe ka shpjegime të pasakta” (Nënvizimi është imi, AL). T’i thuash një studiuesi se dokumentet që ke sjellë nuk i përgjigjen të vërtetës dhe shpjegimet janë të pasakta, kjo është absolutisht çështje thelbësore, është A-ja dhe Zh-ja në punën e çdo studiuesi. Është kjo arsyeja që unë ndjehem e detyruar të jap shpjegime, aq sa është e mundshme dhe e arsyeshme.
Një pikë e rëndësishme që zoti Voshtina veçon është se, sipas tij, “nuk qëndron versioni se N. Hrushovi ishte ai që i propozoi E. Hoxhës, por jemi ne ata që propozuam për bazën detare” (f. 18, kolona e dytë, paragrafi i parë). Le ta sqarojmë një herë e mirë këtë pikë. E vërteta është kjo: Më 26 nëntor 1956, Enver Hoxha i transmetoi ambasadorit sovjetik L. Krillov kërkesën se një delegacion i përbërë nga ai vetë, bashkë me Hysni Kapon dhe Liri Belishovën, do të dëshironte të pritej në një kohë të afërt në Moskë “për t’u konsultuar për probleme politike shumë të rëndësishme” [Rossiskii Gosudarstvennii Arkhiv Noveishei Istorii (RGANI), Fond 5, Opis 28, Delo 391, Iz dnevnika L. I. Krilova, Zapis besedii s pervim sekretarem CK APT Enverom Hodza, 26 naiabria 1956 goda].
Arsyeja kryesore pse Hoxha kërkoi të pritej në Moskë janë ngjarjet e tetorit 1956 në Hungari, për të cilat Hoxha kishte të dhëna se Hrushovi ishte këshilluar me partitë e tjera për ngjarjet në Hungari, madje edhe me Titon, ndërsa me udhëheqjen shqiptare jo vetëm nuk ishte këshilluar, por ajo as ishte vënë në dijeni. Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga E. Hoxha shkoi në Moskë në fund të dhjetorit dhe në fakt u prit mjaft ngrohtë.
Pas kthimit nga Moska, më 3 janar 1957, Hoxha ka raportuar në Byronë Politike për bisedimet e Moskës. Ndër të tjera ai ka folur për darkën që u shtrua për nder të delegacionit në vilën Gorki, më 23 dhjetor. Citoj: “Pa ngritur dollinë, Hrushovi tha se duhet ta kemi tonin Mesdheun, ta kemi nën kontrollin tonë dhe çdo lidhje ta bëjmë me Shqipërinë. Ne ju thamë le ta bëjmë, bile sa më parë. Do ta bëjmë, tha ai, do të krijojmë baza të forta për nëndetëse. Instalimet që janë bërë tani shikojnë të tërë Mesdheun, të tëra lëvizjet e aeroplanëve etj.
Ai insistoi shumë në këtë çështje”. (AQSH, F. 14/AP-OU, V. 1957, D. 6, Procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ, më 3 janar 1957, f. 16). Këto i thotë Enver Hoxha. Që ndërtimi i bazës ishte propozim i sovjetikëve, e thotë edhe kryeministri A. Kosigin në letrën e tij, drejtuar Këshillit të Ministrave të RPSH, më 26 prill 1961: “Për të njëjtat qëllime dhe në interes të përgjithshëm të të gjitha vendeve socialiste, me iniciativën e qeverisë sovjetike dhe me pëlqimin dhe mbështetjen e qeverisë së RPSH u krijua baza ushtarako-detare në Gjirin e Vlorës, e cila përbën një pikëmbështetje të rëndësishme të Organizatës së Traktatit të Varshavës” (Arkivi i MPJ, V. 1961, D. 42/5).
(Në foto Proces Verbal i fjalimit të Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrose Politike të PPSH, më 3 janar 1957)
Cilido prej nesh e kupton pse një kërkesë me kaq shumë peshë Hrushovi ia bëri E. Hoxhës dhe delegacionit të nivelit të lartë shqiptar në prani të bashkëpunëtorëve të vet dhe jo pa qëllim në një darkë pune e jo në bisedimet zyrtare. Hoxha e raportoi këtë në Byronë Politike dhe vetëm më pas çështja hyri në procedurat vijuese zyrtare. Tanimë nuk ka dyshim se ngritja e një baze të fuqishme detare ka qenë joshëse për udhëheqjen shqiptare, sepse ajo shihej në funksion të mbrojtjes së vendit, ashtu siç sovjetikët e shihnin në funksion të mbrojtjes së “kampit”.
Në këtë kontekst është përmendur vizita e ministrit sovjetik të mbrojtjes Georgi Zhukov në tetor 1957 në Shqipëri, kur sapo kishte filluar ngritja e Bazës. Në atë rast mareshali Zhukov inspektoi vijën bregdetare nga Shëngjini në Karaburun, duke u ndalur veçanërisht në Karaburun, si dhe ndoqi një stërvitje batalioni këmbësor në Korçë. Në këtë rast Zhukovi është shprehur në detaje për nevojat e Bazës së Vlorës. Këtë rast e shfrytëzoi Enver Hoxha që, me miratimin e Byrosë Politike, t’i kërkojë Zhukovit “jo kaq apo aq”, po që “mbrojtja e Shqipërisë të konsiderohet si mbrojtje e çdo pike të Bashkimit Sovjetik”. Më tej: “... ne mendojmë se Vlora të bëhet një kështjellë përpara Sevastopolit, për të shkatërruar tentativat dhe flotën e armikut...” (Për më gjerë shih AQSH, F. 14/AP, OU, D. 20, V. 1957, Mbledhje e Byrosë Politike, më 24 tetor 1957).
Kolonel Voshtina flet për një tjetër “pasaktësi”, sipas tij, se në intervistë është thënë që “marrëveshjet e nënshkruara në vitet 1957, 1959 janë nënshkruar kur vetë N. Hrushovi erdhi në Shqipëri në muajin qershor 1959” dhe se “kjo nuk qëndron”. Në fakt, aty ka një lapsus të pavullnetshëm, por fjala marrëveshje përdoret prej meje në njëjës (“marrëveshje e cila u nënshkrua”) dhe kuptohet se është fjala për marrëveshjen e vitit 1959, ashtu siç lapsuse të tilla në datat e marrëveshjeve ka në dy raste në shkrimin e zotit Voshtina.
Por këtu ia vlen për t’u ndalur në një pasaktësi të vetë dokumentit, që mban 3 maj 1959 si datë të marrëveshjes, nënshkruar në Tiranë, ndërsa ministri nënshkrues i Mbrojtjes Rodon Malinovski, në përbërje të delegacionit të Hrushovit, ka ardhur më 25 maj dhe agrementin për të drejtën e nënshkrimit nga qeveria e tij e ka marrë më 19 maj. Kjo është edhe data kur KQ i PPSH dhe qeveria shqiptare janë njoftuar zyrtarisht për vizitën e Hrushovit në krye të delegacionit sovjetik në Shqipëri. Ndërkohë dimë se Malinovski nuk ka qenë në Tiranë më 3 maj 1959. Këtë mospajtim unë e kam trajtuar herë tjetër (Shih: Ana Lalaj, “Albanien und der Warschauer Pakt”, në: Der Warschauer Pakt, Von der Gründung bis zum Zusammenbruch 1955 bis 1991, Berlin: Ch. Links Verlag, 2009, f. 42).
Zoti Voshtina ndalet në një çast tjetër, që edhe unë e konsideroj të rëndësishëm e që ka të bëjë me marrëveshjen e sipërpërmendur të 3 majit 1959, sipas të cilës qeverisë shqiptare do t’i siguroheshin pa pagesë (biezvozmiezdno) nëndetëse, avionë etj., listuar në lidhjen 1 të marrëveshjes. “Duke mos e njohur këtë marrëveshje, thotë autori, është spekuluar dhe ky spekulim vazhdon edhe sot e kësaj dite”. Të më falë koloneli, por aludimin për injorancë mbi dokumente si ky, këtë nuk kam si e pranoj dhe, kuptohet, pikërisht këtë marrëveshje mua më është dashur ta kem si referencë.
Por unë shkruaj histori dhe zanati më sugjeron më së pari t’i them lexuesit se në një javë debatesh të nxehta në komisionin e përbashkët të dy ministrive të jashtme, shqiptare dhe sovjetike, e drejta e pronësisë mbi nëndetëset e mjetet detare të Bazës u bë kryefjala e debatit. Deklaratat sovjetike i konsideronin këto mjete “pronë e shenjtë e popullit sovjetik”, deklaratat shqiptare “pronë e shenjtë e popullit shqiptar”(!). (Për më gjatë shih bisedimet në komision, AMPJ, V. 1961, D. 42/6). Sigurisht, cilido ka të drejtë të bëjë komente.
Por në këtë rast komentet do të ishin ngushtësisht juridike dhe deklaratat politike jo gjithnjë shkojnë në përputhje me të drejtën juridike. Çështja nuk është atakuar gjyqësisht dhe kësisoj e kam të vështirë të komentoj më tej, por jam e bindur se qeveria shqiptare, nëse do të kishte qenë e sigurt për të drejtat e pronësisë mbi nëndetëset e mjetet detare në fjalë, nuk do ta kishte autorizuar largimin e dy të tretave prej tyre, aq më pak ta përligjte me sloganin e konsumuar “për hir të miqësisë së përjetshme që lidh popullin shqiptar me popullin sovjetik”. Me që erdhëm tek ky moment i fundit dhe me që zoti Voshtina e kundërshton vërtetësinë, më duhet t’i rikujtoj atij letrën e qeverisë shqiptare drejtuar qeverisë sovjetike, më 8 maj 1961 (AMPJ, v. 1961, D. 42/5, faqe 2 e letrës, rreshtat 4 deri 15).
Një kontestim tjetër i kolonel Voshtinës është se “ajo që përshkruhet në gazetë se gjendja në bazën e Vlorës është e paralizuar dhe jashtë gatishmërie, që e pohojnë të dyja palët, kjo nuk qëndron dhe nuk ka si të jetë kështu, sepse ne ishim në gatishmëri nr. 1, nga detari i thjeshtë deri te Komandanti i Flotës” (faqe 19 e gazetës, paragrafi 1). E respektoj njeriun që i ka përjetuar ato ngjarje e që ka dremitur netë të tëra pa hequr as kambalet. Por të qenët në “gatishmëri nr.1” nuk është njësoj me aftësinë që ka njësia ushtarake për të kryer një detyrë luftarake.
(Në foto Letër e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS, Aleksey Kosigin, dërguar Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, më 26 prill 1961)
Ato që unë kam thënë në intervistën time se “në mbledhjen e Komitetit Politik të Traktatit të Varshavës, më 28-29 mars 1961, edhe pala sovjetike edhe ajo shqiptare pohuan se gjendja në bazën e Vlorës është e paralizuar dhe jashtë gatishmërisë luftarake” nuk i kam nga mendja, por janë marrë nga shënimet e asaj mbledhjeje. Për shembull, Beqir Balluku tha se shkelja nga qeveria sovjetike e detyrimeve “të marrëveshjeve ekzistuese e ka prekur rëndë që tani shkallën e gatishmërisë luftarake të bazës detare të Vlorës” (AQSH, F. 14/AP, Lista 2, D. 1, V. 1961, f. 13). Për më tepër, mungesën e gatishmërisë e pohoi edhe vetë komandanti i Flotës Detare, kundëradmirali Hito Çako, në mbledhjen e komisionit dypalësh shqiptaro-sovjetik (AMPJ, V. 1961, D. 42/6. Shih bisedimet e datës 23 maj).
Këto ishin shpjegimet e mija për kontestimet e kolonel Voshtinës. Me që unë shigjetohem për mendime të pabazuara në dokumente, u përpoqa me sa munda të ripohoj ato çfarë kam thënë dhe më parë, me ndonjë zgjerim në respekt të lexuesit. Po kështu, m’u desh të sillja edhe referencat dokumentare, gjë që, ndryshe nga artikujt shkencorë, në rastin e intervistave nuk janë praktikë. Nga ana tjetër, e kuptoj se në studimet e tij për Bazën e Vlorës, zotit Voshtina i është dashur të përdorë mjaft burime dokumentare, të cilat ai i njeh jo më pak se unë. Dua të besoj se kritikat e tij janë qëllimmira dhe se, fundja, është njerëzore që mjaft prej dokumenteve t’i rrëshqasin nga kujtesa.
Tani edhe diçka tjetër më e drejtpërdrejtë. Ju, kolonel Voshtina me kundërshtimet tuaja nxitët një debat. Unë, në respektin tuaj, u përgjigja, duke shfrytëzuar një klauzolë që e përmbajnë të gjitha kodet e etikës për shtypin e shkruar. Kjo është e drejta e replikës që, për fat, gazetat tona më të shumtën e respektojnë. Por, nuk jam e sigurt, nëse ia vlejti. Kam mendimin se formati i një debati shkencor nuk mund të mbahet në gjëra të vogla, të tipit “e lagu, s’e lagu”. Që do të thotë se unë dhe kolegët e tjerë studiues nuk e kemi të vështirë të sjellim dokumente për ato që shkruajmë.
Puna është për çfarë dhe si shkruajmë, a u japim vendin e duhur zhvillimeve shqiptare në kohë të ndryshme historike, në njërin ose tjetrin sistem, brenda zhvillimeve rajonale ose më gjerë. Sot arkivat janë gjithandej të hapur, brenda dhe jashtë vendit, dokumentet janë sheshit, mjaft të kesh kohë dhe vullnet. Me që jemi tek Baza e Vlorës, unë nuk e kam të vështirë të sqaroj, bie fjala, kush e propozoi i pari ndërtimin e një baze dhe kush dha urdhër i pari për largimin e saj, si dhe plot hollësi të tjera, që nuk vlejnë njësoj. Një varg çështjesh të tjera do të ishin intriguese.
Për shembull, çfarë peshe kishte Baza në planet mbrojtëse të Bllokut komunist, u shërbeu ajo ekuilibrave ushtarakë apo ishte shkak për konflikte të mundshme në një rajon historikisht delikat? A u kthye vërtet Baza rrezik për Shqipërinë, apo motivet për pushtet të Enver Hoxhës stimuluan konflikte të panevojshme? Si ndodhi që shqiptarët, megjithëse i mbyllën derën Moskës, për ta Perëndimi i mbajti dyert mbyllur? Të mirat dhe të këqijat e një Shqipërie pa baza të huaja ushtarake dhe pasojat e të jetuarit si në rrethim. Fortifikimi i vendit, sidomos pas vitit 1968, përligjet në kohë në pikëpamje politike dhe ushtarake, apo ishte produkt i rastit i një maniaku, si Enver Hoxha? Këto janë disa pyetje që më vijnë pa kërkuar shumë, po që për to mendoj se mund të hulumtohet dhe të arrihet në përfundime të qëndrueshme.
Zoti Voshtina, ju dhe brezi juaj jeni protagonistë të nderuar të një kohe të vështirë. Me angazhimin tuaj ju mund t’i ndihmoni këtij lloj debati profesional, ashtu si dhe të tjerë burra e gra, në fusha të tjera të kërkimit e të shkencës, mund të bëjnë të njëjtën gjë. Atëherë mund të thoshim me plot gojën se debati ia vlejti. Përndryshe, hajt shigjetojmë njëri-tjetrin. Po çfarë arritëm? Asgjë. Përpos se kthehemi në ushqim për gazeta.
(Në foto Mbledhja e dytë ndërmjet delegacionit shqiptar dhe delegacionit sovjetik organizuar në Tiranë, më 23 maj 1961)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print(05.05.2013)
Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)