Enver Hoxha hyn e del në shtëpinë
e Ali Këlcyrës në Paris 

Enver Hoxha hyn e del në shtëpinë<br />e Ali Këlcyrës në Paris 
Shkrimi i tretë
Martesë pa u martuar. Më në fund lind Hana
Kështu rruga për në Paris qe e hapur. Veç ajo, për ca rrethana që deri ato çaste as nuk qenë imagjinuar, bënë që nusja të mbërrinte në kryeqytetin francez, por martesa të mos bëhej. Në Tiranë, dhe për pasojë edhe në Paris, për shkak të dënimit me vdekje në mungesë, zyra e gjendjes civile nuk ia dha lejen për t’u bashkuar familjarisht me Avdijen.
Deri sa lidhja e kurorës u bë, në 1935, për dy vite rresht në mjediset e oborrit mbretëror në kryeqytetin shqiptar u nxitën fjalë se Ali Këlcyra bashkëjetonte pa vënë kurorë me një bijë nga familja Vrioni dhe se kjo trajtohej prej tij si një mantenutë. Sipas po kësaj fjalënaje një veprim i tillë dëshmonte hipokrizi të beut që deklarohej sikur ishte kundër bejlerëve. Ai qëllimisht dhe për arsye ideologjike qe duke poshtëruar një bejlereshë.
Ahmet Zogu, i cili e kishte nxitur fillimisht të ëmën t’i ofronte Avdijes shkuarjen në Paris dhe me këtë rast të nxirrte përfitimin e sigurisë se Ali Këlcyra do të mbetej atje dhe nuk do ta bezdiste me ndonjë kthim në Shqipëri, pati llogaritur edhe dinakërinë e njollosjes morale të tij. Lobi i bejlerëve për atë bashkëjetesë pa ligj do ta mallkonte edhe më shumë se më parë tradhtarin e klasës së saj.  
Gjithsesi më në fund, pas nëpërgojimit të gjatë, zyrat që bënë lëshimin e të drejtës për martesë, në 8 mars 1936 do të mbanin shënim se lindi fëmija e Ali Këlcyrës dhe e Avdije Dudush hanëm Vrionit. Të dy prindërit e prisnin djalë. Ishin të bindur se do të delte pasuesi i dinastisë, vetë trashëgimtari i një historie familjare gati shtatë shekullore, por fëmija doli me trupin dhe hiret e një femre.
Qe Hana Klissura.
Do të ishte fëmija e parë, por dramatikisht edhe e fundit për Aliun dhe Avdijen, madje edhe për tërë derën Këlcyra.
 
Oxhaku Këlcyra po fiket
 
Po shndërrohej në një kob genetik kjo pamundësi e Këlcyrajve për të vijuar dinastinë e tyre. E kishin ruajtur atë jo vetëm me meshkuj, por edhe me femra, madje këto qenë plot zell për administrim dhe pushtet. Në dinastinë e tyre femrat ndiheshin zonja të para. Ato hanin bukë në një sofër apo tavolinë me burrat.
Mirëpo tërë kjo traditë e shkëlqyer vijimi të trashëgimisë, përcjelljeje brez pas brezi, po venitej. Në vitet njëzetë-tridhjetë të njëmijë e nëntëqindës as pasardhësit meshkuj nuk kishin dëshirë për të qeverisur lavdinë e biografisë së tyre. Tipik qe i jati i Ali Këlcyrës, Xhelal beu. Këtij i interesonte kryesisht gjahu. Vetë flinte me shtatë qenë. Gruaja e tij, e cila ishte njëkohësisht kushërirë e parë, sepse qe motra e nënës, Shegës, hyri në shtrat të Xhelalit që 17 vjeçe. Të dy familjet, Këlcyrajt dhe Frashëllinjtë, nuk qenë dakord për këtë martesë, por nuk e ndalën dot. Gjyshja e Hana Klissurës e kaloi jetën vetëm duke rënë shtatzënë dhe në kujtesën e njerëzve të kohës ajo ashtu mbahet mend: me barkun e tejfryrë. Për pasojë lindi dymbëdhjetë fëmijë, por nga shkaku i pleksjes gjenetike të ngjashme vetëm pesë mbijetuan.
Ndërkaq, sikur të mos mjaftonte kjo mënyrë jete larg ambicies për të mbajtur gjallë vijimin e dinastisë, i ati i Ali Këlcyrës, Xhelal beu, ndërroi jetë 36 vjeç. Qe një dhëmballë, e cila iu ënjt dhe i zuri qelb. Më në fund iu bë abces, iu shndërrua në një plagë që i futi helmin në gjak.  
Xhaxhai Veli beu, firmatari i Deklaratës së Pavarësisë, ishte vegjetarian edhe nuk vinte kurrë në gojë mishin. Kështu zemra iu dobësua shumë dhe më në fund i pushoi. 
I vëllai i Ali Këlcyrës, Fadil beu, pati ndërruar jetë në Romë në 1923, nga tuberkulozi. Qe vetëm 26 vjeç. Kishte kryer një shkollë të njohur private në Zvicër me notat më të larta të mundshme, çfarë u bë arsye që drejtori i saj në ceremoninë e dhënies së diplomave të deklaronte para gjithë pjesëmarrësve se “Shqipëria njihet sot në botën europiane si vendi i fundit, më i vogli edhe më i varfëri,  ndërsa në këtë sallë Fadil Këlcyra është studenti i parë mbi të tërë studentët e tjerë me notat më të shkëlqyera”.
Vëllai tjetër, Faik beu, i cili edhe ai pati kryer një shkollë private zvicerane, i erdhi Aliut në Paris për t’i qëndruar pranë gjatë mërgimit politik. Në të vërtetë për ta mbrojtur fizikisht, duke u bërë truprojë. Por edhe ai u largua nga kjo jetë, siç shkruan Eqerem bej Vlora në listën e tij gjenealogjike të familjeve më të mëdha shqiptare deri në vitet tridhjetë, në 1934, çfarë do të thotë një vit para se Avdija të vinte në Paris dhe të shtonte shpresën se tek biri i fundit i Xhelal Beut do të dilte më në fund vazhduesi i derës së tyre.
Faik beu vdiq nga kanceri që iu bë në veshka, duke i shkaktuar fillimisht bllokimin e urinës, çfarë pothuaj e helmoi. Mjekët e shpëtuan nga ky rrezik i fundit, por gjithsesi tumori e mori me vete në krye të gjashtë muajve pasardhës. Ndërroi jetë në spital.
 
 “Vëllai” gomar, por shumë i pashëm
 
Po atë ditë që në vend të djalit të shumëpritur lindi Hana Klissura, në orë shumë të përafërta, në Këlcyrë një nga gomaricat e shumta që përdoreshin për punë, lindi pjellën e vet, një gomar. Ky qe mashkull dhe, siç thoshin nëpër letrat e ardhura në Paris prej andej, ishte shtatlart sa një mushkë. Qe mjaft i pashëm: me qime bojë hiri të hapur, si gëzof.
Hanën e Parisit e mësuan pak nga pak se ajo nuk ishte një vajzë e vetme, por e kishte në këtë botë një vëlla. Ky ndodhej në vendlindjen e familjes së tyre, në Këlcyrë. Sapo të rritej pak dhe të mund të duronte një udhëtim të gjatë matanë detit, do të shkonte ta takonte patjetër.
E mitura besonte se i vëllai ishte qenie njerëzore si çdo fëmijë tjetër dhe padyshim me po ata prindër, që kish edhe ajo aty në Paris. Kur ajo ishte ende në barkun e të jëmës, por edhe kur rriste muaj pas muaji shtatin dhe pas një viti filloi të mbushë motin e dytë, ndjeu se në familjen e saj lindja e një djali, e një trashëgimtari të dinastisë, ishte nevoja dhe biseda numër një.
Lodra e parë që Ali Këlcyra dhe Avdije Dudush hanëmi i blenë vajzës së tyre të vogël ishte një djalë kukull prej celuloidi, për të cilin i thanë se qe vëllai i saj. Kështu Hana qe me dy “vëllezër”  
Ndërkaq në Këlcyrë fillimisht, pastaj edhe në Fier apo Berat, deri në Tiranë, jo aq fort si shpoti, por që megjithatë nuk ishte edhe thjesht shaka, u përhap qesëndia se në lindjen e njëkohshme të vajzës Hana dhe të gomarit-vëlla mirë do të qe të kishte ndodhur një këmbim fatlum: në Paris të dilte një djalë dhe në Këlcyrë një femër.
 
Tre vizita të Enver Hoxhës tek Ali Këlcyra
 
Për ta uruar lindjen e fëmijës së tyre në një nga ditët e mes marsit 1936, u erdhi në shtëpi edhe Enver Hoxha. Sipas çfarë tregon për jetën e vet, por edhe rezulton nga dëshmitë e të tjerëve, këtë muaj ai duhej të ndodhej në Bruksel, duke kryer punën e ndihmësit të konsullit të nderit të Shqipërisë në Belgjikë, industrialistit francez Maroth Marothi.
Sipas asaj që Hana ka treguar pas vitit 2007, ardhjes së saj të parë në Shqipëri, “Fillimisht babai im është takuar në Paris me Enver Hoxhën, tre herë para vitit 1939. Herën e parë është kur vdiq vëllai i babait, Faik Këlcyra. Ai vjen në vitin 1935 për të ngushëlluar me një kuti me puro. Ndërkohë që herën e dytë për lindjen time”. Pa e përcaktuar si herë të tretë Hana Klissura përmend rastin kur Hoxha i erdhi në banesë Aliut me një letër nga Bahri Omari.
Kur në fillim të muajit shtator 2016 i kërkova një radhë të këtyre vizitave të Enver Hoxhës në shtëpinë e Ali Këlcyrës, Hana më ktheu këtë përgjigje: “Herën e parë ka qenë kur vdiq Faiku në 1935, herën e dytë kur linda unë edhe të tretën kur kërkoi të hynte në Bashkimin Kombëtar, dhe pastaj, më duket, që nuk u takuan më, se edhe në Shqipëri”.
Pastaj plotësoi: “Po ky Enver Hoxha që ka qenë atëherë student në Francë ka ardhur për të uruar që unë kisha lindur në Paris...Por Enver Hoxha kishte ardhur edhe një vit më parë tek babai për të ngushëlluar për vdekjen e Faikut dhe kishte prurë, siç ishte zakoni, një kuti me puro. Më vonë erdhi edhe një herë për të takuar babanë me një letër prej Bahri Omarit, shokut të ngushtë të tim ati, sepse  donte të hynte në Mbrojtjen Kombëtare me qenë që nuk kishte dhënë provimet edhe ishte në rrezik të humbiste bursën që i kishte dhënë qeveria e Mbretit Zog me ndërmjetësimin e Ekrem bej Libohoves, por babaj e refuzoi. E shau rëndë, duke i hequr vërejtjen që  ai kishte zënë vendin e një studenti të mirë për të cilin Shqipëria kishte nevojë, ndërsa ky harakopesh nëpër Paris...edhe këtu nis hasmëria e Enver Hoxhës për babanë që ishte më shumë personale se politike”.
Ndërkohë gjashtë vite të shkuara, në vijim të intervistës dhënë një gazete të Tiranës, Hana Klissura e shpjegonte kështu këtë ngjarje të fundit përplasjeje mes Enver Hoxhës dhe Ali Këlcyrës: “Herën e parë që ka qenë në Itali tek kunati, edhe i jep Bahriu një letër për babanë. Brenda ishte “Ali të lutem, ndihmoje se ka disa kërkesa sepse e kam kunat” dhe babai e pyet dhe Enveri kërkon të hyjë në Bashkimin Kombëtar. Nga Faiku, babai e dinte se kishte një bursë të shtetit dhe që nuk i kishte kaluar disa provime. Kur zoti Hoxha i thotë babait se dua të hyj edhe unë në Bashkimin Kombëtar, i cili kishte si synim të rrëzonte mbretërinë e Zogut, babait i thotë “Si kërkon të hysh, ndërkohë që t’i je me bursë të mbretit Zog”?  Babai i thotë Enverit “Nuk të vjen turp që me paratë e shtetit dëfren, i ke zënë vendin një tjetër studenti që mund të kishte studiuar?” Ai i tha se “edhe nëse do të ishin paratë e babait tënd, duhej të të vinte turp sepse do të kishte dërguar me djersë. Ne nuk jemi organizatë bamirëse”.
Por çthotë vetë Enver Hoxha? Sipas librit të tij me kujtime “Vite të rinisë”, Tiranë 1988, “Në Paris u njoha edhe me emigrantë politikë, si Kol Tromarën, Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Beqir Valterin e të tjerë. Të gjithë luanin kumar, poker dhe merrnin pjesë në bastet për garat e kuajve, me përjashtim të Sejfi Vllamasit dhe të Rexhep Mitrovicës”.
Hoxha shkruan se me të gjithë ata, prej miqve të përbashkët prezantohej si i kunati i Bahri Omarit. Pastaj mëshon: “Ata as që merreshin fare me politikë, për Shqipërinë as e çanin kokën fare, pse ishin larg e njerëz nuk shkonin në Paris, si në Bari. Këta farë politikanë nuk kishin as unitet të paktën shoqëror me njëri-tjetrin, ata vetëm të luanin kumar dinin dhe përpiqeshin kush të rripte shoqi-shoqin. Para merrnin mirë, kushedi nga ç’grazhd, jo vetëm jetonin në apartamente që kushtonin, por të gjithë frekuentonin kafenetë e mëdha, si “La Coupole” në Montparnas. Rrallë i shihje në kafenetë popullore, si “Doupont” që kishte në çdo rrugë”.
Këtë opinion ai e përsërit tek libri tjetër i tij me kujtime “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”: “Fare i afërt nga përbërja klasore dhe nga pikëpamjet me “Bashkimin Kombëtar” ishte edhe i ashtuquajturi “Grupi i Zarës”, që mori emrin nga qyteti dalmat, ku Benito Musolini mbante si rezervë Mustafa Krujën me shokë e ia tundte para Ahmet Zogut sa herë donte t’i bënte presion. Mustafai hiqej sikur ishte në armiqësi me krerët e “Bashkimit Kombëtar”, si Ali Këlcyra me shokë, se këta në vend të liretave preferonin frangun francez dhe dinarin jugosllav”.
Në po këtë libër, njëherë tjetër, duke ngulur këmbë se disa prej eksponentëve të Ballit Kombëtar morën poste qeveritare gjatë pushtimit (të parin akuzon Mehdi Frashërin), “vetë Ali Këlcyra, dhëndri i Vrionasve, aleati i tyre, natyrisht dhe i Vërlacëve, nuk mori nëpunësi, me sa di unë, në mënyrë që të mund të hiqej edhe për ca kohë si “patriot i kulluar”.
Në një rast të tretë në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” Enver Hoxha shkruan: “Një grup tjetër të kësaj kategorie të emigracionit politik përbënin “demokratët antizogistë” të Parisit. Këtu bënin pjesë Ali Këlcyra, Kolë Tromara, Qazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica e të tjerë, por Tromara, Ali Beu, Koculi e Mitrovica hiqeshin si kapot. Në fakt asnjëri nuk e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë “udhëhiqnin”, por këta ishin udhëheqës të erës, komandantë pa ushtarë”.
Disa paragrafë më pas Hoxha ripërsërit pikëpamjen e vet se këta politikanë merrnin financime nga qeveria franceze, ajo italiane, madje edhe në dollarë, se jetonin mirë dhe luanin kumar.   
 
Kur ndodhi hatërmbetja e Enverit ndaj Aliut?
 
Duke iu rikthyer një çast pohimit të Hana Klissurës për tre vizita të Enver Hoxhës tek i ati në Paris, na duhet të bëjmë disa plotësime. Faik beu, i vëllai më i vogël i Ali Këlcyrës, sipas Eqerem bej Vlorës nuk ka vdekur në 1935, por një vit më herët. Sigurisht në këtë të ndodhur Hana nuk ka qenë, sepse do të lindte dy mote më vonë. Vizitën ngushëlluese të Hoxhës ia ka treguar patjetër i ati. Hoxha këtë çast duhet të ketë qenë në Paris, sepse bursa nga qeveria shqiptare iu pre në shkurt 1934. Ai qe regjistruar për studime në degën e botanikës në universitetin e Montpeljesë në nëntor 1930 dhe pas pothuaj katër vitesh nuk i kishte kapërcyer shumicën e provimeve.
Në kujtimet e veta Enver Hoxha e lë të mjegullt muajin për ku nga Montpelje u nis për në Paris, por këtu e pohon se ndenji vetëm dhjetë muaj. Po ashtu ai nuk e saktëson kur u nis për në Bruksel, në detyrën e ndihmësit të konsullit të nderit Marothi, por nënkuptohet se kjo duhet të ketë ndodhur në fundvjeshtë 1935. Siç po ashtu Enver Hoxha shkruan në librin “Vite të rinisë” “Aty nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut 1936 u ktheva definitivisht nga jashtë…”
Këto pozicionime të kohës i bëjmë për t’i verifikuar me çfarë Hana Klissura thotë se prania e Hoxhës në shtëpinë e të jatit ka qenë tri herë. Duhet që ai të ketë qenë në Paris kur ndërroi jetë Faik beu, po ashtu nuk duhet të ketë qenë këtu kur lindi Hana, por në Bruksel. Ai u largua nga kryeqyteti i Belgjikës drejt Shqipërisë kur ajo ishte pesë muajsh.
Por atëherë kur ka ndodhur përafërsisht biseda e qortimit të ashpër të Ali Këlcyrës ndaj Enver Hoxhës për çështjen e bursës studimore që merrte nga Zogu e ndërkohë donte të regjistrohej tek “Bashkimi Kombëtar”?
Enver Hoxha në librin e tij me kujtime “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re” fillimisht vë në dukje një portret të Ali Këlcyrës dhe vetëm pastaj ndërhyn për të kujtuar Protokollin me Dalmacon: “Më kishte rënë njëherë rasti të takohesha ine feudalin “demokrat” përpara luftës, kur isha student né Francë. Më duket se kthehesha nga Shqipëria, ku kisha qenë për pushime dhe né Bari kisha takuar Bahriun, i cili më kishte dhënë një letër për Ali Këlcyrën që banonte né Paris. Sipas adresës që më kishte dhënë Bahriu, i vajta beut né shtëpi. Kishte një apartament shumë të mirë, gjë që më bëri përshtypje e mu duk e çuditshme për një emigrant. Aliu më priti ftohtë e me fodullëk e mezi më futi né sallon. Vetëm kur mori vesh se kush më kishte dërguar, e ndryshoi tonin, më dha një cigare e i ra ziles për të thirrur shërbêtoren franceze, sé cilës i tha të më bënte një kafe. Gjaté kohës që piva kafenë më pyeti për çfarë studioja e ç'kishim nga Shqipëria. Beu i Këlcyrës më dëgjonte me indiferentizëm e si me bezdi. Atëherë dhe unë i qëndrova akull dhe pyetjeve të tjera iu përgjigja fare shkurt dhe, me të pirë kafenë, u ngrita e ika. Që atëherë nuk ia kisha parë fytyrën as jashtë, as né Shqipëri, kur erdhi bashkë me pushtuesin. Po për bëmat e tij, ama, kishim dëgjuar. Ali Këlcyra ishte ndër propagandistët e shquar të reaksionit e të Ballit, ishte nga ata që villte vrer më shumë kundër luftës për çlirim, kundër komunistëve e partizanëve. Jo vetëm kaq, se tradhtari Ali Këlcyra nuk mbetej vetëm te llafet; ai bashkë me bashibozukët e vet u qëndronte përkrah trupave italiane né operacionet ndëshkimore kundër krahinave, ku luftonin çetat e batalionet tona, ai digjte e vriste, godiste pas shpine. Për të gjitha veprimet e tij ne ishim né dijeni dhe e kishim paralajmëruar, dikur edhe e arrestuam, po e lamé të lirë duke i thënë që të kishte mendjen, se herë tjetër nuk do të shpëtonte mirë”.
Kemi përshtypjen, prej faktesh të tërthortë, që momenti kur Hoxha kërkoi të regjistrohej tek “Bashkimi Kombëtar” duhet të ketë qenë periudha e para shkurtit 1934, moment kur iu pre bursa. Qortimi i Ali Këlcyrës, ku ndodhej edhe togu i fjalëve “të të vijë turp” dhe arsyeja përse e gjykonte të pacipë (“përdor për dëfrim bursën e Ahmet Zogut dhe ndërkohë kërkon të regjistrohesh në një organizatë antizogiste!”), i ka të gjitha gjasat të jetë e fund motit 1933. Me studimet e nisura në Universitetin e Montpeljesë në fundvjeshtë 1930, viti i mësipërm është ai kur stili i sjelljes “dandy” të Enver Hoxhës e mbushi kupën, duke shkaktuar jo vetëm shumë fjalënaja tek shqiptarët në Francë, por edhe shqetësim në Ministrinë e Arsimit në Tiranë.
Duke mos pasur prova që ta vënë në verifikim nëse kjo skenë me “të të vijë turp” ka ndodhur vërtet apo jo, ose e rrëfyer prej Ali Këlcyrës përbën vetëm një pjesë të saj, nuk duam të largohemi nga thelbi: Enver Hoxha e ka vizituar Ali Këlcyrën në apartamentin e tij në Paris plot tri herë. Kjo pothuaj do të thotë se ka hyrë dhe ka dalë “si në shtëpinë e tij”.

enever hoxha
Enver Hoxha

ali kelcyra
Ali Këlcyra

ali kelcyra
Avdije Hanëmi 
kelcyra
 Sarajet Këlcyra


(Vijon...)
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak