Çmimi i ulët që kanë ofruar suedezët i ka shqetësuar udhëheqësit shqiptarë komunist, të cilët janë në një mendje të mos ia japin sasinë e kromit që kërkojnë ata. Hoxha pyet se me sa kërkon ta marrë suedezi. “Ne e shesim me 42 dollar, çmim për të cilin ai vetë na kanë kritikuar se e kemi të ulët, tani me sa kërkojnë ta marrin me 35 dollarë?”, thotë Hoxha. Ata diskutojnë më tej edhe problematikën në tregun ndërkombëtar, duke e lidhur këtë me çmimin e ulët që ofrohet për krom, por edhe për ferrokrom.
Ndërsa diskutojnë më tej se nëse e përpunopjnë dhe shesin ferrokrom, kostoja do të dilte shumë e lartë dhe do të dilnin me humbje. Sipas Hoxhës të huajt vetëofrohen që të sjellin këtu teknologjinë, madje edhe në këtë rast për të prodhuar ferrokrom, por nga ana tjetër kërkojnë të shfrytëzojnë pasuritë e vendit në maksimum.
Duke diskutuar edhe për vendet e tjera që prodhonin ferrokrom, në mbledhjen e udhëheqësve komunist përmendet rasti i Japonisë, e cila nisur nga cilësia e lartë e kromit shqiptar e përdornin atë si përzjerës për krome të tjera. Por japonezët nuk e blinin kromin direkt nga Shqipëria...
“Ata krom shqiptar marrin, shoku Enver, po e marrin nga të tjerët, nga të tretë”, thotë Vangjel Çërrava, duke shtuar se “Ja, këtë punë nuk na e zgjidhën shokët që shkuan në Japoni për të parë uzinat e ferro-kromit. Vërtet ata shkuan atje për uzinat, por njëri prej tyre ishte i Tregtisë, prandaj e kritikuam rëndë dhe me shokun Adil. I thamë që ti e di gjendjen e kromit te ne dhe, kur japonezi të kërkoi, pse nuk na pyete ç’të bënit? Tani duhet të presim të vijnë ata në Tiranë prapë që të bisedojmë për këtë punë.”
Ndërsa analizojnë dhe arrijnë në përfundim se tregu ndërkombëtar ka vendosur rregulla të forta për këtë fushë, e cila siç duket për Shqipërinë ishte pa ndonjë prespektivë, udhëheqësit komunistë shqiptarë mendojnë se zgjidhja gjendet tek sektori i naftës dhe ennergjisë, një sektor, ku sipas Enver Hoxhës duhet të fokusohet Shqipëria, pasi nevoja për energji sa ven e rritet nga vitit në vit. Diskutimet e plota të kësaj mbledhje mbi çështjen e kromit dhe të naftës i sjellim të plota sipas procesverbalit së bashku me faksimilet.
Dokumenti
Se japonezët këtë kishin thënë që kromin që marrin nga ne e përdorin si përzierës për krome të tjerë.
Shoku Enver Hoxha: Po mirë japonezët blejnë krom nga ne?
Shoku Vangjel Çërrava: Ata krom shqiptar marrin, shoku Enver, po e marrin nga të tjerët, nga të tretë.
Shoku Enver Hoxha: A! Po pse nuk e marrin nga ne?
Shoku Vangjel Çërrava: Ja, këtë punë nuk na e zgjidhën shokët që shkuan në Japoni për të parë uzinat e ferro-kromit. Vërtet ata shkuan atje për uzinat, por njëri prej tyre ishte i Tregtisë, prandaj e kritikuam rëndë dhe me shokun Adil. I thamë që ti e di gjendjen e kromit te ne dhe, kur japonezi të kërkoi, pse nuk na pyete ç’të bënit? Tani duhet të presim të vijnë ata në Tiranë prapë që të bisedojmë për këtë punë.
Shoku Enver Hoxha: Lidhur me çështjen e kromit që ngre suedezi, unë bisedova me Adilin. Jam dakord që të mos i japim atij kromin që kërkon, sepse do ta marrë me çmim të ulët.
Shoku Ramiz Alia: E kërkon me çmim të ulët ai. Dhe është kontradiktor bile, se nga një anë thotë ju keni ulur çmimet e kromit, dhe nga ana tjetër vetë propozon përsëri çmim të ulët.
Shoku Vangjel Çërrava: Ai vetë thotë “kromin ju e shitni ulët”.
Shoku Enver Hoxha: Po pra, ndërsa vetë propozon çmim më të ulët. Ne e shesim me 42 dollarë tonin. Sa kërkon ta marrë ai, me 34 dhe 35 dollarë? Duhet të ketë nevojë suedezi për krom.
Shoku Ramiz Alia: Po, shoku Enver, suedezët kanë nevojë për krom, se kanë industrinë e ferro-kromit ata.
Shoku Enver Hoxha: Ashtu ë! Atje është puna me sa duket.
Shoku Ramiz Alia: Pa lëndë të parë industria e tyre e ferro-kromit s’ka si punon, prandaj ai do lëndë të parë.
Shoku Enver Hoxha: Do lëndë të parë dhe e do një çikë të sigurt. Ju, - thotë ai, - jeni të sigurt në këtë çështje.
Shoku Ramiz Alia: Te ne ai e ka të sigurt kromin. Këtu është puna.
Shoku Vangjel Çërrava: Dhe për përzierjen ai është i sigurt nga ne.
Shoku Ramiz Alia: Tërë truku këtu është. Një ditë e biseduam me shokun Adil këtë çështje.
Pashë një ditë Vangjel, atë raportin e grupit italian IRI që ka ardhur këtu lidhur me metalet e me këto mineralet tona të ndryshme e të tjera. Me sa vura re në fakt u mbars mali dhe polli një mi.
Shoku Enver Hoxha: Posi.
Shoku Ramiz Alia: Domethënë, ç’thonë ata?
Shoku Enver Hoxha: Fjalë sa të duash, po asgjë në torbë.
Shoku Ramiz Alia: Por, po t’i shtrydhësh të tëra fjalët e tyre, del ajo që ju “ofrojmë” ne teknologji.
Shoku Enver Hoxha: Posi, posi, produktet t’i marrin ata të përgatitura.
Shoku Ramiz Alia: Kjo që duan të na bëjnë është një grackë e keqe. U thashë shokëve se duhet të jenë shumë të vëmendshëm në këtë çështje.
Shoku Enver Hoxha: Po, po. Këtë marifet na e bënte dhe Çekosllovakia.
Shoku Ramiz Alia: Kjo do të thotë të të lidhë këmbë e duar ai tjetri.
Shoku Enver Hoxha: Po, po.
Shoku Ramiz Alia: Këtu, në këtë grackë, ne nuk duhet të biem, në asnjë mënyrë. Kjo tendencë, shoku Enver, po duket dhe me ferro-kromin. Ishte një grup shokësh tani në Gjermani dhe në ca vende të tjera.
Shoku Vangjel Çërrava: Në Japoni dhe Austri.
Shoku Ramiz Alia: Dhe të tërë u ofruan, të gjithë thanë shumë mirë, ju keni energji, ju keni edhe krom, keni mineral, pse nuk e bëni ferro-krom? Jua blejmë ne atë.
Shoku Enver Hoxha: Këtë e dimë dhe ne.
Shoku Ramiz Alia: Mirëpo kjo do të thotë krijo ti një industri, e cila kërkon energjinë elektrike, kërkon dhe kromin dhe ai ta marrë ferro-kromin sa të dojë vetë pastaj, se të ka në dorë dhe thotë ma shit me këtë çmim që dua unë.
Shoku Enver Hoxha: Po. Prandaj ai thotë po të duash, ta jap unë fabrikën. Kështu na tha edhe çeku.
Shoku Ramiz Alia: Po, po, ta jap unë fabrikën. Kështu thotë dhe ai.
Shoku Enver Hoxha: Më kujtohen vitet 1957-1958, kur bisedova vetë me Shirokin. E mbaj mend si tani, në zyrën e tij. Kredi, - më tha mua ai, - shoku Enver, nuk japim dot ne, po të bëjmë një gjë, neve ju japin uzinat, bëjmë një kontratë dhe ju na i lani paratë me prodhimin e këtyre uzinave. Me fjalë të tjera punoni ju për ne, - më tha Shiroki.
I thashë jo ashtu, s’është e drejtë ashtu. Në qoftë se doni të na ndihmoni, na jep kredi dhe pastaj ne do të vendosim sa t’u shesim nga prodhimet tona, sa kemi mundësi, sepse duam të blejmë dhe mallra të tjera për nevojat e vendit tonë. Tani edhe këta, gjermani, për shembull, po të duash mund të të thotë të jap dhe një fabrikë tjetër ferro-kromi, por kur të fillojë prodhimi, atë, ferro-kromin e prodhuar, - thotë ai, - të ma japësh mua, gjermanit, në mos 100 për qind, 80 për qind.
Shoku Ramiz Alia: Kjo është njëra anë, shoku Enver, po ka dhe anën tjetër të keqe. Tek të huajt, edhe tek këta, italianët, unë shoh një tendencë që të na bëjnë të investojmë në industri prodhimet e të cilave nuk i harxhon vendi ynë, por që janë të destinuara vetëm për eksport. Mirëpo, po pate industri të destinuar vetëm për eksport, je gjithmonë në vartësi të të tjerëve, sepse ta blen apo s’ta blen mallin tjetri, nuk varet nga ne. Nuk ka mbetur bota për ferro-kromin shqiptar.
Shoku Enver Hoxha: Jo, ç’ne, ka shumë vende të tjera që prodhojnë e shesin ferro-kromin.
Shoku Ramiz Alia: Ka pra shumë vende të tjera që prodhojnë e që shesin ferro-krom, prandaj ai thotë po deshe ma jep ferro-kromin me 30 dollarë për ton, po nuk deshe, mbaje.
Shoku Enver Hoxha: E njofton edhe Suedinë që mos ia merr shqiptarit ferro-kromin, se kapitalistë janë ata dhe, kur ua do interesi, lidhen me njëri-tjetrin.
Shoku Ramiz Alia: Posi, dhe kështu të bllokon. Prandaj këtu ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të mos harxhojmë para kot, se një gjë e tillë është e rrezikshme, sjell dëme. Edhe italiani këtë propozonte: i bëni dolomitet të kalcinuara, për magnezitin kështu, për kuarcin po kështu e të tjera e të tjera. Mirëpo kjo të lidh duart.
Shoku Enver Hoxha: Çështja është këtu që ai nuk të merr hekur-nikel ose nikel-silikat, po e do të përpunuar.
Shoku Ramiz Alia: E, po këtu është puna.
Shoku Enver Hoxha: S’kam teknologji, do t’i thuash ti. Ai është gati, pa hapur ti gojën, të të thotë ta jap unë teknologjinë.
Shoku Ramiz Alia: Po, po, është gati përnjëherë ta bëjë një gjë të tillë. Jua jap linjën, - tha italiani, - që të prodhoni më shumë kuarcit, rëra etj.
Shoku Enver Hoxha: Ta sjell e ta bëj unë linjën e nevojshme, - thotë ai.
Shoku Ramiz Alia: Dhe e bëri propozimin ai për këtë gjë, shoku Enver.
Shoku Vangjel Çërrava: Po, deri në 10 mijë tonë merr ai, ndërsa ne prodhojmë 600 mijë tonë krom.
Shoku Enver Hoxha: Nxirre atë ti, shqiptar, - thotë ai. - Po nuk e nxjerr dot, - i themi ne. - Atëherë të jap unë mundësi, - përgjigjet ai.
Shoku Ramiz Alia: Ja pra është një tendencë e këtillë te këta të huajt, prandaj duhet me pas shumë, shumë kujdes, nga ana jonë.
Shoku Enver Hoxha: Po, po, drejt.
Shoku Vangjel Çërrava: Se japonezët këtë kishin thënë që kromin që marrin nga ne e përdorin si përzierës për krome të tjerë.
Shoku Enver Hoxha: Po mirë japonezët blejnë krom nga ne?
Shoku Vangjel Çërrava: Ata krom shqiptar marrin, shoku Enver, po e marrin nga të tjerët, nga të tretë.
Shoku Enver Hoxha: A! Po pse nuk e marrin nga ne?
Shoku Vangjel Çërrava: Ja, këtë punë nuk na e zgjidhën shokët që shkuan në Japoni për të parë uzinat e ferro-kromit. Vërtet ata shkuan atje për uzinat, por njëri prej tyre ishte i Tregtisë, prandaj e kritikuam rëndë dhe me shokun Adil. I thamë që ti e di gjendjen e kromit te ne dhe, kur japonezi të kërkoi, pse nuk na pyete ç’të bënit? Tani duhet të presim të vijnë ata në Tiranë prapë që të bisedojmë për këtë punë.
Shoku Enver Hoxha: Nuk venë dhe si duhet të përgatitur shokët tanë. Të vesh të shikosh një fabrikë ferro-kromi, mund të vesh dhe është mirë të vesh, po rëndësi ka që të shesim kromin që kemi. Për këtë duhet menduar në radhë të parë.
Shoku Ramiz Alia: Kuptohet është më mirë ta shesim krom mineralin tonë, se sa ta bëjmë ferro-krom.
Shoku Enver Hoxha: Natyrisht, ferro-kromi ka çmim më të lartë, por aty-aty është dhe ne duhet të bëjmë bilancin, cila na intereson më shumë.
Shoku Ramiz Alia: E ka çmimin më të lartë, shoku Enver, por po na ndodh një gjë, në bilancin konkret tani shpenzojmë më shumë dhe marrim më pak.
Shoku Enver Hoxha: A, jo, kështu jo. Ja dhe në planin e vitit 1984, sido që janë lënë disa vepra, ka parashikime shumë të gabuara për kombinatin e tekstileve të Beratit. Shokët e filaturës dhe ata të tjerët kërkojnë gati dyfishin e fondeve për një ndryshim. Ne kemi menduar pesë milionë lekë në valutë, kurse ata shënojnë dhjetë milionë. Për këtë unë bëra edhe një shënim në materialin që lexova.
Shoku Ramiz Alia: Po, po, është rritur shumë atje.
Shoku Enver Hoxha: Dhe në një vend tjetër po kështu. Po mirë, në qoftë se i bëjmë kështu parashikimet që edhe ferro-kromi të na kushtojë më tepër, atëherë ç’leverdi kemi?
Shoku Ramiz Alia: Na kushton më shumë, shoku Enver. Qirjakoja ma tha këtë.
Shoku Vangjel Çërrava: Unë e di që kemi akoma një fitim prej dhjetë deri në njëzetë dollarë për ton.
Shoku Ramiz Alia: Nuk e di, por Qirjakoja kështu më tha.
Shoku Vangjel Çërrava: Ferro-kromin e shesim 420-430 dollarë, ndërsa kostoja e prodhimit është 400 dollarë.
Shoku Enver Hoxha: Po pse kaq është kostoja? Për arsye të teknologjisë që përdorim, të harxhimit të energjisë elektrike më tepër se ç’duhet, apo të diçkaje tjetër?
Shoku Vangjel Çërrava: Si kosto, shoku Enver, neve kaq na ka dalë dhe përpara, po e kemi shitur me çmim më të lartë, 500 deri me 550 dollarë tonin, ndërsa tani çmimi ka rënë. Edhe si kosto ka një farë uljeje dhe kjo është tendenca.
Shoku Ramiz Alia: Po, ka rëndë çmimi shumë. Sidoqoftë është problemi që ai tjetri të ka në dorë, ne s’kemi ç’e bëjmë ferro-kromin.
Shoku Enver Hoxha: Situatat janë të tilla, shokë, se e shikoni ç’ngjet në gjirin e Tregut të Përbashkët Evropian lidhur me çelikun? Italisë ia ulin gjysmë për gjysmë prodhimin e saj. Pra e ndalojnë të prodhojë, mos prodho ti, - i thonë. Dhe këtu është fjala për sasi të mëdha prodhimi, me pasoja të rënda edhe në drejtime të tjera.
Shoku Ramiz Alia: Kështu është. Më pak kërkesa ka edhe për lëndë të parë.
Shoku Enver Hoxha: Pra vijmë tani këtu, te kërkesa për më pak lëndë të para, se të mbyll metalurgjinë ai.
Shoku Ramiz Alia: Kështu është. Prandaj edhe orientimi ynë duhet të jetë më shumë tek zhvillimi i sektorit të naftës.
Shoku Enver Hoxha: Po, po, nafta është sektori tek i cili duhet të rritim vëmendjen tonë.
Shoku Ramiz Alia: nafta, energjia, është sot gjë e madhe.
Shoku Vangjel Çërrava: Bota për energji gjithnjë do të ketë nevojë, gjithnjë do të ketë kërkesa, se ajo do të mungojë.
Shoku Enver Hoxha: Ashtu është, ajo do të mungojë gjithnjë.
E more programin e festës së 10 korrikut, Ramiz?
Shoku Ramiz Alia: Po, shoku Enver, po jua them konkretisht. Më datë 8 korrik është manifestimi në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Më datën 9 është mbrëmja solemne dhe më datën 10 është parakalimi dhe dekorimet në Shkollën e Bashkuar.
Shoku Enver Hoxha: Këto të tria janë?
Shoku Ramiz Alia: Këto të tria ku do të jeni edhe ju, shoku Enver. Pastaj disa aktivitete të tjera fillojnë që sot.
Shoku Enver Hoxha: Pra më 8, 9 e 10 korrik, pastaj unë iki.
Shoku Ramiz Alia: Po, shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Tani një çështje tjetër, Ramiz. Mirë do të jetë që ta takoj që këtu Zhoao Amazonën.
Shoku Ramiz Alia: Ai, shoku Enver, vjen më datë 6 korrik, ditën e mërkurë.
Shoku Enver Hoxha: Mirë. Po do të kesh kohë ti ta takosh atë më përpara, se edhe ti je i zënë?
Shoku Ramiz Alia: Puna është për ju, shoku Enver, se unë e pres atë menjëherë.
Shoku Enver Hoxha: Sa kohë do të rrijë Amazona këtu?
Shoku Ramiz Alia: Besoj se do të rrijë shumë ditë. Unë them kështu, shoku Enver, ditën e mërkurë që vjen ai, domethënë më datën 6, unë po dal ta pres atë në aeroport. Është mirë ta pres atë atje.
Shoku Enver Hoxha: Ashtu është. Dil e prite në aeroport.
Shoku Ramiz Alia: Kështu që do ta marr vesh që atë ditë si e ka planin, sa do të qëndrojë e sa nuk do të qëndrojë. Në qoftë se ai do të qëndrojë shumë, takimi me ju mund të bëhet edhe më vonë.
Shoku Enver Hoxha: Posi, dakord.
Shoku Ramiz Alia: Në qoftë se ai nuk do të qëndrojë shumë, ose do të ikë, ta zëmë, në kohën që ju nuk do të jeni këtu, mund ta takoni, fundi i fundit për një vizitë kështu shoqërore që të nesërmen e mbërritjes, domethënë që ditën e enjte, më 7 korrik, po, siç thashë, në një takim pa shumë angazhime.
Shoku Enver Hoxha: E takojmë tok.
Shoku Ramiz Alia: E takojmë bashkë, por pa hyrë në problemet që do të diskutojmë me të më vonë.
Shoku Enver Hoxha: Jo, jo, ashtu bëjmë. Një bisedë shoqërore, mirë se erdhët, si jeni, si shkoni etj., etj.
Shoku Ramiz Alia: Kështu mendoj edhe unë dhe ia kaloni duke i thënë ja, me Ramizin do të bisedoni për çështje të tjera që u interesojnë dy partive tona etj. Pra të jetë një takim protokollar, kortezie.
Shoku Enver Hoxha: Mirë. Ashtu të bëhet. Tjetër gjë kemi?
Shoku Ramiz Alia: S’ka ndonjë problem me rëndësi, shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Po mirë atëherë, mirupafshim.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)