Armik, armik i përbetuar, koleg i partisë…
Konrad Adenauer, kancelar legjendar gjerman, i cili pas horrorit nazist e integroi Gjermaninë Perëndimore në strukturat euro-atlantike, mendohet të ketë përshkruar me tri fjalë shkallët e armiqësisë në betejat politike. Sipas tij, ekzistojnë tre lloje armiqsh: armiku i thjeshtë, armiku i përbetuar dhe kolegu i partisë. Domethënë: më të rrezikshëm se armiqtë e jashtëm, janë ata të brendshmit, brendapartiakët. Këta janë të paparashikueshëm, ata të jashtmit kryesisht janë të parashikueshëm.
Në këtë kontekst, m’u kujtua Kongresi i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) në Mannheim në vitin 1995. Kryetari i Partisë Rudolf Scharping kandidonte edhe për një mandat. Nuk ishte i popullarizuar. Partia kishte humbur zgjedhjet kundër Helmut Kohlit më 1994. Scharping shkoi në Kongres i bindur në fitore. Kundërkandidat zyrtar nuk kishte. Por para se të fillonte Kongresi, kryeminstri i landit Saarland, Oskar Lafontaine, e njoftoi Scharpingun se e kishte ndërmend të kandidonte. Scharping doli në foltore, tregoi se kishte një kundërkandidat. Ai quhej Oskar Lafontaine. Pasoi një habi e madhe në sallë, shoqëruar edhe me duatrokitje nga përkrahësit e Lafontaine. Fjalimi i Scharpingut nuk pati efekt të madh. Lafontaine, një popullist i talentuar, ndezi sallën. Nisi votimi. Dhe siç ishte paralajmëruar nga duartrokitjet, fitoi Lafontaine. Scharping pranoi humbjen, u ankua se rivali i tij i kishte shkaktuar shumë plagë, por tha se tani duhet të punonin bashkë sepse kishin një detyrë më të madhe se ata vetë.
Ish-kancelari Helmut Schmidt ishte duke shkuar me veturë në Kongresin e partisë së tij, kur dëgjoi në radio për zgjedhjen e Lafontaine, me të cilin ndante një përbuzje të dyanshme. Schmidt doli nga autostrada dhe u kthye në shtëpi.
Lafontaine e ngjalli partinë, sidomos me premtimet e tij për t’u kthyer te agjenda më e majtë. Më 1998 SPD (bashkë me të Gjelbrit) e rrëzoi Helmut Kohlin nga pushteti, pas 16 vitesh. Lafontaine u bë ministër financash në qeverinë e kancelarit Gerhard Schröder. Pak ditë para se NATO të fillonte bombardimin e Serbisë, Lafontaine tha dorëheqje (edhe për shkak se kundërshtonte ndërhyrjen, por s’pajtohej edhe me politikat ekonomike të qeverisë të cilat, sipas tij, nuk ishin mjaft të majta). Lafontaine vazhdoi rrugëtimin në partinë pasardhëse të komunistëve gjermanolindorë (Die Linke), në fund iku edhe nga aty dhe përfundoi në një parti të themeluar nga gruaja e tij, e njohur për qëndrime mirëkuptuese ndaj Kremlinit. Fatmirësisht, në zgjedhjet e fundit kjo parti (BSW) nuk arriti të hyjë në parlamentin gjerman.
PS. Se për pak harrova: ish-kancelari Schröder përfundoi si argat i Putinit, i cili me miliardat e tij nga gazi e nafta arriti të fusë në xhep edhe politikanë konservatorë. Nën kancelaren Merkel u ndërtua gazsjellësi Nord Stream, përkundër protestave amerikane dhe të europiano-lindorëve.
Komente







