Nga stacioni i trenit Punt Muragl deri në Muottas Muragl mund të ngjitesh me një tren special, që në gjermanisht quhet Standseilbahn, e që në shqip herë quhet funikular (duke u bazuar nga gjuhët e tjera) e herë një tren me zinxhirë ose me kabllo. Muottas Muragl gjendet në 2456 metra lartësi mbidetare.

Kjo hekurudhë që ngjitet shpatit është ndërtuar mes viteve 1905-1907. Nga këtu shihen tri liqene: i Silsit, i Silvaplanës dhe ai i Sankt Moritzit. Në dimër liqenet kryesisht janë të ngrira. Ndërkaq, rreth e rrotull shihen disa maja impozante: Piz Rosatsch (3123 metra), pak më larg Piz Tschierva (3546 metra?, dhe pas tyre maja Piz Bernina (4049 metra). Kjo është njëkohësisht maja më e lartë e Engadinit.

Në fillim jo të gjithë njerëzve u pëlqente që në majën Muottas Muragl mund të ngjiteshe me tren. Në shkurt të vitit 1907, një zviceran me emrin Simon Jenatsch erdhi me çekan, lëndë djegëse e mjete të tjera dhe me qëllim që ta hidhte në erë hekurudhën. Ai donte ta ruante natyrën të paprekur, jo të nënshtruar nga teknika. Këtu lart gjendet një restorant me hotel, i cili ka 16 dhoma.

Këtu fillon edhe ecja nëpër borë, nëpër të ashtuquajturin “Shtegu i Filozofëve”, i shoqëruar me tabela me citate të filozofëve dhe shkrimtarëve të ndryshëm. Për shembull, Arthur Schopenhauer, i cili thotë: “Ekziston vetëm një forcë shëruese, dhe kjo është natyra”. Ose filozofi Friedrich Nietzsche, i cili thotë se në natyrë ndihemi mirë sepse ajo nuk na gjykon. Këtu afër në Sils Maria, ai ka kaluar disa vera, dhe mes tjerash ka thënë se Engadini e ka kthyer në jetë.

Në këtë panoramë fantastike ka gjetur inspirim edhe piktori i njohur zviceran Giovanni Segantini. Këtu afër gjendet edhe maja Schafberg (Kodra e Deles). Mbi këtë kodër qëndron krenare një kasolle që mban emrin e piktorit. Këtu Segantini ka kërkuar inspirim dhe është magjepsur me dritën e Engadinit. Pika më e lartë e shtegut është mbi liqenin e vogël dhe të ngrirë Lej Muragl, në 2715 metra. Këtu shquhet porosia e filozofit Immanuel Kant, i cili thotë: “Bëj atë që të bën të denjë për të qenë i lumtur”.

Me këtë rajon ka qenë e fascinuar edhe shkrimtarja dhe feministja e njohur zvicerane, Annemarie Schwarzenbach, e cila thotë se Engadini gjendet në 1800 metra lartësi, por kjo nuk është aq e rëndësishme. Më e rëndësishme, sipas saj, është qasja e kësaj zone drejt jugut, drejt trevave të Italisë. Kjo lidhje e Engadinit me dritën jugore dhe me një farë athtësie veriore, i jep Engadinit këtë magjepsje të papërsëritshme. Annemarie Schwarzenbach ishte vajza e fabrikantit të mëndafshit, Alfred Schwarzenbach. Ajo është rritur afër liqenit të Zürichut, pastaj ka ndjekur një institut vajzash në Unterengadin (Engadinin e Poshtëm) dhe ka mbaruar maturën në qytetin e Churit.

Ndërkaq, disertacioni i doktoraturës së saj, të cilin ajo e dorëzoi pas studimeve të historisë në Zürich dhe Paris, ka të bëjë me Engadinin e Epërm (Oberengadin). Po ashtu, edhe novela e saj e botuar pas vdekjes, “Të shohësh një grua”. Schwarzenbach është një grua me biografi të bujshme, një figurë kulti e bohemisë, antifashiste e pakompromis, e rritur në një familje që pak a shumë kishte simpati për Hitlerin. Një grua që mbijetoi disa tentime për vetëvrasje, që eksperimentoi me droga dhe që nuk u ndal gati kurrë duke udhëtuar nëpër Evropë, Orient, SHBA, Afrikë (për shembull ajo arriti deri në Kongo).

Në vitin 1939, Schwarzenbach bashkë me gazetaren zvicerane Ella Maillart, u nis me një veturë Ford Deluxe Cabrio nga Gjeneva për në Afganistan, duke kaluar nëpër Ballkan. Këto udhëtime ajo i dokumentoi jo vetëm nëpërmjet shkrimeve, por edhe nëpërmjet fotografive. Schwarzenbach ka thënë se qëllimi i udhëtimeve të saj ka qenë të njohë brendinë e vendeve dhe t’i dojë ato sinqerisht, në mënyrë që të jetë në gjendje t’i përshkruajë për njerëzit e tjerë. Më 7 shtator 1942, Annemarie Schwarzenbach u përfshi në një aksident me biçikletë në Engadinit dhe dy muaj më vonë vdiq nga pasojat e këtij aksidenti; ishte vetëm 34 vjeçe.

Një atdhe i përkohshëm ka qenë Engadini edhe për shkrimtarin e famshëm Hermann Hesse. Hesse ishte nobelist i letërsisë. Edhe nobelisti tjetër i letërsisë Thomas Mann ka kaluar mjaft kohë në Engadin. Dhe kjo vërehet edhe në veprat e tij letrare. E tepërt të thuhet, por megjithatë: kush e kalon këtë shteg në Muottas Muragl filozof nuk bëhet, për këtë nuk duhen pasur iluzione, por megjithatë në fund të ditës, pas nja 5 orë ecjeje, një ndjenjë e madhe lumturie të shoqëron në çdo hap drejt trenit. Dhe më tutje.