Prezantimi i dronëve që na qenkan prodhuar nga dy kompani prej Gjilanit, më saktë, me seli buzë lumit Morava, nëpër të cilin rrjedh ujë kristal i pastër (ndërkohë që lumi është i mbushur me bërllok), ma kujtoi historinë e Victor Lustigut. I lindur në Çekinë e sotme më 1890, në një familje hungarezo-austriake, ai u bë i njohur si mashtrues, batakçi dhe bixhozçi. Më 1920, Lustig shkoi në SHBA dhe u prezantua si “Konti Victor Lustig”, ku u pasurua mjaftueshëm duke shitur hekurishte e duke rrëzuar shtëpi të vjetra.
Më 1925, Lustig vajti në Paris dhe gjëja e parë që i ra në sy ishin titujt e gazetave ku shtrohej dilema nëse Kulla e Ajfelit (Eiffel) duhej shembur, apo duhej lyer me 66 tonë bojë (proces që duhej bërë çdo shtatë vjet). Lustigut i shkrepi një ide: i ftoi gjashtë tregtarë hekurishtesh për një bisedë sekrete në Hôtel de Crillon të Parisit. Pika e vetme e rendit të ditës ishte: shitja e Kullës së Ajfelit.
Si mashtrues i sprovuar, ai i porositi blerësit e mundshëm që të mos flisnin për këtë pazar, pasi gjoja nuk donte të shkaktonte bujë në qytet. Lustig u hoq si i autorizuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Postës për të kryer procedurat e shitjes. I mori blerësit me vete te kulla; ata e shikuan dhe nisën të kalkulonin fitimin nga shitja e 7300 tonëve çelik.
Lustig ia vuri syrin André Poissonit, një blerësi të ri në biznes, ambicioz dhe naiv. Pasi u veçuan nga të tjerët, Lustig i bëri ofertën finale. Edhe pse gruaja e Poissonit shfaqi dyshime, Lustig arriti ta qetësojë duke u shtirur si një zyrtar shteti me rrogë të ulët që priste diçka nën dorë. Duke sinjalizuar se ishte i korruptueshëm, ai e bindi Poissonin, i cili nuk ngurroi t’i jepte dy zarfe: njërin me ryshfet dhe tjetrin për blerjen e kullës.
I lumtur për blerjen e monumentit të Parisit, Poisson shkoi në Bashki për ta legalizuar kontratën e tij të rreme. Atje askush nuk dinte gjë; zyrtarët nuk dinin nëse duhej të qeshnin apo të qanin me marrëzinë e tij. Ndërkohë, Victor Lustig kishte marrë trenin drejt Vjenës.
Duket se qeverisë së Kosovës, më 2026, i munguan zyrtarët e vullnetshëm për të zbuluar mashtruesit. Bashkia e Parisit, të paktën, nuk e pati këtë problem më 1925.
Komente









