Enver Robelli: Pleqtë e Putinit

Enver Robelli: Pleqtë e Putinit

Ka njerëz që nuk mund ta pranojnë humbjen e rëndësisë. Politikanët që kanë humbur zgjedhjet ose janë larguar nga politika dhe duan të na bindin se sa mirë kanë qeverisur - këta politikanë janë monoton. Ashtu si gazetarët e vjetër që japin leksione se si ka qenë gazetaria dikur janë monotonë - sigurisht që askush nuk i kërkon leksionet. 

Ditë më parë, Gerhard Schröder, ish kancelari socialdemokrat i Gjermanisë, ka qëndruar në një hotel luksoz në Cyrih. I ftuar nga një publicist zviceran i krahut të djathtë, Schröder ndau me publikun mendimet e tij për gjendjen e botës. Për ta shkurtuar: Schröder tha se demokratët amerikanë nuk kanë ndërmend të ndalojnë luftën në Ukrainë, këtë, sipas tij, e bën vetëm Donald Trump. Schröder gëzon epitetin aspak lajkatar si fans i Putinit, për këta njerëz në Gjermani është shpikur një fjalë e re: "Putinversteher", (mirëkuptim) i Vladimir Putinit.

Si i tillë, Schröder, 80 vjeç, lavdëron Trump me shpresën se Putini do ta ketë më të lehtë me të për të gjetur një "zgjidhje" për Ukrainën sesa, të themi, një politikane si Kamala Harris. Tendenca e socialdemokratëve joparimorë si puna e Shroderit është dashakeqe: ata e trajtojnë viktimën (Ukrainë) dhe agresorin (Rusinë) njësoj ose - edhe më keq - fajësojnë Ukrainën, e cila "nuk bën kompromise". E përkthyer në një gjuhë të kuptueshme, kjo do të thotë: Ukraina i nënshtrohet diktatit rus, në mënyrë që socialdemokratët e shampanjës dhe haviarit të mund të kthehen në biznes me Putinin. 

Günter Verheugen, një tjetër socialdemokrat i shquar 80-vjeçar, nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur antiamerikanizmin e tij. Në një intervistë për gazetën “Die Welt”, ai përhapi përrallën se Perëndimi mashtroi Mikhail Gorbaçovin në fillim të viteve '90, duke i premtuar atij se NATO nuk do të zgjerohej në Evropën Lindore. Nuk ka asnjë provë të shkruar që Perëndimi e ka bërë këtë premtim, por Verheugen nuk shqetësohet as për faktet, as për arkivat. Sipas tij, nuk është Rusia ajo që po zgjeron sferat e interesit në Evropën Lindore, por “jemi ne”, pra Perëndimi.

Nga kjo qasje e Verheugen-it buron një arrogancë e paparë ndaj popujve të Evropës Lindore, ndaj shteteve baltike, polakëve, çekëve e të tjerëve, të cilëve u mohohet e drejta bazë për politikë të pavarur në drejtim të krijimit të aleancave. Ishin këto vende që kërkuan anëtarësimin në NATO dhe jo anasjelltas - dhe kërkesat e tyre ishin legjitime, sepse ata nuk duan të jenë koloni ruse siç ishin pas 1945 për më shumë se 4 dekada. Verheugen ka qenë ndër të tjera komisioner për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në një linjë me Schröder dhe Verheugen qëndron edhe Klaus von Dohnanyi, ish-kryetar social demokrat i qytetit të Hamburgut dhe ish-sekretar i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane gjatë Luftës së Ftohtë. Në deklaratat e tij publike, Von Dohnanyi nuk e konsideron Ukrainën një shtet sovran, ai e bën Perëndimin bashkëpunëtor për luftën në Ukrainë dhe të gjitha pozicionet e tij janë të ndotura me një dozë antiamerikanizmi. Në librat e tij, Von Dohnanyi thekson se politika e jashtme e bazuar në vlera duhet të braktiset. Sipas tij, interesat kombëtare janë parësore. Von Dohnanyi i quan të paefektshme sanksionet kundër shteteve diktatoriale. Klaus von Dohnany është 96 vjeç.

Ndërmjet viteve 1976-1981, Von Dohnanyi ishte sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme gjermane. Në atë kohë shërbimi sekret jugosllav vrau dhjetëra emigrantë politikë në Gjermani, duke sulmuar kështu në mënyrë flagrante sovranitetin e shtetit gjerman. Von Dohnanyi i përkiste grupit të politikanëve gjermanë që trajtuan me kujdes diktatorin jugosllav Josip Broz Tito. Në vitin 2014, kur Kroacia u detyrua nga Gjermania të ekstradonte udbashët Josip Perkovic dhe Zdravko Mustaq, Von Dohnanyi u thirr si dëshmitar në gjyqin e mbajtur në Mynih.

Perkovic dhe Mustaq u akuzuan për organizimin e vrasjes së disidentit kroat Stjepan Gjurekovic, i cili ishte arratisur nga Jugosllavia në vitin 1982 dhe u vra pranë Mynihut vitin e ardhshëm. Von Dohnanyi pranoi se politika e atëhershme gjermane ndaj Jugosllavisë ishte një "politikë e duarve të pista". Perkovic dhe Mustaq u dënuan me burgim të përjetshëm. Kjo u bë falë këmbënguljes së drejtësisë gjermane. Një këmbëngulje që mungon në kapjen dhe ndëshkimin e vrasësve të emigrantëve politikë nga Kosova (Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla), të vrarë në vitin 1982. 

Von Dohnanyi ka të ngjarë të ishte një burim interesant informacioni nëse një ditë do të fillonte një gjykim për rastin "Gërvalla & Zeka". Këmbëngulja e palës gjermane për të ndëshkuar vrasësit e Gjurekoviçit lidhet ndoshta me faktin se, sipas dëshmive, ai ka qenë bashkëpunëtor i shërbimit sekret gjerman (BND).

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në SHBA/ Trump: Po behen hille në Pensilvani dhe Filadefia

Zgjedhjet në SHBA/ Trump: Po behen hille në Pensilvani dhe Filadefia