Enver Robelli: Urrejtësi i myslimanëve goditi me metoda të fanatikëve islamistë

Enver Robelli: Urrejtësi i myslimanëve goditi me metoda të fanatikëve islamistë

Tregu i Krishtlindjes në Magdeburg, Gjermani

Disa shqiptarë që e quajnë veten “myslimanë të vërtetë” po e manifestojnë lehtësinë e tyre që sulmuesi në Magdeburg të Gjermani nuk doli të jetë fanatik mysliman, por një arab që urrente islamin, simpatizonte të djathtën ekstreme dhe shpërndante në rrjete sociale lloj-lloj çervish-teorish. Të ashtuquajturit “myslimanët e vërtetë” kanë të drejtë të jetë të lehtësuar. 

Eksperti gjerman i sigurisë Peter K. Neumann shkroi pas sulmit të së premtes në Magdeburg: “Pas 25 vitesh në këtë ‘biznes’, ta merr mendja se asgjë nuk mund të të habisë më. Por një ish-mysliman saudit 50-vjeçar, që jeton në Gjermaninë lindore, e pëlqen (partinë djathtiste) AfD dhe dëshiron ta ndëshkojë Gjermaninë për tolerancën e saj ndaj islamistëve - këtë me të vërtetë nuk e kisha parashikuar”. 

Fakt është se, sipas Neumann, një urrejtës i islamit përdori metodat e terroristëve islamistë për të vrarë njerëz të pafajshëm. Sulmi ndodhi pak ditë para Krishtlindjeve - në një treg Krishtlindjesh. Tregjet e tilla kanë qenë edhe më herët cak fanatikësh islamistë.

Sulmi kriminal në Magdeburg nuk mund të zhbëjë faktet se islamistët paraqesin një rrezik të madh për sigurinë në qytetet perëndimore, e sidomos në Gjermani. Këtë e tregojnë shembujt e mëposhtëm:

Mannheim, maj 2024: në sheshin e tregut të Mannheimit, një burrë me një thikë gjuetie sulmon organizatorët e një tubimi kritik ndaj islamit. Sulaiman A., me origjinë nga Afganistani, lëndon disa persona gjatë këtij sulmi. Pas një përleshjeje, ai godet me thikë edhe policin Rouven L., i cili kishte ardhur me shpejtësi në vendngjarje. Dy ditë më vonë, polici ndërron jetë në spital për shkak të plagëve të rënda. Prokurori e cilëson veprën si të motivuar fetarisht.

Duisburg, prill 2022: siriani Maan D. vret një kalimtar në qendër të qytetit të Duisburgut duke e goditur disa herë me thikë. Pastaj arratiset. Pas nëntë ditësh, ai sulmon pa dallim disa burra në një palestër, duke i plagosur rëndë. Prokuroria Federale gjermane e akuzon atë për vrasje dhe tentativë për vrasje. Gjykata e Lartë e Düsseldorfit e dënon atë me burgim të përjetshëm. Gjatë procesit, Maan D. pranoi se ishte mbështetës i “Shtetit Islamik”.

Dresden, tetor 2020: në qendër të qytetit të Dresdenit, një burrë sulmon me thikë dy turistë homoseksualë. Një 55-vjeçar vdes më vonë në spital, ndërsa shoqëruesi i tij 53-vjeçar mbijeton me plagë të rënda. Pak kohë më vonë, arrestohet një sirian 20-vjeçar. Ky i ri kishte precedentë penalë. Në vitin 2018, Gjykata e Lartë e Dresdenit e kishte dënuar atë, ndër të tjera, për rekrutim të anëtarëve dhe mbështetësve të një organizate terroriste jashtë vendit. Ai konsiderohej person i rrezikshëm dhe ishte nën mbikëqyrje pas lirimit nga burgu. Për sulmin me thikë, ai është dënuar me burgim të përjetshëm.

Hamburg, korrik 2017: në një supermarket, 26-vjeçari Ahmad A. vret me thikë një burrë dhe plagos rëndë disa persona të tjerë. Kalimtarët ndjekin autorin dhe arrijnë ta neutralizojnë atë. Prokurori i Përgjithshëm Federal ka ngritur akuzë ndaj Ahmad A., i cili kishte prirje radikal-islamike. Ndërkohë, Ahmad A. është dënuar për vrasje.

Berlin, 19 dhjetor 2016: pak pas orës 20:00, një kamion përplaset me shpejtësi në Tregun e Krishtlindjeve në Breitscheidplatz. Gjatë sulmit humbin jetën njëmbëdhjetë persona dhe më shumë se 50 të tjerë plagosen, disa prej tyre rëndë. Në karrigen e pasagjerit, hetuesit gjejnë viktimën e dymbëdhjetë, ishte shoferi i kamionit, një polak. Autori i sulmit, tuniziani Anis Amri, fillimisht arratiset pa u identifikuar, por më vonë shpallet publikisht në kërkim. Arratisja e Amrit përfundon tre ditë e gjysmë më vonë në Italinë e Veriut, ku ai vritet gjatë një shkëmbimi zjarri me një polic italian. Pas ngjarjes, platforma propagandistike e ISIS-it, Amak, publikoi një video ku shihet Amri duke u betuar për besnikëri ndaj liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Bagdadi.

Ansbach, korrik 2016: një 27-vjeçar sirian hedh veten në ajër në Ansbach të landit të Bavarisë. Ai kishte tentuar të hynte në një festival muzikor, por nuk ishte lejuar. Pastaj aktivizoi eksplozivin pranë arkës dhe plagosi 15 persona. Ai vetë humbi jetën. Deri pak para sulmit, ai thuhet se kishte qenë në kontakt me të ashtuquajturin ISIS. Më vonë, hetuesit gjejnë në këtë pajisje një video ku ai deklaron besnikërinë ndaj organizatës terroriste.

Ëürzburg, korrik 2016: në një tren rajonal afër Ëürzburgut, një i ri sulmon udhëtarët me sëpatë dhe thikë. Ai plagos katër turistë nga Hong Kongu, dy prej tyre pësojnë lëndime të rënda. Autori i sulmit arratiset dhe më vonë sulmon një njësi speciale të policisë bavareze. Oficerët e qëllojnë për vdekje. Autori i sulmit ishte refugjat. Me rastin e hyrjes në Gjermani, ai kishte deklaruar se ishte 17 vjeç dhe se vinte nga Afganistani. Pak pas ngjarjes, në internet qarkulloi një video nëpërmjet së cilës ai merr përgjegjësinë për sulmin. Videon e publikon ISIS-i.

Hannover, shkurt 2016: gjatë një kontrolli personash në stacionin qendror të trenit në Hannover, 15-vjeçarja gjermano-marokene Safia S. nxjerr papritur një thikë dhe plagos rëndë një oficer të policisë federale. Sipas Prokurorisë Federale, ajo ishte bindur nga anëtarë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS) që të kryente një “operacion martirësh” në Gjermani. Në janar 2017, një gjykatë gjermane e dënoi Safia S. për tentativë vrasjeje dhe mbështetje të një organizate terroriste me gjashtë vite burgim për të rinj./Koha

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 24/12/2024 20:34

    Hë se mysliman ishte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë