Po nga kjo letër një detaj me interes shënohet në fund të saj, ndërsa Hoxha porosit Gogo Nushin të nisë një korrespodencë për në Gjirokastër. Ai i thekson të ketë kujdes me një zarf të shqyer, për të cilin duhet ti thonë “Inglezit” se i ishte hapur korrierit në xhep.. Duket qartë që letra që do ti dorëzohej britanikut (nuk përmendet emri) ishte hapur më parë dhe lexuar nga komanda e Shtabit të Përgjithshëm.
Ndërsa letra e dytë rendit një varg çështjes si organizative (çështje furnizimesh me ushqime apo veshje) çështje partiake (mbi kërkesa të veçanta për kuadro dhe vijën e propagandës dhe shtypit) apo edhe çështje të veçanta si vrasja e disa xhandarëve dhe sulmi ndaj pallatit mbretëror ku ishin mbledhur siç e cilëson hoxha “baballarët” dhe shëtisnin tufa tufa në kopshtet e pallatit....
Edhe në këtë letër nuk mungojnë këshillat për të pasur kujdes nga veprimtaria e grupazheve, sidomos ata të grupit të Zjarrit, që Hoxha i cilëson vazhdimisht si “zjarristët”.
Letra e parë
I dashuri shok Hysen (Gogo Nushi),
Ju kemi shkruar dhe tjetër herë kur ju çojmë ndo një letrë për të dërguar në krahina, të na lajmëroni në i nisët. Dëshërojmë të dim këtë gjë pse andej na shkruajn dhe na kërkojnë po ato sende për të cilat ju jemi përgjegjur një herë. E merni në shënim këtë punë dhe mos haroni ta zbatoni se na lehtëson shumë punë.
Për punën e shokëve që keni zgjedhur dhe keni në dispozicion për terrene të ndryshme, fare mirë, por gjëja më e para duhet të na tregoni kush janë këta shokë dhe gjëja më kryesore, cilësitë e tyre dhe kualitetet e ndryshme me hollësi. Këjo vlen. Se s’besojmë që shokët që keni zgjedhur juve të jenë të gjithë të përsosur, në çdo vend që të kemi nevojë s’kemi përveç se të thresim një dhe ta vëmë në punë. Më kupton shohu Hysen, ata shokë s’janë kunguj, por janë njëzet shokë me kualitete të ndryshme që mund të shërbejnë në punë të ndryshme. Prandaj na çoni sa më parë sa ju kërkojmë;
Për çështjen e Beratit do të na bëni shumë mirë të mos na shkruani as gjë, pse organizata e Beratit ose më mirë udhëheqësit e Beratit janë të tërë rebelë. I kanë prerë lidhjet me ne dhe me Shtabin dhe kur do t’i lidhim këto penjë do t’i lyejmë ca me gjak. Prandaj s’jemi në gjendje t’ju japim as një informatë se ç’mutsira bëhen në Berat. Çdo gjë ngjet atje.
Të na përgjegjeni për sa ju kemi shkruar në letrën e fundit. Letrat mos na i çoni më në Pezë po t’i drejtoni në vendin e Baces.
Për njësitet veproni ashtu si dini juve por edhe një shumicë e madhe njësitesh s’na vëlejnë në qoftë se nuk sulmohen objektivet brenda në qytet. Juve mund t’i pakësoni dhe ata t’i dërgoni në Brigadën e tretë. Do t’ju lajmërohet drejtimi i Brigadës së Tretë.
Anëtarët e partis pasi të na keni dërguar emrat dhe cilësit e tyre ju lajmërojmë ne se ku t’i drejtoni. Letrat e jona këndojini mirë, jo përmëndësh, pse në rast se na pyesni ndonjë send dhe këtë e mbani në dispozicionin e jonë duhet të prisni udhëzimet e jona për të vepruar.
Këtë zarfin për në Gjirokastrë me të patur rastin e dërgoni, dhe për këtë të çjerën i thoni Gjirokastrës që kur t’ja dorëzojnë Inglezit t’i thonë që i është hapur kurierit në xhep.
Mustafa Gjinishit i thoni sa më parë të niset për në vendin e Baçes.
Këtë letrën ja çoni Bacës sa më parë.
Taras
Letra e dytë
I dashuri shok Hysen,
Letrat e tua me të vërtet i kam marë por porosit që ju keni bënë juve s’i keni përmbushur të gjitha. S’është nevoja më me kthye përgjegjen me letra, por duhet me i përmbush ato detyra. Si do qoftë po shohim më von rezultatet e letrave të tua tash po të përgjigjem pyetjeve të tua që ju kam dhënë dhe më parë përgjegje.
I- Për çështjen e organizimit të celulave me mëhallë neve nuk jemi të atij mendimi. Të mos bëhet as një ndryshim në organizimin po të vazhdohet të punohet si më parë. Tash s’është koha për organizimin me mëhalla.
II- Çështja e xhandarëve që ka vrarë brigada s’është as pak një arsye që t’ju alarmojë dhe Brigada ka pas fare të drejtë që t’i pushkatojë dhe ju keni gabuar që e keni hequr shënimin në komunikatë. Na duket se direktivat janë të kiarta për xhandarmërinë, pse keni ju dy tre miq jo personale, por të punës nuk mund të shtrembërohet direktiva. Prandaj mos e merni as pak punën në këtë mënyrë si e keni marë.
III- Ushqimet që keni porositur në Kosovë të drejtohen për në Elbasan dhe na dërgoni ne faturat t’u dërgojmë të hollat.
IV- Këpucët që mbenë pasi t’u jepni njëqind palë këtyre të Brigadës së III treqind palë i çoni në Brigadën e dytë në Elbasan dhe 100 palët që mbetën, i mbani për Brigadën e parë të cilat ju lajmërojmë ne se ku t’i çoni.
V- Radiot e famshme i çoni në çetën e Dajtit me porosi që t’i rezervojnë për ne dhe të mos i prishin si e kemi zakon ne që duhet t’i futim duart në çdo gjë.
VI- Këtu brenda po ju mbyll një numër çeqesh të italianëve prandaj, i thyeni me ndo një firmë fallco dhe të hollat na i çoni.
VII- Në gazetën Zëri i Popullit duhet të shtoni “Viti i II” që e keni haruar ta vini. Në lidhje me këtë komunikatat që po nxirni janë plot rrena si ato të italianëve o gjermanëve. Kush ja u jep ato komunikata të luftës së Arbonës. Më të mos veprohet kësisoj se do të diskreditoheni. Kini durim. Komunikata duhet t’ju vijë nga Komanda e Zonës ose e Shtabit tonë pastaj të shtypet.
VIII- Në vula që ju porositin të mos vini as gjë kafshë brenda, kur të vini ndonjë send ju lajmërojmë ne.
Këtë letrën ta çoni sa më parë në Shkodër dhe është shumë me rëndësi dhe urgjente prandaj të bëhet kujdesi më i madh.
Për aksionin që kërkuat ja u mbushëm dëshirën, se mjaft u qatë.
Njëzet predha i futëm pallatit dhe disa pozitioneve të baterive të armikut të cilën e goditi mu në vend ku ishte ngritur dhe i detyroj gjermanët të linin pozitat. Në Pallat ishin mbledhur “baballarët” dhe shëtisnin tufa tufa në kopshtet e pallatit. Kur ja futi me gjyle, baballarët u bënë lepura dhe automobilat e të shiturve si dhe pallati hangëri disa gjyle të mira. Këtë mund ta vini në Komunikat pa i shtuar të rrema. Mund t’i veshni petka të bukura, po pa shtuar si e kishit bënë të Arbonës sa që s’kishim vend ku të vinim materialin.
Për të famshmin A.P. mendojeni mirë pse kur na shkruan Deti Social Demokratët do të përpiqen të bëjnë dhe një “Parti Komuniste” mos kujtoni se do ta bëjnë me Xhepin por me miqt e tjerë. Mendojmë pak kur flasim dhe në se s’flasim kot dhe bazohemi në thëniet tuaja. Ju e rekomandoni të keq, ju ndroni mendim; ne qëndrojmë përsëri në mendimin e jonë. Allaversen të dalë e juaja.
Edhe disa fjalë për organizimin e celulave në bazë të mëhallave. Ju s’duhet me e mar vetëm çështjen ju s’duhet me e mar vetëm punën pse u zgjerua lëvizja. Është e vërtetë dhe ne shkojmë drejt asaj që propozoni ju, drejt organizimit me rajone por duhet të merni parasysh dhe një gjë që anëtarët e partis sonë s’janë në ate naltësin e duhur, ka edhe grupashë, ka dhe zjaristë. Si ta bëjmë organizimin me mëhallë, qëllon që në një mëhallë të grumbullohen gjithë zjaristat, o grupashët, o shumë të dobët në një mëhallë. Dhe këjo në vend që të na shpjerë përpara, do të na dëmtojë.
Për këto arsye nuk duhet të shpejtohemi. O bura zgjerojeni organizatën dhe celulën pa për punën që propozoni shohim më von. More vesh ti djali im. Shifni dhe një gjë tjetër, ju trima të mëdhenj, kur të merni erë që armiku do të fillojë goditjen dhe terrorin në qytet, t’i nxirni kuadrot e mira me një herë jashtë qytetit pse është më mirë që të rijë një kohë Tirana “rehat” nga ne se sa të na vriten kuadrot e mira të cilat janë shtylla e çështjes tonë.
Shoku i mirë Gogo, na duhen disa Komisarë, prandaj mendo ca dhe më shkruaj brenda tre dite, se për ndryshe do të japim urdhër që t’i marim vetë duke i zgjedhur ne. Unë kam menduar si zëvendës Komisar në Brigadën e Tretë Shokun Kile dhe Roshon si Komisar i Brigadës së II. Mendojeni këtë punë se brenda dy tre ditë dua përgjegje. Mos e merni punën duke thënë “Ç’thotë Tarasi kësisoj, si mund ta japim Roshon” etj. Shok duhet të dini se ç’rol do të lozin brigadat dhe ata shokë që do t’i drejtojnë këta natyrisht do t’i marim nga një vend.
Shumë të fala si ti dhe shokëve
Taras
Shkrimi u publikua sot (15.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)