Vetëm pak muaj pas largimit nga Shqipëria, ku u takua me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Ditmir Bushati, Princi Alwaleed bin Talal është arrestuar në Arabinë Saudite mbrëmjen e kaluar. Miliarderi Alwaleed bin Talal vizitoi Shqipërinë më 25 gusht, ku premtoi investime të mëdha në vendin tonë, kryesisht në fushën e turizmit, industrisë dhe infrastrukturës.

Por, deklaratat e tij për investime në Shqipëri duket se kanë mbetur një 'ëndërr në sirtar', pasi Princi ka rënë në pranga nën akuzën e korrupsionit. Ai u arrestua së bashku me 10 princër të tjerë dhe katër ministra e dhjetëra ish-ministra, pas një aksioni të gjerë nga organi i ri saudit anti-korrupsion.

I cilësuar si njeriu i 45-të më i pasur në botë, Princi miliarder zbarkoi në Durrës me jahtin e tij super luksoz më 25 gusht. Diskutimet mes tij dhe zyrtarëve shqiptarë u përqendruan në investimet e mundshme në fushën e turizmit, industrisë dhe infrastrukturës. NY Times shkruan se arrestimi i princit Alwaleed është i sigurt se do të dërgojë valë tronditëse si nëpërmjet Mbretërisë dhe qendrave të mëdha financiare në botë.

Ai kontrollon firmën e investimeve Kingdom Holding dhe është një nga burrat më të pasur në botë, që zotëron ose ka aksione të mëdha në News Corp, Citigroup, Twitter dhe shumë kompani të tjera të mirënjohura. Princi gjithashtu kontrollon rrjetet televizive satelitore të shikuara në të gjithë botën arabe. 

d.c./shqiptarja.com