Partia e Benjamin Netanyahut e ka krahasuar kryetarin e bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdanin, me liderët e Iranit dhe Hezbollahut në një poster për fushatën elektorale.
Posteri, i vendosur në qendër të Tel Avivit, paraqet Mamdanin së bashku me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, liderin suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, dhe kreun e grupit militant Hezbollah, Naim Qassem.
“Ata duan që Netanyahu të humbasë … Mos i lini të fitojnë”, thuhet në posterin që mban logon e partisë së djathtë të Netanyahut, Likud.
Netanyahu ka hyrë në fushatë elektorale për të mbajtur në pushtet koalicionin e tij të ekstremit të djathtë, pasi Knesset-i, parlamenti i Izraelit, u shpërbë në korrik, përpara zgjedhjeve të tetorit, të parat që nga sulmet e 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi.
Mamdani ka qenë një kritik i zëshëm i luftës së Izraelit në Gaza që nga fillimi i fushatës së tij për kryetar bashkie, por përplasja e tij verbale me Netanyahun u përshkallëzua muajin e kaluar, kur ai tha se lideri izraelit është një “kriminel lufte” që “duhej të ishte në Hagë”.
Kryebashkiaku i New York-ut gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve amerikane të zbatojnë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për arrestimin e Netanyahut, nëse ai merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në qytet në shtator.
Netanyahu u kundërpërgjigj duke e akuzuar Mamdanin se “nxit urrejtje” dhe se po i vë grupet e ndryshme fetare kundër njëri-tjetrit në qytetin e tij.
Ai tha gjithashtu se ishte i shqetësuar se mbështetja politike dikur dypartiake për Izraelin në SHBA ishte në rrezik për shkak të demokratëve progresistë të rreshtuar me Mamdanin. Megjithatë, sondazhet e fundit në SHBA kanë treguar se Mamdani është më i pëlqyer mes hebrenjve amerikanë sesa Netanyahu.
Sulmi ndaj Mamdanit vjen pasi kryeministri izraelit e përshkroi Mbretërinë e Bashkuar si “republika islamike e Britanisë” në një intervistë për një podcast këtë javë. Komentet e tij, të bëra gjatë një interviste për radion e ushtrisë izraelite, u përshtatën me një narrativë të zakonshme islamofobike të së djathtës ekstreme për popullsinë myslimane të Britanisë. Ai gjithashtu e përshkroi vendin si “republikën e parë islamike që zotëron armë bërthamore”.
Netanyahu, koalicioni qeverisës i të cilit është në disavantazh në sondazhet e opinionit, publikoi të dielën një fotografi të tabelës elektorale në llogaritë e tij në rrjetet sociale, së bashku me një video ku shfaqeshin komentet e Mamdanit, i cili e quante atë kriminel lufte.
Përplasja mes dy figurave vjen në një kohë kur bisedimet SHBA-Izrael për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza kanë ngecur. Dhëndri dhe i dërguari i Donald Trumpit, Jared Kushner, zhvilloi të hënën një takim treorësh me Netanyahun, por pa ndonjë përparim, pasi Izraeli refuzon të tërheqë trupat nga Rripi i Gazës derisa Hamasi të pranojë fillimisht të çarmatoset.
Mamdani ende nuk ka reaguar ndaj përfshirjes së tij në materialet e fushatës elektorale të Netanyahut.







Komente
Komento