Recep Tayyip Erdogan ka vendosur të luajë një lojë shumë më të madhe sesa një reformë e zakonshme fiskale. Në një moment kur lufta mes Iranit dhe Izraelit po ndryshon tregtinë, investimet dhe lëvizjen e kapitaleve në rajon, Ankaraja po përpiqet të ripozicionohet si një platformë e madhe financiare mes Europës, Gjirit Persik dhe Azisë Qendrore. Për ta bërë këtë, qeveria turke ka zgjedhur armën më të fortë të konkurrencës globale: taksat.

Reforma e miratuar nga parlamenti turk krijon një regjim fiskal ultra-favorizues për të pasurit, sipërmarrësit ndërkombëtarë, holdingjet, multinacionalet dhe pensionistët e huaj.

“Duam ta pozicionojmë Stambollin si një kënd global rajonal”, deklaroi ministri i Financave Mehmet Şimşek, duke prezantuar planin që synon ta kthejë Turqinë në një alternativë ndaj Dubait, Singaporit dhe Hong Kongut.

Pjesa më agresive e reformës është përjashtimi total nga taksat për 20 vite mbi të ardhurat e krijuara jashtë Turqisë. Kush transferon rezidencën fiskale në Turqi nuk do të paguajë taksa për dividendët, fitimet financiare, të ardhurat nga investimet apo fitimet e kompanive të krijuara jashtë vendit. Sipas modelit të ri, këto të ardhura as nuk do të deklarohen në autoritetet turke, duke e afruar sistemin me regjimet më agresive fiskale në botë. Të ardhurat e krijuara brenda Turqisë do të vazhdojnë të tatohen normalisht.

Paketa përfshin gjithashtu uljen drastike të taksës së trashëgimisë në vetëm 1% për ata që futen në regjimin special, si dhe një tjetër amnisti fiskale për rikthimin e kapitaleve të mbajtura jashtë vendit. Para, ar, valutë dhe letra me vlerë mund të rikthehen në Turqi me norma shumë të reduktuara tatimore.

Por reforma nuk synon vetëm individët e pasur. Ankaraja kërkon të tërheqë edhe seli rajonale kompanish, holdingje dhe shërbime financiare ndërkombëtare. Për këtë arsye, plani parashikon lehtësime pothuajse totale për kompanitë që operojnë në Istanbul Financial Center, distrikti gjigant financiar i ndërtuar vitet e fundit në pjesën aziatike të Stambollit dhe që synon të konkurrojë me Dubai, Singaporin dhe Hong Kongun.

Strategjia turke synon të tërheqë pikërisht atë pjesë të pasurisë globale që vitet e fundit është zhvendosur mes Londrës, Milanos, Dubait, Athinës dhe Singaporit në kërkim të vendeve me taksa më të favorshme. Situata ndërkombëtare e muajve të fundit e ka përshpejtuar këtë garë. Britania ka hequr regjimin tradicional “non-dom”, Portugalia ka kufizuar ndjeshëm sistemin e saj fiskal për të huajt dhe Italia ka rritur gradualisht kostot e “flat tax” për rezidentët e rinj. Turqia po përpiqet të futet pikërisht në boshllëkun që kanë lënë këto ndryshime.

Sipas qeverisë turke, vendi ofron sot diçka që pak shtete e garantojnë njëkohësisht: taksa shumë të ulëta, kosto jetese relativisht të lira, akses të shpejtë në tre kontinente dhe një pozicion strategjik që është bërë edhe më i rëndësishëm për shkak të krizave në rajon. Şimşek ka përmendur hapur modelet e Hong Kongut dhe Singaporit, ndërsa shumë analistë e lexojnë strategjinë turke si përpjekjen për të krijuar një lloj “Dubai mbi Bosfor”.

Megjithatë, pas gjithë kësaj fshihet edhe dobësia e ekonomisë turke. Inflacioni vazhdon të qëndrojë mbi 30%, lira turke mbetet nën presion dhe eksportuesit po përballen me vështirësi të mëdha. Për këtë arsye, parlamenti ka përgjysmuar edhe taksën për kompanitë prodhuese eksportuese, duke e ulur nga 25% në 12.5%. Objektivi është i qartë: tërheqja e dollarëve, forcimi i rezervave valutore dhe rikthimi i kapitaleve që janë larguar nga Turqia vitet e fundit.

Financial Times e ka quajtur paketën një tjetër “amnisti fiskale”, duke kujtuar se Ankaraja ka përdorur disa herë skema të ngjashme që prej vitit 2008. Skeptikët thonë se masa të tilla përdoren zakonisht kur ekonomia është nën presion. “Është lloji i masës që përdoret kur je në vështirësi. Nuk është një ndryshim loje”, tha një sipërmarrës turk për median britanike.

Paradoksi i madh, sipas analistëve, është se Erdogan po përpiqet ta shesë Turqinë si një strehë të sigurt për kapitalet globale në një kohë kur investitorët vazhdojnë të kenë dyshime për stabilitetin institucional të vendit. Në të njëjtën kohë që qeveria premton siguri fiskale dhe stabilitet afatgjatë për miliarderët ndërkombëtarë, kryebashkiaku i Stambollit dhe rivali kryesor politik i Erdogan, Ekrem İmamoğlu, vazhdon të përballet me procese gjyqësore që jashtë Turqisë interpretohen si sinjal i rritjes së presionit politik të brendshëm.

Në javët kur Turqia po promovon parajsën e saj të re fiskale, tregjet financiare turke po përjetojnë nervozizëm të fortë. Tensionet politike kanë sjellë shitje të mëdha në bursën e Stambollit dhe presion të ri mbi lirën turke, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë për të qetësuar investitorët. Pikërisht këtu qëndron edhe kontradikta më e madhe e operacionit të Erdogan: të ofrojë ndoshta regjimin fiskal më agresiv në Europë, ndërkohë që vazhdojnë dyshimet për inflacionin, sistemin e drejtësisë, stabilitetin e monedhës dhe parashikueshmërinë e ligjeve në vend./CorrieredellaSera