Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras ka njoftuar se Turqia ka liruar nga burgu dy ushtarë grekë, të cilët ishin arrestuar më 1 mars, për shkak se kishin kaluar ilegalisht kufirin mes dy vendeve. Tsipras e cilësoi këtë vendim si “akt të drejtësisë”, që do të rrisë miqësinë mes dy vendeve, shkruajnë mediat greke.
Përmes një deklarate, kryeministri Tsipras ka falënderuar dy ushtarët dhe familjet e tyre për “këmbënguljen dhe durimin”, derisa ushtarët po mbaheshin në një burg në qytetin turk, Edirne. Burgosja e dy ushtarëve grekë nga autoritetet turke rriti tensionet mes dy shteteve fqinje. Greqia ka deklaruar se ushtarët kanë kaluar gabimisht vijnë kufitare dhe kanë hyrë në territorin turk, teksa kanë qenë duke ndjekur gjurmët e migrantëve që hyjnë paligjshëm në territorin e tyre.
Dy ushtarët grekë të arrestuar në Turqi
Një gjykatë në Turqi, që ka urdhëruar lirimin e dy ushtarëve, ka thënë se ata akuzoheshin për kalim ilegal të kufirit dhe përpjekje për spiunazh ushtarak. Vendimi i Turqisë për lirimin e ushtarëve grekë vjen pas sinjaleve pozitive për të liruar nga burgu edhe pastorin amerikan. Burgosja e këtij të fundit tensionoi marrëdhëniet SHBA-Turqi, duke e detyruar Uashingtonin të vendosë sanksione ndaj Ankarasë, të cilat për rrjedhojë kanë sjellë edhe dobësimin e monedhës vendase, lira.