Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi sërish kolaicionin ndërkombëtar që lufton kundër grupit Shteti Islamik (ISIS) në Siri dhe Irak, duke i akuzuar se po përqëndrojnë bombardimet e tyre në qytetin kurd në Siri, Kobane.

"Përse forcat e koalicionit bombardojnë vetëm në Kobane? Përse nuk bombardojnë në ndonjë qytet tjetër, përse jo në Idlib (veri të Sirisë)?" theksoi Erdogan në Paris, ku ishte pritur nga presidenti francez, François Hollande.

"Flasim vetëm për Kobanen, që është në kufi me turqinë dhe ku nuk ka asnjë person përveç dy mijë luftëtarëve", shtoi shefi i shtetit turk.
"Erdogani ka të drejtë, nuk ekziston vetëm Kobane. Ka edhe qytete të tjera që kërcënohen nga ISIS-i në Sirir", shtoi nga ana e tij, presidenti francez, Hollande.
Presidenti francez shtoi se, "për vendin e tij, qyteti kyç në këtë moment është Alepo-ja, qyteti i dytë në Siri".

"Magjithatë, ndonëse Kobane është boshatisur nga popullsia e saj, qëndron nevoja për t'i dhënë përforcimet e nevojshme dhe ne në këtë pikë i besojmë Turqisë", vazhdoi François Hollande.

Nën presionin e vazhduar të SHBA-së, qeveria turke lejoi javën e kaluar që një kontigjent i vogël me luftëtarë kurdë të Irakut të shkojnë në Kobane.
Por Ankaraja nuk do të shkojë më larg dhe refuzon të ndërhyjë ushtarakisht pranë foracave kurde që luftojnë kundër ISIS-it. Turqia ka frikë se një operacion i tillë mund t'i shërbejë separatistëve të PKK-së, rebelët kurdë në Turqi.

ATSH