Për shkak të erës së fortë dhe dallgëve që pritet të arrijnë deri në 2,5 metra, nga ora 15:00 e kësaj të mërkure do të ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit jashtë Gjirit të Vlorës.
Moti pritet të përkeqësohet gjatë orëve të pasdites, me erë nga drejtimi jug-juglindje me forcë 6-7 ballë dhe shpejtësi 15-20 metra në sekondë. Dallgët në det parashikohet të arrijnë nga 1,5 deri në 2,5 metra.
Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit nuk do të pajisen me leje për të dalë jashtë Gjirit të Vlorës deri në orën 20:00 të së enjtes, 26 nëntor. Autoritetet u kanë kërkuar subjekteve që operojnë në sektorin detar të marrin masa për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë lundrimin normalisht drejt destinacioneve përkatëse.
Njoftimi i plotë
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës gjatë datave 25-26.11.2026, ku duke filluar nga ora 15:00 e datës 25.11.2026 pritet erë në drejtimin JUG-JUGLINDJE me forcë deri 6-7 bft, shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra, ju njoftojmë si më poshtë :
1. Është ndaluar pajisja me leje nisjeje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës (në det të hapur), duke filluar nga ora 15:00 e datës 25.11.2026, deri në orën 20:00 të datës 26.11.2026.
2. Me qëllim parandalimin e çdo rreziku apo situate emergjente për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
3. Anijet për mallra dhe hidrokarbure të ndryshme do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete të ndryshme në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë, kanë anuluar lundrimin për shkak të kushteve hidrometeorologjike detare të përkeqësuara.
5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 22:00 të datës 26.11.2026.
Lajmi kryesor:
Nesër reshje intensive shiu në vend, IGJEO paralajmëron rrezik për përmbytje në 7 qarqe! Shkodra më e rrezikuara, në Vlorë pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla









