Pas shumë kohësh është rikthyer zhurma e gjeneratorëve në qytetin e Kukësit ndërkohë që lokalet dhe bizneset që ende ruajnë gjeneratorët, i kanë vënë në funksionim.
Prej mesnates së djeshme qyteti ndodhet pa energji elektrike për shkak të demtimit të linjave dhe shtyllave si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve të dëborës që kanë përfshirë qytetin në 24 orët e fundit.
Sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës në Bashkinë Kukës pa energji janë edhe Nj.Ad Zapodit, Shishtavec, Topojan, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë.
"Në Bashkinë Tropojë, fshatrat Valbonë, Cernicë, Nj.Ad Margegaj dhe Nj.Ad Bytyq. Në Bashkinë Has, Nj.Ad Golaj, fshatrat Kishaj dhe Pogaj, Nj.Ad Gjinaj bashkia Has.
Sa i përket gjendjes së rrugëve mësohet se ato nacionalet janë të kalueshme normalisht. Nga kontraktorët vazhdon të punohet gjatë gjithë kohës për largimin e gurëve dhe inerteve të rëna në disa segmente rruge, kriposjen, largimin e borës dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal në shkallë Qarku.
Deri në këto momente nuk është raportuar ndonjë problematikë emergjente," - thuhet në njoftimit e Komisionit të Mbrojtjes Civile, Prefektura Kukës.
Po ashtu probleme me furnizimin me energji elektrike ka patur edhe në qarkun e Korçës. Për shkak të erës së fortë në 3 njësi të qytetit të Pogradecit gjatë natës ka pasur probleme me energjinë më konkretisht në Dardhas, Çerravë dhe Proptisht.
Po ashtu për shkak të motit dhe erës në parkun e këtij qyteti në orët e para të mëngjesit është rrëzuar një pemë. Pa energji elektrike mbrëmjen e djeshme ishin edhe disa fshatra të Gores
Era e fortë ka rrëzuar një pemë në parkun e qytetit të Pogradecit. Fatmirësisht nuk ka pasur qytetarë në lëvizje.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se për shkak të erës së fortë në 3 njësi ka pasur probleme me energjinë elektrike gjatë natës.
Më konkretisht mungesa e energjisë elektrike është konstatuar në Dardhas, Çerravë dhe Propisht por është rikthyer në mëngjes.
Moti sot parashikohet i ftohtë, me temperatura të ulëta, erë të fortë dhe reshje dëbore në zonat malore.