Një erë e fuqishme ka përfshirë gjatë orëve të vona të natës së mbrëmshme zonën e Zvërnecit në Vlorë duke sjellë probleme të shumta.
Sipas të dhënave shumë pemë janë shkulur nga shpejtësia e madhe e erës ndërkohë që disa objekte janë spostuar.
Deri tani nuk bëhet e ditur për persona të lënduar, por dëmet e shkaktuara nga era e fortë janë të konsiderueshme në lokale shërbimi, shtëpi private e pallate.
Nga era e fortë edhe transformatori i energjisë elektrike është shkëputur duke sjellë edhe ndërprerjen e furnizimit me drita të abonentëve.
Shumë çati banesash janë shkëputur duke përfunduar në degët e pemëve ndërkohë që edhe disa depozita uji kanë rënë nga çatitë.
“Ishte një erë e llahtarshme sepse gjithçka u shkatërrua. Pemët u shkulën” tha një banor. Një tjetër u shpreh se, “Era ishte shumë e ftohtë. Mezi jemi fshehur brenda, nëse dilje jashtë do kishim humbur” tha ai. Një tjetër theksoi se, “Ka qenë një erë shumë e fuqishme. Unë kam qenë edhe në male por si kjo vetimë e kjo erë nuk kam parë ndonjëherë’ tha ai.
Lidhur me ngjarjes kryebashkiaku Dritan Leli ka thënë se bashkia do të jetë në krye të detyrës dhe do ndihmojë banorët. Ai shtoi se ka nisur evidentimi i dëmeve.
‘Një numër i madh pishash në pyllin e Sodës janë rrafshuar dhe ka pasur shumë dëme materiale. Fuqia e erës ka dëmtuar disa lokale në Zvërnec, ka pasur përmbytje në disa lokale e rrugë por ne jemi këtu dhe me mbështetjen e punonjësve të bashkisë do i vijnë në ndihmë banorëve. Edhe për rrugën e bllokuar po punohet për pastrimin e saj” tha Leli.