Erjo Mile, kandidati për FRESSH
që s’nguron të kritikojë Ramën 

Erjo Mile, kandidati për FRESSH<br />që s’nguron të kritikojë Ramën 
Erjo Mile është një 23 vjeçar fierak i cili kërkon të drejtorë forumin rinor socialist. Studenti i sociologjisë, dhe anëtari i Rrjetit të Studentëve Ekselentë, nuk nguron të kritikojë qeverinë Rama për punën e bërë deri tani. Në një intervistë për Shqiptarja.com ai tregon për objektivat në drejtim të FRESSH-it, ku dominon kërkesa për meritokraci dhe transparencë në vendimmarrje. 

Cila është historia juaj në FRESSH? 
Angazhimi im në FRESSH fillon para 7 viteve në qytetin e Fierit, në vitin 2009, kur Partia Socialiste ishte në opozitë edhe po kalonte kohëra të vështira me Qeverisjen Berisha. Në një kohë kur FRESSH-i pak rëndësi i kushtonte organizimit nëpër gjimnaze dhe aktiviteteve sociale. Sot them me krenari, se për FRESSH-in kam bërë punët më të zakonshme, aspak të lavdishme por shumë dinjitoze, që nga ngjitja e posterave me shumë ngjyra që Rama përdorte atëherë në opozitë, shpërndarja e fletëpalosjeve. Më pas duke u marrë me organizimet dhe koordinimet e FRESSH, dhe deri në momentin aktual ku forumi më ka dhënë hapësirat që unë të kandidoj për kreun e tij. Angazhimi në FRESSH, nuk erdhi si pasojë e arsyes që familja ime është një familje socialiste. Por që në fillimet e të kuptuarit të politikës, e majta dhe e djathta ishin tepër të qarta për mua. Dhe kështu jo vetëm zbulova bindjet e mia politike, por që herët zbulova që politikën e kisha pasion.

erjo milo

Cilat janë 5 vetitë tuaja që besoni se ju favorizojnë për ta fituar ju garën? 
E para besoj që është këmbëngulja dhe dëshira ime për ti ndryshuar gjërat. Unë në angazhimin tim jam aktivist, një person që jo vetëm indinjohet për komunitetin dhe problemet e tij, por aktivizohet dhe merr pjesë aktivisht që të bëhet pjesë e zgjidhjeve. E dyta mendoj që është komunikimi. Unë jam një komunikues i mirë dhe i qetë, dhe përpiqem që çdokujt t’i jap përgjigjen e merituar. Deri në ditët e sotme, më ka ndihmuar së tepërmi, aftësia për të gjetur rrugët dhe mënyrat e duhura të komunikimit. Vetia e tretë është “të dëgjuarit”. Përveç se komunikues i mirë, unë jam së pari një dëgjues i mirë. FRESSH është një organizatë politike që ka shumë zëra të mendimit ndryshe, që për mua vlejnë. Zëra që po të dëgjohen edhe të kanalizohen, jo vetëm do të nxjerrin në pah problematikat e shumta të rinisë, por do të zbulojnë edhe zgjidhjet për to. FRESSH, sot më shumë se kurrë, ka nevojë të dëgjohet. Aftësia e katërt është ajo organizative. Unë jam një organizues i mirë dhe pasionant për punët të cilat më japin kënaqësi. Puna në FRESSH është një nga ato punë që me jep realisht shumë kënaqësi. Vetia e pestë, ndoshta më e rëndësishmja,është që unë e dua FRESSH-in, kam një lidhje të veçantë me të. Kam punuar për një kohë të gjatë, me qëllimin për ta bërë atë më të mirë. Me përpjekjet e mia në këtë mënyrë, mësova që të isha edhe vetë një njëri më i mirë, një qytetar më i përgjegjshëm dhe një i ri më aktiv dhe pasionant për çështjet që më shqetësojnë.

erio milo

Cilat janë tre objektivat themelorë ku ju doni ta çoni FRESSH nën drejtimin tuaj? 
Tre objektivat themelorë janë edhe tre shtyllat kryesore të programit tim për ta ringritur FRESSH-in në lartësinë e historisë së tij. Unë kërkoj të ngre një FRESSH më demokratik, ku demokracia të jetë filozofia e organizimit edhe e funksionimit të forumit. Jo vetëm në zgjedhjet e kryetarëve një herë në katër vjet, por në një demokraci që vjen nga baza për kauzat dhe aksionet politike të FRESSH. Një bazë që ka mundësinë të ndikojë në vendimmarrje. Objektiv tjetër është meritokracia. FRESSH-i duhet të jetë një forum i hapur për të gjithë të rinjtë me bindje të majta dhe të ofrojë mundësi të barabarta për këdo të ri të talentuar, që të shprehë talentin e tij në politikbërje. Në bazë të punës dhe performancës së tij të marrë feedback-un e merituar, ngjitjen në karrierën e brendshme dhe promovimin politik. Objektivi im i tretë dhe ndoshta më i rëndësishmi është përfaqësimi politik. FRESSH-i është forumi politik rinor më i madh në vend dhe si i tillë ai duhet të bëhet faktor në vendimmarrje dhe politik-bërje. Duhet të prodhojë kauza dhe figura politike të tijat dhe me to të përfaqësohet politikisht. Kjo është shumë e rëndësishme sepse,nuk ka angazhim politik, nuk ka kauzë politike pa Përfaqësim Politik.

Nëse fitoni, cilin nga 8 finalistët do të zgjidhnit si krahun tuaj të djathtë, ose do t'i dëshironit fitoren në rast se ju nuk do të renditeni të parët?
Po e fillojmë nga kjo pjesa e dytë e pyetjes. Unë nuk e mendoj kurrë humbjen, në këtë garë po luftoj fort dhe denjësisht për ta fituar atë. Nuk kam kohë të ndalem dhe të mendoj nëse mund të humbas. Nuk do të afroja apo të largoja më shumë apo më pak ndonjërin nga shtatë finalistët e tjerë. Me të shtatë ata dhe me shumë fressh-ist të tjerë, do ngrija një skuadër fituese dhe drejtuese. Unë mendoj se qëllimi jonë përfundimtar është FRESSH-i. Pavarësisht se me disa nga finalistët shkoj më mirë, disa i njoh më gjatë dhe më miqësisht, nuk do veçoja asnjërin. Si aktivist dhe si fressh-ist, besoj se skuadra është më produktive se individi dhe do i qëndroj këtij parimi edhe kur të fitoj.

Ju po bëni fushatë në rrethe në kërkim të votës. Sa ju kushton kjo fushatë dhe kush po e paguan faturën? 
Fillimisht do doja të falënderoja super-skuadrën time, njerëzit që më futën në këtë garë dhe që janë motori i ecurisë sime në të. Unë kam një grup fantastik miqsh që po sakrifikojnë shumë për mua. Jo vetëm nga ana monetare që po shpenzojnë shumë, por po shpenzojnë pa masë kohë për mua, energjinë dhe nervat e tyre, po investojnë shumë nga kredoja, kapitali dhe eksperienca e tyre politike. Prandaj, i jam shumë mirënjohës dhe borxhli skuadrës sime dhe që mundet t’ua shpërblej vetëm në një mënyrë, duke fituar këtë garë.

Cila është kërkesa juaj e parë për Edi Ramën nëse fitoni garën?
Kërkesa ime e parë për kryeministrin është një takim personal me të pasi të fitoj, që ditën e dytë. Një bisedë të gjatë, në të cilën unë do e bind kryeministrin për domosdoshmërinë e FRESSH-it dhe në të cilin unë do të marr përgjegjësitë e mia dhe të forumit para tij. Përgjegjësi të cilat do të përmbushen me përpikëri dhe do të tregojnë potencialin e forumit. Nuk dua të fitoj për të shtrirë dorën dhe për të kërkuar diçka nga partia, por dua të fitoj për ta bërë forumin një faktor shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm.

A do të kërkoni të jeni në listën fituese për deputet i parlamentit të ardhshëm nëse fitoni garën për FRESSH?
Këtë nuk do mundem ta vendos unë. Figurat politike që do ta përfaqësojnë FRESSH-in në parlament duhet të vijnë si propozime të bazës, të degëve të qarqeve të forumit. Prandaj unë luftoj për demokraci në vendimmarrje. Gjithsesi unë mendoj se në listën e deputetëve, qoftë edhe atë fituese mund të vendosesh shume thjeshtë. Por kjo nuk do të thotë asgjë për ty, nuk fiton asgjë politikisht. Ndërsa ta kthesh FRESSH-in në një faktor në arenën politike, në një potencial të madh politik, për mua kjo është sfidë.

Nëse Edi Rama ju kërkon një bilanc të qeverisjes së tij, a do mund t'i rendisnit tre sukseset dhe tre kritikat kryesore?
Do ta fillojë me kritikat: E para, reforma në energji dhe e dyta reforma fiskale patën një trysni shumë të madhe nga qeveria, si dhe masa shumë të forta për shkelësit në këto dy sektorë. Në të dyja këto reforma, prekej drejt për drejt qytetari. Absolutisht që ligji duhet respektuar, por unë mendoj se qeveria para se të këtë një rol ndëshkues, duhet të ketë një rol edukues. Kritika tjetër është për reformën e arsimit të lartë. Rreth kësaj reforme unë ngre pyetjen : A është ajo një reformë e majtë? Sa për Suksese, padyshim, reforma që sapo ka nisur në drejtësi është një sukses i madh. Drejtësia është një nga sektorët më të prekshëm, më të rëndësishëm dhe që kishte nevoja imediate për reformim. Taksa progresive për mua është një lehtësim shumë i madh për familjet e varfra edhe të mesme që kanë të ardhura të pakta, që kanë biznese të vogla, shpeshherë familjare. Me këtë formë taksimi, njerëzve të thjeshtë dhe të varfërve u ngelen më shumë para në xhep. Suksesi i tretë është Rilindja Urbane. Absolutisht qytetet janë më të bukura, më të jetueshme, më humane dhe më qytetare. Ky është një sukses që nuk ka nevojë për fjalë. Ai duket kudo.

A mendoni se partia juaj veproi drejt me miratimin e ligjit të mbetjeve?
Unë mendoj se qeveria duhet të kishte ndërmarrë një fushatë informimi publik fillimisht. Nuk duhet ta kishte miratuar ligjin pa informuar edhe qetësuar publikun ne fillim. Këtu unë mendoj se ajo ka bërë gabim. Sa për importin e disa mbetjeve të riciklueshme, që fare mirë mundet të quhet edhe si lëndë e parë për disa degë të industrisë, unë di që ishim i vetmi vend që nuk e lejonim në rajon edhe në BE. Industria duhet të zhvillohet, nuk duhet të kemi frikë nga investimet novatore duke kërkuar gjithnjë një armik pas tyre. Për mua nuk është i rrezikshëm riciklimi, por është shumë i rrezikshëm populizmi, disinformimi, shpifja dhe konfuzioni i opinionit publik. Për këtë qeveria duhet të kishte marrë masa.

Skema e pranimit në universitete ishte ndër më të kontestuarat këtë vit. Shumë të rinj ishin të dëshpëruar apo të paqartë. Ju si pjesë e strukturave qeverisëse, por njëkohësisht si përfaqësues i të rinjve, do të kërkoni reflektim nga qeveria për këtë çështje?
Për mendimin tim kjo skemë, pavarësisht se mund të ishte shumë efikase dhe produktive, ajo nuk ishte eficente. Pra, ajo nuk jep dot një rezultat të shpejtë në kohë. Ajo skemë ka nevojë për përshpejtim. Maturantët presin në ankth, prindërit e tyre gjithashtu dhe njëkohësisht e gjithë shoqëria. Në këtë mënyrë sigurisht që do të kërkoja reflektim nga qeveria, dhe madje e kam bërë në disa struktura të forumit.
 
Redaksia Online
XH.Kshqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Tiranë, pedagogu amerikan mbyt gruan dhe dy qentë me litar, më pas var veten

E rëndë në Tiranë, pedagogu amerikan mbyt gruan dhe dy qentë me litar, më pas var veten