Në këtë Shqipërinë tonë mund të shkruash pafund për problematikat që e mundojnë. Por sot zgjodha të ndalem te një rast i rëndë në Durrës. Tre fëmijë të mitur, të gjetur të vetëm në një apartament. Tre jetë të vogla që nuk dinë çfarë është faji, por që e ndjejnë shumë herët pasigurinë. Ndjejnë frikën, boshllëkun dhe traumën e përditshme, plagë të heshtura që lënë shenja të thella në jetën e tyre të sapo nisur.

Kjo nuk është thjesht një ngjarje. Është një simptomë. Një alarm i fortë për mënyrën se si familja, shoqëria dhe shteti po i lënë fëmijët vetëm, edhe kur prindërit janë ende gjallë. Është një kambanë alarmi për atë që po ndodh me ata që quhen e ardhmja e këtij vendi.

Në thelb, kjo është historia e një familjeje të thyer, ku konflikti i të rriturve ka marrë përparësi mbi nevojat e fëmijëve. Burri dhe gruaja, secili i zhytur në betejat e veta personale, ekonomike, emocionale apo morale, kanë zhvendosur vëmendjen nga ata që duhej të ishin qendra absolute. fëmijët.

Kur një familje shpërbëhet keq, ndodh një tragjedi e heshtur. Fëmijët pushojnë së qeni qëllim dhe kthehen në argument, në justifikim, në armë morale se kush e ka fajin dhe në fund si gjithmonë, dëmet kolaterale qoftë fizike apo emocionale, i pësojnë ata.

Babai përmendet si shifër mujore. Nëna si figurë e lodhur mes punës, varfërisë dhe presionit. Të afërmit si palë në konflikt. Në këtë histori secili ka versionin e vet të së vërtetës, por askush nuk flet nga këndvështrimi i fëmijës. Askush nuk pyet se si ndihet një fëmijë që rritet mes mungesës, tensionit dhe pasigurisë. Askush nuk pyet çfarë mbrese lë ndjenja se je barrë, jo prioritet, se je ti faji në një situatë ku përgjegjësia është tjetër kund.

Këta fëmijë nuk kanë nevojë për fajtorë publikë. Ata kanë nevojë për stabilitet. Për prani. Për siguri emocionale. Për një dorë që i mban fort, jo për dy duar që tërhiqen në drejtime të kundërta.

Këtu hyn përgjegjësia jonë si shoqëri, por edhe përgjegjësia e institucioneve. Sa herë që një familje bie në këtë pikë, nuk ka dështuar vetëm ajo familje. Ka dështuar rrjeti social që duhej ta kishte kapur më herët këtë rast.

Shteti shpesh vjen pas faktit. Shoqëria shpesh mjaftohet me gjykim moral, por fëmijët nuk rriten me gjykime. Ata rriten me kujdes, me prani të vazhdueshme dhe me ndjenjën se dikush i sheh dhe i mbron.

Në këtë histori nuk ka fitues. Ka vetëm humbës dhe humbësit më të mëdhenj janë tre fëmijë që sot nuk kanë nevojë për zhurmë, por për qetësi. Jo për fjalë të mëdha, por për veprime të vogla dhe të qëndrueshme. Jo për premtime, por për siguri.

Nëse nuk arrijmë ta kuptojmë këtë, rrezikojmë ta përsërisim këtë histori pafundësisht. Me emra të ndryshëm. Me qytete të ndryshme, por gjithmonë me të njëjtët viktima, të pafajshmit fëmijë.