Një djalë 9-vjeçar është shpëtuar pasi kishte jetuar i mbyllur në furgonin e punës së babait të tij në Francën lindore që nga viti 2024, raporton Associated Press. Fëmija është shtruar në spital, ndërsa babai i tij është arrestuar.

Policia u njoftua nga një fqinj për “zërin e një fëmije” që vinin nga një furgon. Ngjarja ndodhi në fshatin Hagenbach, pranë kufijve me Zvicrën dhe Gjermaninë, sipas prokurorit Nicolas Heitz.

Pasi hapën me forcë furgonin, oficerët gjetën fëmijën “të mbledhur kruspull, të zhveshur, të mbuluar me një batanije mbi një grumbull mbeturinash dhe pranë jashtëqitjeve,” tha Heitz. Djali ishte dukshëm i kequshqyer dhe nuk mund të ecte më pasi kishte qëndruar gjatë në të njëjtin pozicion.

Babai i tij u tha hetuesve se e kishte futur fëmijën në automjet në nëntor 2024 “për ta mbrojtur”, sepse partnerja e tij donte ta dërgonte djalin, atëherë 7 vjeç, në një spital psikiatrik, tha prokurori.

Heitz tha se nuk kishte asnjë dokument mjekësor që djali të kishte probleme psikiatrike para zhdukjes dhe se ai kishte pasur rezultate të mira në shkollë.

Djali u tha hetuesve se kishte “vështirësi të mëdha” me partneren e babait dhe mendonte se babai i tij “nuk kishte zgjidhje tjetër” veçse ta kyçte. Ai tha gjithashtu se nuk ishte larë që nga viti 2024.

Babai është akuzuar paraprakisht për rrëmbim dhe akuza të tjera dhe mbahet në paraburgim. Partnerja e tij mohoi se kishte dijeni që djali ndodhej në furgon, sipas prokurorit. Ajo përballet me akuza si mungesa e ndihmës ndaj një të mituri në rrezik, dhe është nën hetim në gjendje të lirë.

Motra 12-vjeçare e djalit dhe vajza 10-vjeçare e partneres së babait janë vendosur nën kujdesin e shërbimeve sociale.

Prokuroria po heton nëse persona të tjerë kishin dijeni për ngjarjen.

Miqtë dhe familjarët u kishin thënë hetuesve se mendonin që djali ndodhej në një institucion psikiatrik. Mësuesve u ishte thënë se ai ishte transferuar në një shkollë tjetër.

Banorët e Hagenbach shprehën tronditje për rastin dhe thanë se nuk kishin dijeni për vendndodhjen e djalit, por nuk dëshironin të jepnin detaje.