Ermela Teli: Ju tregoj lidhjen
time me arkitekturën

Ermela Teli: Ju tregoj lidhjen <br />time me arkitekturën
TIRANE- Aktorja e njohur shqiptare Ermela Teli, me dy artistet Lana Èmajcani nga nga Bosnje-Herzegovina dhe Nedia Firfova nga Maqedonia, ekspozuan të shtunën në orën 19.00 në Tiranë projektin në video-instalacion, “Autum Open Studio”. Secila prej artisteve në rezidencë ka prezantuar një përzgjedhje të punëve personale dhe pas çdo prezantimi ka folur mbi praktikat artistike dhe fushat në të cilën ato hulumtojnë. Aktiviteti i zhvilluar dy ditë më parë në një nga mjediset e Euromaks pranë Librit Universitar përfshihet në programin tematik AIRLAB, i cili mbahet në Tiranë në periudhat: Prill-Maj dhe Shtator-Tetor. Tema e AIRLAB për vitin 2012 është Ri-krijimi si Strategji artistike. Ky aktivitet vijon të zhvillohet nëpërmjet takimeve me artistët e fotografisë, video-inhalacioneve dhe performancave, duke shkëmbyer eksperiencat dhe opinionet me të trija artistet e këtij projekti. Koncepti i Ri-krijimi si strategji artistike i ka bërë kuadrot filmike të kenë një qasje të bukur me vlerat e artit bashkëkohor. Lana Cmajcanin u pëlqye shumë për paradoksin e saj me shfaqjen filmike “Presidentja femër”. E veccnatë ka qenë video-performanca e Ermela Telit e cila ka folur për arkitekturën në “territorin e diktaturës”.

Ermela pse në projektin tuaj keni zgjedhur veçanërisht temën e arkitekturës?

-Shoqëritë zakonisht janë të perceptueshme sipas ambientit ku ato jetojnë, territorit që ato zënë, kohës, gjurmimeve historike. Miti i gurit, mbi të gjitha, është një kult shumë i vjetër i shqiptarëve. Duke u nisur nga ky element kam arritur në një evolucion të kësaj simbolike, siç është arkitektura në vetvete. Është perceptimi i parë kur shëtit. Vështrimin ta zënë godinat. Unë nuk dua të flas për pikëpamjen turistike, por për territorin që ato zënë. Realisht në videon time “Arkitekturë e trishtimit” do të ketë një video që i përgjigjet legjendës së Rozafës dhe për të cilën nuk flitet aq shumë për arkitekturën sesa për një kala. Këtu flitet për dashurinë, mëmësinë dhe marrëdhënie të tjera. Ky është kapitulli i parë i projektit që përbën një prolog, sepse unë e kam ndarë në tre kapituj që lidhen me elementin arkitekturë dhe në elementin arkitekturë fshihen vetë shqetësimet e shoqërisë shqiptare.

A ka një qëndrimi replikues të Ermelës për arkitekturën e sotme shqiptare?

-Nuk është momenti të them se është e rëndësishme që të replikojë, por ky është një vështrim estetik për të paraqitur e prezantuar atë që në vetvete është. Unë përkundrazi kam bërë një përshkim që jo vetëm mua, por të gjithë njerëzve iu bie në sy. Ajo që më mbetet mua si artiste është që të perceptohet, ndoshta edhe si replikë siç thoni. Unë ju jap perceptimin në të gjitha mënyrat sesi si zhvillohet arkitektura shqiptare. Unë artistikisht do të mundem ta shpreh joshjen, perceptimin apo edhe mbizotërimin tim në një element të tillë siç është arkitektura. Projekti në kapitullin e tretë do të vijojë me territoret e mëdha që janë zënë nga fabrikat dhe uzinat e braktisura që në fillim kanë pasur një vlerë por sot janë të braktisura dhe kanë zënë një territor goxha të madh, janë prezentë. Unë kam një qëndrim emocional që s’ka lidhje me ekologjinë dhe moralin e fabulës, por është thjesht relacioni shpirtëror imi, që tani po shuhen uzinat dhe fabrikat. Ja unë dua të tregoj “zhvillimin industrial” që ka Shqipëria sot, me ndërtesa të prishura që nuk kanë vlerë dhe kanë zënë një territor shumë të gjerë.

Jemi mësuar ta shikojmë Ermelën aktore. Ky pasioni yt i ri me projekte të kësaj natyre si ka nisur?

-Kanë qenë motivimet e mia të para për të vazhduar shkollën e regjisë, por eksperienca ime si aktore ka pasur vlera të mëdha për të bërë më shumë. Në kohën kur kam konkurruar në Akademinë e Arteve nuk arritëm të kemi një shkollë filmi por eksperienca ime e gjatë në kinema më jep edhe mua mundësi të përfshihem dhe të shfrytëzojë të gjithë kohën time të shëndetshme për të hyrë në projektet e regjisë, të kinemasë dhe arteve të tjera. Përvoja si aktore më ka bërë të konkurrojë në botën e kinemasë dhe më gjerë, si regjisore apo skenariste.

Projekti me dy artistet e tjera është shtrirë në disa faza përgjatë gjithë vjeshtës, si do ta vijoni?

-Jam në fazën e shikimit, kërkimit, leximit, studimeve historike dhe pastaj ka një fazë të caktuar që do të konkretizohet në fund të tetorit. Besoj se fundi i tetorit do të finalizojë një projekt tërheqës.

E quani si territor diktatorial atë që parashtroni në videon tuaj, pse?

-Po ajo që zë më shumë vend në videon time është territori diktatorial, ai që kemi sot. Sigurisht Shqipëria përveçse një shet, përfaqëson mbi të gjitha gjithë territorin diktatorial, me banesat me arkitekturën, pallatet katër-pesëkatëshe të djeshme e ndërtimet kaotike të sotme. Kjo tregon se është pikërisht ai territor diktatorial, i prezantuar me një simbolikë si arkitektura bunker, por e pasuruar edhe me censurimin e marrëdhënieve intime. Pra duken qartë gjurmët e diktaturës.

“Territori diktatorial” është një term i juaji?

-Sigurisht. Shqipëria është një territor apo jo, që bie në sy me godinat pesëkatëshe të pasuvatuara, bunkerët që janë edhe sot, për këtë ka një veçanti. Shtoji këtij territori edhe pirgjet e tullave, hekurave, betonit, për ndërtimet e reja dhe e gjitha kjo të ngacmon perceptimin. Subjekti i temës sime është arkitektura dhe ndikimi i saj në shoqëri.

Ermela, a do të ktheheni në kinema me ndonjë rol?

Po. Më është ofruar një personazh dhe unë u kam thënë po.

Si quhet personazhi

-Është ende në momentin e diskutimit. Më vonë do t’ju them se çfarë do të bëhet.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga