Ish-futbollisti i kombëtares kuqezi, Eros Grezda me Zalaegerszegi është shpallur kampion i Kupës së Hungarisë. Në përballjen e zhvilluar në "Puskas Arena" në Budapest, Zalaegerszegi mundi 0-2 Budafoki në finale. Përballja ishte e luftuar dhe me ritëm, teksa ndeshja shkoi me shtesën 30 minutëshe.
Goli i parë i ndeshjes u shënua në të 117 minutë nga Nemeth, ndërsa Kupën në vitrinë e vendosi Szalay në minutën 120+2. Në këtë përballje shqiptari Grezda qëndroi në stol, duke mos u preferuar nga trajneri Boer.
Gjakovari prej dy muajsh është pjesë e Zalaegerszegi, teksa shënon emrin e tij me gërma të arta në historinë e klubit, si fitues i Kupës. Zalaegerszegi veç këtij trofeu, në 2001-02 ka fituar titullin kampion në Hungari. Këtë sezon me ekipin e ri Grezda ka luajtur shtatë takime.

Komente

