Një superaksion sekret i policisë për asgjësimin e bimëve narkotike është ndërmarrë në qarkun e Korçës gjatë gjithë ditës së sotme. 

40 trupa nga reparti 712 i FNSH-së Tiranë të mbështetura me logjistike për aksione antikanabis kanë drejtuar operacionin që ka qenë i përqendruar kryesisht fshatrat e thellë në Ersekë.

Aksioni në terren është ndërmarrë nga FNSH e Tiranës dhe policia lokale e Ersekës nuk është njoftuar, pas dyshimeve për dekonspirimin e tij. Në superaksionin antikanabis është përfshirë edhe SHCBA (Shërbimi Çështjeve të Brendshme Administrative) pas një hetimi disajavor.

Dyshohet se efektive të policisë së Ersekës kanë lidhje me kultivuesit e drogës, për këtë arsye Policia e Shtetit ka informuar vetëm Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë për aksionin, duke mos dhënë asnjë informacion për policinë lokale të Ersekës.

Operacioni antikanabis është përqëndruar në fshatin Qinam të Ersekës, i cili është rreth 2 orë larg rrugës nacionale dhe janë asgjësuar 18 000 rrënjë kanabis sativa. Droga ishte mbjellë në një zonë të pyllëzuar dhe kultivuesit kishin instaluar edhe sistem vaditje.

Policia ka identifikuar 3 persona që dyshohen si kultivues të drogës dhe po heton me me metoda speciale per zbulimin e lidhjeve të mundshme me efektive policie të zonës


Nga orët e para të mëngjesit të sotëm e deri pasdite trupat e FNSH kanë zbuluar disa parcela te mëdha me kanabis, në disa zona të ndryshme. Zona është shumë pak e populluar pasi fshatrat përreth janë thuajse të braktisura nga popullsia lokale. 

Kjo është hera e parë që ndërmerret një aksion supersekret antikanabis, pas dyshimeve se policia lokale mund të jetë e lidhur me trafikantët e drogës.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com