ERSEKE- Gjendet pas 4 ditësh trupi i pajetë i 27 vjecarit ,Festim Bimo, i cili u mbyt në rezervuarin e Gostivishtit në Ersekë. Burime të policisë bëjnë të ditur se mëngjesin e sotëm tre banorë të zonës kanë parë në sipërfaqe të ujit trupin e pajetë të të riut dhe kanë njoftuar më pas uniformat blu. 

Vetëm një ditë më parë prefektura e Korcës dhe policia e këtij qyteti vendosën që të niste tharja graduale e ujrave të rezervuarit të Gostivishtit, si e vetmja mënyrë për gjetjen e trupit të 27 vjecarit, i cili u mbyt më 12 qershor. Turbullira e ujit në rezervuar por edhe thellësia e tij bënë të pamundur gjetjen e trupit dhe pse kërkimet nisën menjëherë pas njoftimit për mbytjen e tij. 

Edhe pasi nisja tharja graduale e rezervuarit, polumbarët e RENEAS e patën të pamundur gjetjen e trupit ditën e djeshme. Ndërsa sot do të vijonte sërish tharja e rezervuarit dhe zhytja e polumbarëve për gjetjen e trupit, kanë qënë banorët e zonës që kanë konstatuar se uji kishte nxjerrë në sipërfaqe të rezervuarit trupin e 27 vjecarit. I riu u mbyt 4 ditë më parë teksa përpiqej të shpëtontë nga mbytja bagëtitë e tij, të cilat ishin i vetmi burim jetese për familjen e Festim Bimos, baba i dy fëmijëve.
(jd/shqiptarja.com)