ERSEKE - Qindra hektarë tokë në rrethin e Ersekës prej 20 vjetësh nuk mbillen për shkak të shkatërrimit të sistemit ujitës, duke lënë pa prodhime dhe në varfëri të skajshme rreth 3000 banorë të kësaj zone.

Edhe pse janë pronarë tokash, banorët e fshatrave Borovë, Tac dhe Rehovë prej dy dekadash i kanë lënë tokat djerrë, ndërkohë që nuk kanë asnjë mundësi tjetër punësimi.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Ersekës, Ali Laho rikonstruksioni i sistemit ujitës do të ulë papunësinë me 30% dhe do të rrisë mirëqenien e mijëra banorëve.
Lidhur me këtë situatë drejtori i bordit të kullimit, Korçë Jetnor Hysolli ka bërë të ditur se për sistemin ujitës në rrethin e Ersekës është hartuar një projekt, i cili kap një fond prej 17 milion lekësh të reja, por deri tani ai është ende në fazën fillestare.

Papunësia në rrethin e Kolonjës është nga më të lartat në Qarkun e Korçës. Dhe kjo ndodh në të njëjtën kohë kur qindra hektarë tokë në periferi të Ersekës dhe të komunës Qendër prej dy dekadash të lihen djerr mbasi nuk mund të ujiten.
Të moshuarit tregojnë se shkak i kësaj situate është dëmtimi i kanalit ujitës që sillte ujin e rezervuarit të Gjoncit për ujitjen e tyre.

(ad.ti/shqiptarja.com)