TIRANE- Në tri pista po e heton Policia e Ersekës shpërthimin me tritol të makinës së drejtorit të ujësjellësit të qytetit. Ndërkaq, një tjetër shpërthim ndodhi në një lokal në Fushë-Krujë. Shpërthimi i fuqishëm ka tronditur qytetin e Ersekës natën e së premtes, 1 orë pasi kish kaluar mesnata, në mjetin tip Fuoristradë me targë FR 21 77 B, e cila është në pronësi të Orest Malushit. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk janë shkaktuar të lënduar, përveç dëmeve materiale në makinë dhe thyerje xhamash të disa lokaleve e dyqaneve përreth. Në kohën ku ndodhi ngjarja, Orest Malushi, ka qene duke festuar, festën e fundvitit, me administratën, në një nga lokalet e qytetit. Policia e Korçës ka nisur hetimet mbi ngjarjen.

Deri me tani ne ambientet e komisariatit të këtij qyteti janë shoqëruar rreth 15 persona, ndërsa po hetohet ne 3 pista. Momentalisht, pista ku policia ka më tepër elemente që të formulojnë akuzën është ajo e hakmarrjes. Kjo për shkak se 2 ditë më parë Orest Malushi kishte pasur një konflikt me një tjetër shtetas me inicialet Gj.C, i cili ka përfunduar në spital si pasojë e dhunës. Ndërkohë, banorë të qytetit të Ersekës bëjnë me dije se sherri i lindur dy ditë më parë ka qenë për çeshtje tenderi mbi mirëmbajtjen e rrugëve, i cili më pas ka degjeneruar në përdorimin e grushteve. Pista e dytë ku policia po heton është ajo e mosmarrëveshjeve të Drejtorisë së Ujësjellësit me persona privatë, në lidhje me pagesat, por që uniformat blu e kanë thuajse të pamundur të thonë diçka konkrete për shkak se faturat janë të shumta.

Pista e tretë është bërë publike nga vetë Malushi. Ai tha për mediet se “Nuk kam konflikt me asnjë person”, duke shtuar se “dyshoj që kjo ka ndodhur për bindjet e mia politike”. Malushi ka kërkuar që policia të zbardhë ngjarjen dhe të identifikojë autorët dhe afroi bashkëpunimin për hetimet rreth ngjarjes. Një tjetër shpërthim është shënuar edhe në qytetin e Fushë Krujës. Shpërthimi ka ndodhur në llokalin e quajtur “Kapo Nord” në pronësi të shtëtasit Besnik Xhepi mbrëmë rreth orës 02 e 50 minuta, ku si pasojë më tepër se gjysma e ambientit është shkatërruar. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale të vetë lokalit. Edhe në këtë ngjarje nuk dihen shkaqet dhe autorët, por policia vijon hetimet, informon Julian Shota, gazetari i “A1 Report”, teksa paraprakisht dyshohet se konkurrenca është pista më e mundshme e kësaj ngjarjeje.


 Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)