Në një intervistë ekskluzive me The Pavlovic Today, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari që mbikëqyr politikën amerikane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në Departamentin e Shtetit, foli për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se SHBA mbështet dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe arritjen e një njohje reciproke.
"Politika jonë ka qenë shumë e qartë. Ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE për të normalizuar marrëdhëniet. Për ne, njohja reciproke duhet të jetë qëllimi përfundimtar. Ne mendojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin, duhet të reduktojnë barrierat për tregtinë, duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e disa prej problemeve të pazgjidhura të mbetura nga vitet '90 dhe të ecin përpara drejt integrimit evropian", tha Gabriel Escobar.
Ndërkohë që SHBA nuk po merr pjesë në bisedimet në vazhdim, Escobar tha se propozimi frankogjerman është një plan i mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës. Por ai shtoi se është i rëndësishëm të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, që ishte pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.
“Para së gjithash, ne mendojmë se dialogu ka një plan të mirë. Ne mendojmë se tani propozimi franko-gjerman të cilin ne e mbështesim. Unë isha atje, kur ata e dorëzuan atë, ishte një hap i rëndësishëm në normalizimin. Është një udhërrëfyes i mrekullueshëm, shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë dhe të fillojnë menjëherë zbatimin e tij. Por ndërkohë, ka mjaft fusha që ekzistojnë brenda Marrëveshjes së Brukselit që mbeten të paplotësuara. Një nga më të rëndësishmet është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Një nga fushat e tensionit të përhershëm në Kosovë është statusi i serbëve që jetojnë në veri. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte kërkuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”-tha Escobar.
Në javët e fundit, Amerika është bërë gjithnjë e më e zëshme duke thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka nevojë dhe do të zbatohet.