TIRANË- Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bëjnë  thirrje institucioneve shqiptare që ta shqyrtojnë ‘Non Gratën’ e Sali Berishës, pasi ka prova dhe fakte për korrupsionin e kryer nga ai. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar ka deklaruar se futja e Berishës në listën e zezë nuk është një vendim individual dhe as politik, por institucional. Thirrje i është bërë edhe demokratëve për të mos pranuar në krye të tyre një politikan që janë përcaktuar nga DASH të korruptuar.

"Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion", tha Escobar për Zërin e Amerikës

Sa i takon deklaratave të ambasadores Yuri Kim, Zv/Ndihmës Sekretari thekson se ajo që bën diplomatja amerikane në Shqipëri është në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Shtetit, pra nuk janë qëndrime individuale të saj.

“Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqipërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve”, shtoi ai.

Ndërkohë, ndalur te amnistia fiskale, për të cilën qeveria shqiptare këmbëngul se do e miratojë, Escobar ka shprehur rezerva.

“Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtasë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standardet globale dhe me kërkesat e BE-së”, tha Escobar.

Në fund, Escobar vlerësoi marrëdhënien diplomatike me Shqipërinë, duke thënë se është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe se luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë.

Sali Berisha u shpall ‘Non Grata në 19 maj 2021, ku Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken me anë të një njoftimi shkruante “Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”. Kujtojmë se kërkesa që SPAK të hetojë ‘Non Gratën’ e Sali Berishës ka pasur edhe nga mazhoranca, e më konkretisht kryeministri Edi Rama, ku tha se shqiptarët duhet ta dinë nëse qëndrojnë akuzat e DASH ose jo.