Ese/ Shqiptarësia e Nënë Terezës

Ese/ Shqiptarësia e Nënë Terezës
Shqiptarizmi i saj reflekton në gjithçka që ajo bëri me veten, me motrat e vëllezërit e saj misionarë, me njerëzit e braktisur dhe mbarë njerëzimin…

Nënë Tereza e Kalkutës nuk është shqiptare vetëm sepse ka lindur në troje të banuara historikisht prej shqiptarësh me nënë shqiptare e babë shqiptar. Nuk është e vetëmjaftueshme shqiptarësia e Nënë Terezës as për faktin se për tetëmbëdhjetë vjet radhazi u rrit dhe u edukua në një familje shqiptare me tradita të shëndosha, ku flitej, këndohej dhe bëhej lutje në gjuhën shqipe. Madje nuk do të përbënin argument bindës as varret e njerëzve të familjes së saj në troje shqiptare: baba Kolë, në Shkup, kur Nënë Tereza ishte Gonxhe 9-vjeçare dhe nana Drande e dada Age në Tiranë, atëherë kur Nënë Tereza ishte bërë Nënë e të gjithëve kudo në botë.
 
Shqiptarizmi i saj janë të gjitha këto të marra së bashku; të gjitha këto, strukur deri në skutat më të padukshme të thellësive të shpirtit të saj, të cilat reflektuan në gjithçka që ajo bëri me veten, me motrat e vëllezërit e saj misionarë, me njerëzit e braktisur dhe mbarë njerëzimin. Me të drejtë teologu Valentino Salvatori ka shkruar:
 
“Pa e njohur mirë popullin shqiptar s’mund ta njohim Nënë Terezën dhe anasjelltas, sepse ky “gërshetim” është natyror...”
 
Është fakt se ajo nuk u kthye më për t’u ngulur (jetuar) në një mjedis shqiptar dhe se gjuhën shqipe e fliste gjithnjë e më me vështirësi: ajo fliste, shkruante dhe lutej anglisht, bengalisht dhe, kur takohej me të vëllain, serbokroatisht. Është fakt, gjithashtu, se Nënë Tereza, edhe kur u bë Nënë e përbotshme, nuk arriti të takohej në Tiranë me njerëzit e saj, as të marrë pjesë në varrimin e nënës së vet dhe të motrës, me të cilat ishte ndarë për së gjalli qysh në moshën  tetëmbëdhjetëvjeçare: shteti shqiptar, i vetmi shtet në botë i shpallur ateist (1967-1990), nuk e lejoi bijën e vet të kalonte murin ideologjik të Tiranës (një mur, ndoshta, “më i betonuar” se Muri i Berlinit) që ndante edhe njerëzit e një familjeje. Të gjitha këto shpupurishin thellësitë e Nënë Terezës kudo që ajo të ndodhej dhe janë një dashuri-dhimbje e vazhdueshme e saj, të cilën jo kushdo mund ta kuptojë pa njohur specifikisht realitetin shqiptar:
 
(1)  realitetin e një populli të lidhur historikisht me tokën e vet dhe lirinë natyrore qyshkur historia nuk mbahet mend, por që arriti të krijojë një shtet të rrudhur në Ballkan vetëm në fillim të shekullit të 20-të, më 1912, dy vjet pasi kishte ardhur në jetë Nënë Tereza;
 
(2)  realitetin e një populli të lidhur mitologjikisht me gjuhën dhe kulturën e vet dhe që e ka ruajtur atë edhe në kushtet më të vështira, si ka ndodhur gjatë pushtimit pesëqindvjeçar osman dhe, më pas,  gjatë sundimit ideologjik pesëdhjetëvjeçar të Pasluftës së Dytë Botërore;
 
(3)  realitetin e një populli të lidhur ekzistencialisht me fatin e vet edhe kur të tjerët ia kanë përfolur atë dhe skamja e ka bërë të endet dyerve të huaja për shujtën e gojës, si ka ndodhur deri edhe pas viteve ’90 për Shqipërinë dhe diçka më vonë për shqiptarët e Kosovës, të cilët e njohën shijen e lirisë në kapërcyellin e mijëvjeçarëve, më 1999, dy vjet pasi qe ndarë nga jeta Nënë Tereza.
 
Kaq të lidhur me këto realitete shqiptare e ka ndier Nënë Tereza veten, sa në një mesazh të vitit 1993, drejtuar shqiptarëve, shprehet: “Dua të lutem për ne, për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan”. Shumësin “ne”, Nënë Tereza e përdor vetëm kur i referohet motrave (apo vëllezërve) misionare dhe, si në rastin e mësipërm, kur flet për shqiptarët.
 
Edhe më herët, në një letër që i shkruan Presidentit të Shqipërisë më 1990, ajo për popullin shqiptar kishte përdorë shprehjen “popullit ynë”:
 
“Shpresoj se … së bashku mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për popullin tonë"
                                          
Janë edhe tri dëshmi të tjera të veçanta që na zbulohen për Nënë Terezën, lidhur me Shqipërinë:
 
E para ka të bëjë me dhimbjen e Nënë Terezës që nuk mundi t’i ndodhej pranë së ëmës (dhe së motrës) as në çastet e fundit të jetës së tyre. Veçse ajo nuk di të zemërohet:
 
“Nëna ime nuk më ka parë për 46 vjet; muaj para se të vdiste, më kërkonte e donte të më shihte, mua që isha fëmija e saj më e vogël. Meqë Shqipëria ishte ajo që ishte, nuk lejonte asnjë indian të shkonte atje...”. 
 
Dëshmia e dytë lidhet me vizitën e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989, 15 gusht. Kur u largua nga Shqipëria, tri javë më pas pësoi një infarkt. Në atë gjendje ajo i thotë një kleriku (at Sebastianit) që më vonë do t’i përgjigjej thirrjes së Nënës për të vizituar e ndihmuar Shqipërinë e saj:
 
“I lutem Zojës që t’i thotë Jezusit ta shërojë Nënën në mënyrë që ajo ta çojë Jezusin në Shqipëri”.
 
E treta është pohimi i vitit 1979 kur e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza e Kalkutës ishte shqiptare. Ajo, kur mori çmimin Nobel për Paqe, u deklaroi gazetarëve me gojën e vet: “Me gjak jam shqiptare. Nënshtetësia ime është indiane.” Më poshtë deklarata e saj vazhdon: “Jam një murgeshë katolike. Sipas zgjedhjes sime, i përkas gjithë botës. Ndiej se zemra ime i përket zemrës së Krishtit“
 
Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i dilte zot gjakut të vet as edhe kur bota mbarë e nderonte një bijë shqiptare si bijën e saj më të mirë. Pavarësisht kësaj, Nënë Tereza, nga ana e vet, vazhdon të lutet për popullin dhe atdheun. Madje, sipas biografëve, pikërisht në Oslo, ku iu dorëzua Çmimi Nobel për Paqe, një lutje ajo e shkroi në gjuhën shqipe:
 
Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar.
Shumë lus Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona,
në të gjitha familjet tona, në gjithë botën.
Lutem shumë për fukarenjtë e mi – dhe për veten e motrat e mija. Unë lutem për ju.
 
Biografë të Nënë Terezës kanë vënë re dy paralele me kahe të kundërt, lidhur me shembullin unikal të Shqipërisë në raport me religjionet:
 
Njëra paralele shënon veçimin e Shqipërisë nga bota e qytetëruar. Ajo nis pas vitit 1946, kur u instalua regjimi komunist; vazhdon pas vitit 1967, kur Enver Hoxha (1908-1985) shpalli ateizmin, duke mbyllë të gjitha institucionet fetare dhe duke persekutuar klerikët; për të mbërritur kështu deri pas vitit 1990, kur në Shqipëri kishin shpëtuar, p.sh., vetëm 23 priftërinj katolikë, edhe ata të shkëputur prej 50 vjetësh nga Kisha e Perëndimit, prandaj “nuk dinin asgjë për ndryshimet që kishin ndodhur, përfshirë edhe reformat liturgjike”.
 
Nga ana tjetër e botës, në Kalkuta të Indisë, si një paralele me kahe të kundër, madhështohet një motër shqiptare, Anjeza Gonxhe Bojaxhi, e cila shi në vitin 1946 shpall thirrjen e saj të Motrave Misionare të Dashurisë; shi në vitin 1967 zgjeron misionet e saj me Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë dhe më 1991 krijon shtëpinë e parë të Motrave Misionare në Tiranë, duke marrë pjesë edhe në hapjen e dy kishave të para në kryeqytetin e Shqipërisë, si për t’i dhënë fund izolimit ideologjik që kishte varfëruar shpirtërisht shqiptarët e saj, ndoshta, edhe më keq se varfëria materiale e indianëve të atdheut të saj të dytë,  që jetonin lagjeve të varfra të Kalkutës. Ajo tashmë është shenjtorja që duket sikur vazhdon të thotë me zë plot: “Me gjak jam shqiptare”
 
(fragment nga Albumi “Nënë Tereza, nderimi në trevat shqiptare”(shqip e anglisht), Prishtinë, 2010, (shqip e kroatisht), Zagreb, 2013.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë