'Esencë'/ Hebreu e shpëtoi shqiptarin nga tifoja, dhe po i njëjti shqiptar e shpëtoi hebreun nga nazistët!

I ftuari i kësaj nate në Esencë ishte Lekë Rezniqi, Gazetar nga Prishtina. Rezniqi rrëfeu përballë Eljan Taninit, jetën e tij familjare në lidhje me hebrenjtë e shpëtuar prej familjes së tij. Leka së shpejti do të nisë studimet në Israel, fokusi është mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët. Shënimet bazohen mbi të dhënat, të thenat e hebrenjve,  mbi dëshmitë

Eljan Tanini: -Si është historia juaj në idhje me hebrenjtë?

Lekë Rezniqi: -Kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore, Kosova mbeti në Ish Jugosllavi, Shqipëria u mbyll dhe asgjë nuk u mor vesh për hebrenjtë. Avner Shalev, Ish drejtori i Yad Vashem-it ka regjistuar 22 mijë dëshmitarë. Në Yad Vashem 75 shqiptarë njihen si njerëz që janë shpëtimtarë hebrenjsh, ata tregohen si fisnikë mes kombeve, ku 2 prej tyre janë nga Kosova. Një prej tyre është stërgjyshi im Asllan Rezniqi dhe çifti Faik dhe Sabrie Sharri nga Prizreni. Në traditën tonë kur dikush bën mirë, nuk e bën atë që të përmendet. Rëndësi ka jeta

Eljan Tanini: -Si është historia e familjes Rezniqi që ka shpëtuar hebrenj?

Lekë Rezniqi: -42 ka qenë numri i hebrenjve të shpëtuar, por unë nuk dua të ndalem në këtë numër. Stërgjyshi im Asllan Rezniqi është shqiptari i parë nga Kosova që ka marrë titullin ‘’Fisnik Mes Kombeve’’, njohur nga instituti Yad Vashem. Në shkurt 2008 ky titull është dhënë në bazë të dokumenteve dhe dëshmive. Stërgjyshi ka qenë tregtar në Deçan rreth viteve 30, Maqedoni-Selanik e më tej. Më shumë bënte tregtinë e fasules. Kontakte kishte më shumë me tregtarët hebrenj në Maqedoni e Greqi. Me bashkëpunëtorin e tij Hasan Rrema shpëtojnë hebrenj, sepse Maqedonia e sotme e Veriut u pushtua nga Bullgarët që u bënë bashkëpunëtorë të nazistëve. Solomon Konforti, Rafael Natan dhe David Cohen të gjithë me familjet e tyre, rreth 20 vetë qendruan në kohë të ndryshme te ne. Filloi të përhapej lajmi se një shtëpi e sigurtë ishte në Deçan, kështu duhet të ndryshonin gjërat. Iveta dhe Suzi, dy vajza hebreje shkuan në shkollë në Deçan. Beqir Kastrati profesori i gjuhës frënge u angazhua për to. Këto tre familje qendruan te ne për më shumë se një vit. Te shqiptarët është e pranishme shumë Besa si dukuri. Deçani dikur ishte fshat, vendasit e dinin që stërgjyshi kishte në shtëpi dhe disa të huaj. Stërgjyshi u kishte dhënë besën miqëve. Besa ka luajtur rol kryesor në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Në Shqipëri i shpëtojnë te familja Ruli familjen Konforti. Tre anëtarë të familjes sonë u prekën nga tifo gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një mjek hebre nga Shkupi na shpëtoi nga tifo, ai shpëtoi Mustafën, birin e vetëm të stërgjyshit tim sepse ishte trajtuar nga vendasit me diagnozën e gabuar. Një ditë tjetër, mjekun hebre që na shpëtoi nga tifo e kapin nazistët. Kur e kupton këtë gjë stërgjyshi, e shpëton te nazistët dhe i vesh rroba tradicionale shqiptare. Ai quhej Haim Abravanel. Për 5 muaj qendroi në familjen tonë, popullata lokale e dinte edhe për të, por nuk e tradhëtuan. Bullgarët i shfrytëzuan të gjithë, edhe doktorin, megjithatë ai u mbijetoi

Po për këtë çështje, në lidhje direkte nga Roma, shqiptaro-hebreja që ka jetuar për shumë vite në Israel, Edi Kahani me profesion Eksperte në Ndërkombëtarizimin e Arsimit të lartë tha: Holokausti përkujtohet shumë në Israel, është datë shumë e rëndësishme që prej vitit 1951, është e vendosur me ligj. Ceremonitë e kujtimit nisin që nga kopshtet dhe shumë më gjerë. Pak dihet për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët, pas viteve 90 ka nisur të merret më shumë informacion. Duhet bërë punë edhe nga pala Israelite, duhet bërë edhe shumë punë nga pala shqiptare.

Eljan Tanini: -Pala shqiptare po e bën punën e saj, por duhet të shkruhet më shumë nëpër libra, duhet të jetë më e dukshme.

Edi Kahani: -Shqipëria është i vetmi vend evropian ku numri i hebrenjve në fund të Luftës së Dytë Botërore ka qenë  10 përqind më i madh se në fillim të saj. Janë 2650 hebrenj të listuar në Shqipëri. Ministria e Arsimit së Shqipërise duhet të ketë më shumë angazhim për këtë gjë. Ministria e Arsimit e Shqipërisë mund të bëjë fare mirë një konkurs kombëtar. Italianët psh: Bëjnë çdo vit një udhëtim në Aushvic, edhe ne duhet të marrim shembull. Ka shumë punë të bërë, mjafton vullneti

Lekë Rezniqi: -Polonia ka filluar një proces të rishkrimit të Historisë, sidomos me hebrenjtë e Polonisë.

Eljan Tanini: -Si flitej, çfarë thoshte babai dhe gjyshi, si i keni trashëguar këto fakte?

Lekë Rezniqi: Për ta, ishte diçka e mire. Të miren e ke bërë, lëre atje

Eljan Tanini: -Disa të mira duhen thënë patjetër.

Lekë Rezniqi: -Në familjen tonë kurrë nuk është folur për shpëtimin e hebrenjve, unë thjeshtë e kam ditur që stërgjyshi ka pasur disa miq hebrenj e që ka tregtuar fasule në Portin e Selanikut

Eljan Tanini: -Rezniqi i parë që ka shpëtuar hebrenj, e vuri kokën disa herë në rrezik për këtë gjë?

Lekë Rezniqi: - Stërgjyshi ka qenë një personalitet mjaft i respektuar në zonën e tij. Kjo e ka bërë atë me një status të veçantë. Unë kam takuar Ivetën që ka jetuar në shtëpinë tone. Jam Krenar që Rezniqët Kanë Shpëtuar Hebrenj! Ne vitin 1963 ndërrojnë jetë e bija, dhëndëri dhe i biri i doktorit nga tërmeti  i Shkupit. Shelli, mbesa, shpëton. Prandaj unë e quaj shpëtim jetësh i dyanshëm. Stërgjyshi im i shpëtoi jetën Doktor Haim Abravanel, ndërsa ky i fundit i shpëtoi jetën gjyshit tim Mustafës.

Eljan Tanini: -Nëse hebrenjtë nuk do të ishin në shtëpinë tuaj, ne nuk do të flisnim sot këtu bashkë.

Lekë Rezniqi: -Gjyshi ishte i biri i vetëm i stërgjyshit. Kontaktet i humbëm, u rigjetëm në luftën e Kosovës në vitin 1999. Mustafën, gjyshin tim e thërrasin një ditë në telefon, i thonë se e kërkojnë nga Israeli. Shelli, mbesa e Doktor Haimit kërkoi të na shpëtonte nga lufta, familjen Rezniqi. Shelli me fotografinë e stërgjyshit, na kërkonte nëpër kampe gjatë luftës së Kosovës. Ne nuk ishim në kampe, gjendeshim në Shkup. E gjitha kjo ndodhi pasi qeveria e Israelit kishte marrë masa për të marrë shtetasit e Kosovës në ndihmë. Shelli, ra në kontakt me ne. Ajo rregulloi çdo gjë që ne të shkonim atje. Ne nuk vajtëm atje pasi situata në Israel nuk ishte fortë e sigurtë. Por edhe këtu kishim lënë disa gjëra peng, nuk donim të iknim nga lufta në luftë. Por, ky ishte çasti kur ne rivendosëm kontaktet. Është rasti i parë në Yad Vashem ku i mbijetuari nuk e thoshte vetë direkt deshminë e tij, qoftë edhe të regjistruar. Stërgjyshi im ndërroi jetë në vitin 1972. Është hera e parë që Yad Vashem merr në konsideratë dëshmitë e pasardhësve. Këtu ka luajtur rol me rëndësi edhe Liga Shqiptaro-Amerikane,  Joseph J. DioGuardi. Hebrenjtë i kanë marrë dokumentet false në Deçan nga nga Arif AliçkajBeqir Kastrati, u angazhua që vajzat hebreje në shtëpinë tonë të shkolloheshin. Ramiz Alia i paraqet Joseph J. DioGuardi-t dokumentet shqiptare për hebrenjtë, për herë të pare. Në vitin 2008 familja jonë ka marrë mirënjohje nga Israeli. Duhet të kemi kujdes të mos e shtrembërojmë historinë.

Ndërkohë, Shelli, mbesa e doktorit të famshëm foli kështu për Esencën në Report Tv:

-Unë quhem Rachel Levy – Drummer. Jetoj në Israel. Jam lindur dhe rritur në Maqedoni, në Shkup. Qysh e vogël kam dëgjuar histori për familjen Rezniqi. Jam rritur duke dëgjuar se si zoti Asllan Rezniqi, stërgjyshi i Lekës, shpëtoi jetën e gjyshit tim, ku gjatë vitit 1941 ai u dërgua në Kosovë si doktor, në ushtrinë e Jugosllavisë në atë kohë. Stërgjyshi im ishte pjesë e ushtrisë, u ftua nga familja Reziniqi që të shëronte      (mjekonte) një antar të familjes, më saktësisht Mustafa Reziniqin, gjyshin e Lekës. Gjyshi im e mjekoi atë, por më pas u kap nga ushtria gjermane, nga nazistët, kështu kur Familja Rezniqi dëgjuan se çfarë i kishte ndodhur doktorit,  ata shkuan në kamp, e veshën atë me veshje muslimane dhe e larguan nga kampi, pastaj e mbajtën të strehuar në shtëpinë e tyre për 3 muaj, dhe kështu ata i shpëtuan jetën. Disa muaj më pas, kur gjendja u qetësua pak, familja Rezniqi e dërguan gjyshin tim te gruaja dhe dy fëmijet e tij në Maqedoni, në Shkup. Një nga fëmijët ishte nëna ime.

Unë kam lindur pas luftës, dhe jam gjenerata e dytë e Holokausit. E dija që familja Rezniqi ishin miq të ngushtë të familjes sime, shkëmbenin letra mes veti, dhe vizita. Në vitin 1963 kur ndodhi një tërmet i madh në Shkup prindërit e mi dhe vëllai i nënës sime ndërruan jetë. Familja Rezniqi erdhën menjëherë nga Prishtina për të ndihumar gjyshërit e mi për çdo gjë që ata kishin nevojë, sepse për ata ishte një shok i vërtetë, dhe familja Rezniqi po i përkrahnin shumë në ato momente. Kjo është trashëgimia me të cilën jam rritur. Nuk e di se si, por kur gjyshërit e mi u kthyen në Israel, humbën kontaktet me familjen Rezniqi, dhe në vitin 1999 kur filloi lufta në Kosovë, e dinim që shumë refugjatë shkuan në Shkup, dhe pasi Israeli hapi dyert për refugjatët, unë thashë me vete se askush nuk e meriton më shumë se Familja Rezniqi që të strehohet në Israel, dhe kështu fillova kërkimin për familjen Rezniqi, meqë kishim humbur kontaktet. Kërkova përmes gazetarëve, përmes Ministrisë së Jashtme dhe organizatave të tjera që ishin të pranishme në kampet e refugjatëve në Shkup.

Dhe pas disa javesh, Mustafa Rezniqi të cilin e kishte mjekuar gjyshi im, më telefonoi, u prezantua : “Unë jam Mustafa Rezniqi, kam dëgjuar që ju po na kërkoni dhe do të doja tju thoja se ne jemi mirë, nuk do të vijmë si refugjatë në Israel, por jam shumë I lumtur që ju e rikthyet lidhjen tonë“. Disa vite më vonë, në vitin 2010, ishte organizuar një ekspozitë e titulluar “Besa”, e cila paraqiste se si shqiptarët kishin ndihmuar dhe kishin shpëtuar jetën e hebrenjve gjatë Holokausit. Dhe e vetmja familje e pranishme në këtë ekspozitë ishte familja Rezniqi. Zoti  Mustafa Rezniqi erdhi në Israel dhe ne u takuam aty për here të parë. Pastaj filluam një procedurë për ti dhënë familjes Rezniqi statusin “Fisnik Mes Kombeve”, kjo procedurë zgjati 2 vite. Unë kam shkuar në Prishtinë për herë të parë në Mars të vitit 2009, në ceremoninë e ndarjes së këtij tituli, të cilin në emër të babait të tij Asllan Rezniqi e mori z. Mustafa Rezniqi. Aty e kam takuar Lekën për herë të parë, dhe ishte një pikë takimi e një lidhje miqësore shumë të fortë mes dy familjeve tona. Leka edhe sot e vazhdon trashëgiminë e familjes Rezniqi në Prishtinë, dhe dy familjet tona kanë një lidhje  shumë shumë të fortë prej 4 gjeneratash. Mendoj se ne jemi simbol i miqësisë në mes të hebrenjve dhe muslimanëve. Mendoj se të jesh njerëzor është gjëja më me vlerë për ne dhe për familjen Rezniqi, sidomos për Lekën i cili ishte student në programin e Studimeve Ndërkombëtare mbi Holokaustin në Universitetin e Israelit. Ai e viziton shpesh Israelin dhe shpresoj që lidhja jonë aq e fortë dhe aq e ngrohtë e këtyre dy familjeve do të vazhdojë edhe në gjenerata të tjera, sepse besoj që kështu do të sjellim paqe jo vetëm në mes të hebrenjve dhe muslimanve por edhe në botë. Shumë faleminderit për këtë intervistë, e vlersoj teper.

 

B.V/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar