TIRANE - Pas më shumë se 50 vitesh nga vdekja e tij, mbërrijnë në atdhe eshtrat e Mbretit Zog. Në orën 08:18 minuta arkivoli i mbuluar nga flamuri kuq e zi zbriti nga avioni për tu vendosur në shtratin e topit. Pasi u këndua himni i flamurit arkivoli është nisur drejt banesës së Familjes Mbretërore, Rruga Murat Toptani, pallati i vjetër Mbretëror.

Në ceremoninë disa minutëshe që u zhvillua në aeroportin "Nënë Tereza" ndodhej dhe Princi Leka II, e fejuara  e tij, Elia Zaharia, familjarë, dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ministri i Rendit Flamur Noka  dhe ministri i Kulturës Aldo Bumçi, si dhe kreu i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia.

Eshtrat e Mbretit Zog u zhvarrosën dy ditë më parë në varrezat e Thiais-Paris në një ceremoni ushtarake, ku ishin të pranishëm ishin Princ Leka Zogu i II, Zv.Minister i Mbrojtjes, kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, Zëvendësministri i Brendshëm Arben Ristani, Ministrja e Integrimti, Majlinda Bregu,  Drejtor i Protokollit të Shtetit,  Ermal Dredha, Shefe e Sektorit të Ceremonialit, Gentiana Mburimi dhe Keshilltar i Presidentit per Protokollin, Ledio Nuraj.

NESER VARRIMI NE MAUZOLEUMIN E FAMILJES MBRETERORE
Nesër do të zhvillohet dhe ceremonia e varrimit në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore. Fillimisht në ora 09:00 eshtrat e Mbretit Zog do të transportohen nga banesa e Familjes Mbretërore drejt Pallatit të Brigadave, ku do të bëhen homazhet nga ora 10:00 – 12:00. Më pas në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore do të mbajë fjalën Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës  Atifete Jahjaga dhe Princ Leka II.
Në ora 12:30 do të jetë ceremonia e vendosjes së eshtrave në banesën e fundit (Mauzoleumi i Familjes Mbretërore) e cila do të shoqërohet me të shtëna topi nga forcat ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes. Në orën 19.00 Presidenti i Republikës do të shtrojë një darkë për pjesëmarrësit dhe familjarët në Pallatin e Brigadave.

Mbreti Ahmet Zogu lindi më 8 Tetor 1898, në Burgajet- Mat. Në gusht 1956 Mbreti Zog u vendos në qytetin Kanës në Francën Jugore dhe më pas u shpërngul në Paris. Aty ai qëndroi deri në vitin 1961 kur gjendja e tij shëndetësore u rëndua keqas dhe Mbretëresha Geraldine e shtroi në një nga klinikat më moderne të Parisit.

Ndërroi jetë në spitalin “Foch” të Parisit, më 8 Prill 1961. Pak ditë më vonë në bazë të Statutit të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928 Princi Leka I në praninë e qindra shqiptarëve të ardhur nga shumë shtete të botës bëri betimin në hotelin "Bristol" duke u shpallur Mbreti Leka I.

BBC: ESHTRAT E MBRETIT ZOG KTHEHEN NGA FRANCA NE SHQIPERI
BBC publikoi dje lajmin për kthimin në atdhe të eshtrave të mbretit Zog. Ja shkrimi i BBC. 
"Eshtrat e Mbretit Zog, ish- monarkut të Shqipërisë, janë duke u kthyer nga Franca pas më shumë se 50 vitesh nga vdekja e tij. Ato po dërgohen në vendin e vogël ballkanik pasi janë zhvarrosur në varrezën Thiais në jug të Parisit, bën të ditur rrjeti francez RFI. Rreth 100 njerëz raportohet se morën pjesë në ceremoni. Kritikët e akuzojnë qeverinë e Shqipërisë se po mundohet të bëjë kapital politik nga ish- mbreti. Eshtrat e tij do të ekspozohen në kryeqytetin Tiranë, përpara se të vendosen në një mauzoleum të ndërtuar rishtas për familjen mbretërore. Shqipëria aktualisht po feston 100 vjetorin e Pavarësisë nga Perandoria Otomane. Mbreti Zog, emri origjinal i të cilit ishte Ahmet Muhtar Bej Zogolli, e shpalli veten monark në vitin 1928, por u arratis në vitin 1939 kur diktatori italian Benito Mussolini dhe trupat e tij pushtuan Shqipërinë. Në mërgim, ai jetoi për vite të tëra në Angli, më pas në Egjipt, përpara se të vendosej në Francë, ku vdiq në vitin 1961. Djali i tij i vetëm, Princi i Kurorës, vdiq vitin e shkuar pasi dështoi në përpjekjet e tij për të rikthyer monarkinë në Shqipëri. Nipi i tij, Princi Leka, aktualisht shërben si këshilltar politik për presidentin shqiptar, Bujar Nishani.

(sg/shqiptarja.com)