TIRANE - Marrëveshja e përbashkët mes dy qeverive, greke dhe asaj shqiptare për gërmime në disa zona të caktuara për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë dhe italianë në luftën që është në 1940-1941, duket se nuk është pritur mirë nga vendorët në territorin sahqiptar. Në një intervistë kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi konfirmoi se në territoret e komunave të këtij qyteti, nuk gjendet asnjë shenjë që të vërtetojë se këtu ka pasur ushtarë grekë, të cilët më pas janë vrarë dhe varrosur nga shqiptarët. Ndërkohë, në të njëjtën kohë ai përjashtoi dhe rrezikun e krijimit të një dege të partisë greke “Agimi i Artë”, në qytetin e Tepelenës apo dhe rrethinat përreth.

A jeni në dijeni ju për urdhrin e lëshuar nga Ministria e Brendshme, e cila udhëzon që në qytetin e Tepelenës dhe më konkretisht në komunën e Hormovës duhet të fillojnë gërmime për gjetje të eshtrave të ushtarëve grekë?
Në bashkinë e qytetit të Tepelenës nuk ka ardhur asnjë shkresë e tillë. Por kjo shkresë mund të ketë shkuar në komunat përreth, të cilët marrin vendimet e tyre nëse do të pranojnë apo jo që të fillojë një proces i tillë, kjo sigurisht duke u konsultuar edhe me ne.

Nga qyteti i Tepelenës, sipas palës greke dyshohet se eshtra të ushtarëve grekë mund të gjenden në komunën e Hormovës, sa e vërtetë qëndron kjo?

Nga sa kam dijeni edhe me kryetarin e kësaj komune, nuk mund të jetë e vërtetë një gjë e tillë e pretenduar nga pala greke. Unë mund të them se në Tepelenë apo dhe komunat përreth nuk ka pasur asnjë trup të ushtarëve grek, kjo edhe në bazë të banorëve në këtë komunë.

Një tjetër temë e nxehtë që ka sjellë reagime në gjithë jugun e vendit është pikërisht rreziku i krijimit në fshehtësi të një dege të partisë greke “Agimi i Artë”. A ka të dhëna se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në këtë qytet?
Në qytetin tonë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë rrezik për krijimin e një dege të kësaj partie. Këtë e them me bindje të plotë, pasi nga informacionet që kam, asnjë qytetar i këtij vendi nuk do të lejonte një gjë të tillë, kjo qoftë edhe për interesa të ndryshme që mund të ofrojë kjo parti në këmbim të anëtarësimeve në të.

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com
Redaksia Online
(bm/Shqiptarja.com)