Beteja e Elida Cangonjit me drejtësinë nuk ka qenë e lehtë. Edhe pse ajo dhe të tjerët e dinin fare mirë se firmat e tyre në kontratën e dorëzuar në Bashkinë e Tiranës në 26.01.2005 nga firma Gener2 ishin të falsifikuara, “ekspertët e prokurorisë, në një ekspertizë të parë, në mënyrë të turpshme deklaruan se firmat ishin tonat”, thotë Cangonji. U desh ndërhyrja e kryeprokurores së atëhershme Ina Rama, e cila urdhëroi riekspertim të firmave, që nxorri të vërtetën e hidhur që denoncon Cangonji: Firmat ishin të falsifikuara.

Pikërisht  eksperti  kriminalist Xhevair Çeloaliaj, del me këtë konkluzion në vitin 2012, pasi bën ekspertizën e të gjitha gërmave të firmës: «Nënshkrimi i plotësuar poshtë shtypshkrimit Ilir Foti (Djali i Elida Cangonjit), objekt ekspertimi, në dokumentin «Kontratë sipërmarrjeje datë 26.01.2005» (ekzemplari i sekuestruar në Bashkinë Tiranë), nuk është shkruar nga Elida Cangonji». I njëjti rezultat nga eksperti kriminalistik Çeloaliaj jepet edhe për firmën e Musa Cangonjit (babai i Elidës dhe pronar i një pjese)si dhe nga Ilir Selenica, përfaqësuesi i një pjese tjetër prone dhe firmëtar i Kontratës së akuzuar».