TIRANE- Mos dhënia e një përgjigje nga ekspertia vlerësuese, nëse kompania “Belle Air” mund të ristrukturohet ose jo, ka shtyrë për në datën 30 dhjetor procesin gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Tiranës, për falimentin e kompanisë ajrore. Ekspertia e caktuar nga gjykata, është paraqitur në sallën e gjyqit me një ekpertim të paplotësuar, pasi nun i ka dhënë përgjigje pyetjes së bërë nga gjykata, nëse kompania “Belle Air” ka mundësi të ristrukturohet ose jo. Në kushtet e pamundësisë së ekspertes për të shprehur, ka reaguar avokati mbrojtës i kompanisë “Belle Air”, i cili i ka kërkuar trupit gjykues që të merrte masa të menjëhershme, me qëllim sigurimin e padisë, për të shpëtuar kompaninë ajrore nga zyrat përmbarimore që kanë filluar bllokimin e pasurive.

Ndërkohë gjatë shqyrtimit të çështjes gjykata ka pranuar si palë në proces dhe tre shoqëri të tjera, të cilët janë kreditorët. Në 24 nëntor qindra qytetarëve iu bllokuan biletat e fluturimit me kompaninë “Belle Air”, pasi kjo e fundit deklaronte falimentin. Lidhur me këtë çështje prokuroria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës kanë nisur një hetim paralel ndaj kompanisë ajrore “Belle Air”. Momentalisht hetimi është në fazën fillestare të verifikimit të dokumentacionit, ndërkohë shumë shpejt pas kësaj pritet të merren në pyetje administratorët e kompanisë si dhe qytetarët që mbetën të bllokuar në terminalet e aeroporteve. Kompania “Belle Air” u vu në vështirësi financiare për shkak të një detyrimi prej 6.5 milion euro të papaguar drejtorisë së tatimeve.


 Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)