Ëndrra e një regjisori
amerikan në Tiranë

Ëndrra e një regjisori<br />amerikan në Tiranë
TIRANE - Regjisori amerikan, John Bondell, do ta sjellë në Teatrin Kombëtar në Tiranë më 31 maj në një gjuhë moderne komedinë “Ëndrra e një nate vere”. Bisedojmë me të. 30 vjet më parë, kjo gjë nuk do të ndodhte, nuk mund të kishte kurrsesi një regjisor amerikan në Tiranë, jo vetëm në Shqipëri, por në shumë raste, në të gjithë Europën Lindore. Këto janë fjalët e para të tij në intervistën për “Shqiptarja.com”. “Për sa i përket teatrit, fakt është që praktikat e teatrit në Europën Qendrore dhe Lindore kanë filluar të bëhen pjesë e mënyrës amerikano-veriore të të menduarit dhe ka më shumë komunikim ndërmjet Europës Perëndimore dhe Amerikës së Jugut, Azisë”, thotë John Blondell, të cilin e shohim çdo ditë duke zhvilluar prova intensive me aktorët shqiptarë, si Neritan Liçaj, Helidon Fino, Olta Dako, Florian Agalliu, Ervin Bejleri, Elia Zaharia, Vasian Lami, Eriona Kakeli, Valbona Imami, etj.

Këta janë kasti i aktorëve që do të interpretojnë “ëndrrën shekspiriane”, alla amerikane, të regjisorit John Blondell në Tiranë. Aktorët shqiptarë i ka njohur në Festivalin Ndërkombëtar të Shekspirit, ndaj ka pranuar të realizojë produksionin e tij të tretë mbi këtë vepër të Shekspirit në Teatrin Kombëtar, ku në fillim të këtij viti ai ka zhvilluar audicione për premierën e re. Blondell ka realizuar më parë edhe vepra të tjera të Shekspirit si “Makbeth”, “Otello” e “Jul Çezar”, por “Ëndrra e një nate vere”, sipas tij “është një nga gjuhët më të bukura të vëna ndonjëherë në skenë”. Ai mezi pret çastin të dëgjojë duartrokitjet e publikut shqiptar. Bondell është i bindur në suksesin e premierës, siç është i bindur se është koha e qasjes globale te praktikat shekspiriane, ndërsa beson se “Shekspiri do ta shpëtoj teatrin”

Z. Bondell, ju keni bërë disa audicione dhe tani ktheheni për të përgatitur një premierë. Çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet tuaja me aktorët shqiptarë gjatë provave?
-Kur bën audicione ke gjithmonë disa të dhëna dhe ide se çfarë mund të bëjë aktori potencialisht. Dhe gjatë procesit të punës ato të dhëna dhe ide bëhen një ide e madhe ose një histori e plotë. Kjo është një nga gjërat që dua vërtet nga teatri, që në një kohë të shkurtër audicioni aktori duhet të tregojë se çfarë mund të bëjë potencialisht dhe gjatë procesit të ndërtojë diçka të plotë, të pasur dhe imponuese. Kështu që, nuk ka asnjë surprizë për mua këtu, në sensin që kam pasur grimca të asaj që mendoja se kushdo mund të bënte dhe fillonin të zhvillonin pasurinë, humorin e performancës, pasurinë emocionale të asaj që bëjnë dhe vokalin e asaj që mund të bëjnë. Kështu që jam i emocionuar nga ajo që aktorët po bëjnë, janë një grup i jashtëzakonshëm, dhe po fillojnë të punojnë në një mënyrë shumë të plotë dhe organike.

Në ç’gjendje është teatri në këto 20 vjetët e fundit në botë?
-Mendoj se është një periudhë jashtëzakonisht e pasur për teatrin dhe në disa mënyra është e paprecedentë, sepse në 20 vitet e fundit, me ndryshimet që ju kanë ndodhur juve politikisht, është e lejuar që këto lloj gjërash të ndodhin. Sigurisht që 20 vjet më parë, 30 vjet më parë, kjo gjë nuk do të ndodhte, nuk mund të kishte kurrsesi një regjisor amerikan në Teatrin Kombëtar. Jo vetëm në Shqipëri, por në shumë raste, në të gjithë Europën Lindore. Kështu që, transformimi që ka ndodhur, për sa i përket teatrit, është që praktikat e teatrit në Europën Qendrore dhe Lindore kanë filluar të bëhen pjesë e mënyrës amerikano-veriore të të menduarit dhe ka më shumë komunikim ndërmjet Europës Perëndimore dhe Amerikës së Jugut, Azisë. Në këtë sens teatri duke ndjekur çfarë pjesa po bën pjesa tjetër e botës, po bëhet gjithmonë e më shumë një ndërmarrje globale. Kërkohen aftësi për të qenë pjesë e atij penetrimi në metodat dhe orientimet e teatrit. Një nga mënyrat se si kjo po ndodh është nëpërmjet qasjes globale te Shekspiri dhe në librat e historisë që do shkruhen pas qindra vjetësh, një nga gjërat për të cilat do flitet është qasja globale te praktikat shekspiriane.
 
Mendoni se do të mbijetojë teatri në epokën dixhitale?
-Teatri ka ndryshuar gjithmonë. Dua të them që teatri është gjithnjë në proces krijimi të vetvetes. Dhe teatri i përgjigjet energjisë së re të kulturës dhe kultura i përgjigjet asaj që i ndodh teatrit. Kështu që është një kohë e pabesueshme, e ndryshme nga të tjerat më parë, sepse mundësitë e shumta të udhëtimit dhe punës me një përzierje kulturash dhe kombësish.

Pse ju si regjisor i referoheni kryesisht Shekpirit, mendoni se ai ose autorët antikë e rilindin teatrin?
-Kjo është një pyetje e madhe. Shekspiri është shkrimtari më i performuar i botës, pa dyshim. Dhe për sa i përket tekstit Shekspiri është shkrimtari më i mirë për aktorin, sepse Shekspiri ofron kaq shumë mundësi të ndryshme për të në skenë, në termin e gjuhës, në termin e luajtjes në mënyra të ndryshme dhe jep mundësi të mëdha aktorëve. Gjithashtu dhe historitë e tij janë shumë të përshtatshme me kushtet e reja në shtetet e ndryshme ku ai performohet. Dhe punët e Shekspirit mund të kenë rezidenca të ndryshme në kultura të ndryshme dhe kjo është pjesë e bukurisë në shkrimet e tij. Shekspiri do ta rilind teatrin.
 
Më tregoni si po ia kaloni me aktorët shqiptarë. Si komunikoni me ta?
-Më pëlqejnë shumë këta aktorë, janë aktorë shumë fizikë dhe mua më pëlqen ta shkrij fiziken me verbalen dhe emocionalen dhe ata e bëjnë këtë shumë mirë. Janë interesantë në mënyrën si e organizojnë aspektin emocional të performancës. Atyre u pëlqen të luajnë dhe mua më pëlqen të krijojë një ambient pune intrigues, lojë serioze për qëllime serioze, por duhet të ketë edhe një situatë komike dhe ata e kanë çuar në atë cak dhe janë shumë të mirë për qëllimet përfundimtare të punës. Dua të them që kjo është një eksperiencë transformuese për mua. Më pëlqen shumë të punoj për këtë pjese sepse është një pjesë që flet për ndryshimin, transformimin, implikimet e ndryshimit. Por pjesë e kësaj ka qenë mënyra sesi unë ndryshoj, kur unë punoj me një grup aktorësh. I kam shumë për zemër këta aktorë dhe jam afruar shumë me ta dhe kjo është gjithmonë e rëndësishme, është një gjë e rëndësishme për mua. Mua më pëlqen që të punoj me miq dhe jo vetëm të vij këtu e të bëj një punë. Kjo ka ndodhur dhe unë ndiej se po punoj me miq dhe kemi një lidhje të mrekullueshme. Kjo e bën të mrekullueshme për të dyja palët dhe gjithashtu e bën të dhimbshme kur mendoj se do largohem në pak më shumë se një javë.
 
Nuk ju pengon fakti që aktorët flasin shqip?
-Mund të dalloj mendimet e personazhit. Dhe gjuha është shprehëse e mendimit. Kështu që përpiqem të zhvilloj gjuhën, të folurin dhe të menduarin që unë dua. Kështu që ajo çfarë bëj është gjurmimi i ndryshimit të mendimit të personazhit. Mendoj se e di çfarë janë ndryshimet e mendimit në anglisht dhe nëse pjesa është përkthyer korrektësisht, atëherë ato mendime do të jenë të njëjtat. Ajo çfarë kam mësuar të dëgjoj dhe shoh, janë mendimet e personazheve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari