Euro 2016, trajneri De Biasi e ka
gati formacionin përballë Zvicrës

Euro 2016, trajneri De Biasi e ka<br />gati formacionin përballë Zvicrës
Skema fituese nuk ka pse ndryshon. Kjo është aksioma që trajneri i kombëtares sonë, Gianni De Biasi, do t’i qëndrojë besnik. Pas shumë provave që ka bërë në këtë fazë përgatitore trajneri ka vendosur që t’i kthehet skemës që i dhuroi Shqipërisë pjesëmarrjen në Kampionatin Europian. Në debutimin përballë Zvicrës, të shtunën në Lens, trajneri kuqezi pritet ta rreshtojë skuadrën me skemën 4-5-1, me një mesfushë solide, që do t’i lejojë pak hapësira kundërshtarëve.

Formacioni
Nga informacionet që mbërrijnë nga Franca pritet që përpara portierit Etrit Berisha, në qendër të mbrojtjes të jenë dyshja e përbërë nga Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj, Elseid Hysaj do të jetë në krahun e djathtë, ndërsa Ansi Agolli majtas.

Në mesfushë, Burim Kukeli është plotësisht gati për të luajtur përpara mbrojtjes, në rolin e organizatorit. Përpara tij në qendër janë Amir Abrashi dhe Taulant Xhaka, dy lojtarët që do të mbajnë peshën më të madhe të mesfushës gjatë sfidës me Zvicrën, sidomos në fazën mbrojtëse.

Odise Roshi nga e djathta dhe Ermir Lenjani nga e majta do të kenë detyrën e zakonshme që të nisin kundërsulmet e Shqipërisë, në mbështetje të Armando Sadikut, që duket se e ka fituar balotazhin në sulm me Cikalleshin dhe Balajn. Kjo është taktika e provuar nga De Biasi në stërvitje, me kuqezinjtë që pritet të luajë njësoj si në miqësoren e fundit kundër Ukrainës, me ndryshimin se në qendër të mesfushës kthehet Kukeli, ndërsa Ergys Kaçe ulet në stol.

Stërvitja e fundit në Perros Guirec
Kombëtarja zhvilloi dje pasdite seancën e fundit stërvitore në Perros Guirec në prag të ndeshjes me Zvicrën. Pasditen e kësaj të Enjte, trajneri De Biasi kishte rezervuar kryesisht një stërvitje me ngarkesë të ulët fizikët, me shumë ushtrime relaksuese pas disa ditëve të ngarkuara fizike.

Ndërkohë që në pjesën e dytë larg syve të kamerave, trajneri kreu disa ushtrime taktike duke përdorur dhe disa nga skemat që mund të aplikojë përballë Zvicrës.

Paradite pushim
Ekipi kuqezi qëndroi pushim gjatë paradites së të enjtes, pasi seanca u anulua nga trajneri Gianni De Biasi. Ky vendim u mor nga trajneri për t’I dhënë mundësi skuadrës që të shplodhet, në prag të debutimit të së shtunës në Kampionatin Europian, në sfidën me Zvicrën.

Stafi teknik zgjodhi që lojtarët të pushojnë pas stërvitjes me ritme shumë të larta, nga grumbullimi në Austri, për të vazhduar me përgatitjet në Itali dhe tashmë në Francë. Pushimi është kërkuar edhe nga vetë lojtarët, për të rikuperuar forcat.

Kontrolli anti-doping
10 futbollistë të kombëtares i nënshtruan dje testeve antidoping. Në mesditën e së enjtes, përfaqësues të UEFA mbërritën në Perros Guirec, ku ndodhet skuadra jonë përfaqësuese, duke përzgjedhur 10 lojtarët që kryen këto kontrolle që bëhen vazhdimisht nga qeveria e futbollit europian.

Ata që u thirrën për të kryer testet antidoping ishin Andi Lila, Frederik Vesli, Migjen Basha, Armando Sadiku, Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka, Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Bekim Balaj dhe Odise Roshi. Ndërkohë, një test i tillë është kryer edhe gjatë fazës përgatitore në Austri, por atë kohë, UEFA kishte zgjedhur tetë lojtarë të tjerë.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Cërrik/ Qëlloi me armë zjarri në ajër në fshatin Liçaj, në pranga 36-vjeçari! Iu kap municion luftarak

Cërrik/ Qëlloi me armë zjarri në ajër në fshatin Liçaj, në pranga 36-vjeçari! Iu kap municion luftarak