Euro 2020/ Qetësia olimpike e Jorginho-s ‘vret’ Spanjën, Italia në finale falë ‘ruletës ruse’! Shpërthejnë lotët në Wembley
Dramatike ka rezultuar gjysmëfinalja e parë e kampionatit europian ku Italia ka mposhtur vetëm me penallti Spanjën. 120 minutat u mbyllën me shifrat 1-1, ndërsa nga 11-metrat spanjollët nuk u treguan të saktë. Për Italinë kjo do jetë finalja e dytë në tre Europianët e fundit.
Ernest Koçi 6 Korrik 2021, 20:02 | Përditesimi: 7 Korrik 2021, 07:51
Italia është finalistja e parë e kampionatit europian. ‘Axurrët’ e drejtuar nga Roberto Mancini kanë eliminuar me penallti në gjysmëfinalen e Londrës Spanjën, pasi 120 minutat duke përfshirë edhe shtesën u mbyllën me rezultatin 1-1.
Në Londër sfida nisi vrullshëm me të dy kombëtaret që patën raste të arta shënimi, por pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura. Në fraksionin e dytë të lojës të parët që kaluan në avantazh ishin ‘axurrët’ falë Frederico Chiesa-s, që u tregua vrastar në zonë, duke mos i lënë mundësi reagimi mbrojtësve dhe portierit.
Në vijim La Roha e Enrique-s rriti ritmin dhe 10 minuta para fundit riktheu baraspeshën me Morata-n, që konkretizoi një aksion të denjë për librat shkollor me Dani Olmo-n.
Koha e mbetur në dispozicion ishte e pakët për të ndryshuar shifrat dhe ndeshja iu drejtuar fillimisht shtesës ku Spanja ishte më kërkuese, por në fund të 120 minutave ishin të domosdoshme penalltitë.
‘Ruleta ruse’ fillimisht nuk shkrepi mirë për Locatelli-n që gaboi penalltinë e parë për Italinë, ndërsa më keq akoma goditi Olmo për Spanjën. Më tej realizuan saktësisht Belotti, Moreno, Bernandescki, ndërsa më tej Morata nga hero u kthye në dështim, pasi Donaruma i kuptoi krahun.
Penalltinë vendimtare e mori përsipër Jorginho, që me qetësi olimpike mposhti Morenon dhe vulosi kualifikimin e Italisë në finale.
Në fund pati lot zhgënjimi në kampin spanjoll, ndërsa Italia duhet të presë gjysmfinalen tjetër Angli-Danimarkë për të mësuar kundërshtarin e finalës që luhet të dielën po në Londër.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:45
Olmo dhe Morata gabojnë te penalltitë, Jorginho vulos fatin e Italisë! ‘Axurrët’ në finalen e Londrës
Italia ka shkuar në finale të kampionatit europian, pasi ka mposhtur 4-2 me penallti Spanjën. Lot në fund të ndeshjes te kombëtarja ‘La Roha’.
Aksion magjepsës me Olmon, Morata barazon shifrat! Itali-Spanjë drejt shtesës
80’ Alvaro Morata ka barazuar shifrat për Spanjën pak minuta para fundit të lojës së rregullt. Ishte një kombinim magjepsës me Dani Olmon që u konkretizua në mënyrën e duhur.
Chiesa bën magjinë në Wembley, kalon Italinë në avantazh kundër Spanjës
60’ Frederico Chiesa ka kaluar në avantazh Italinë kundër Spanjës. Sulmuesi italian ka realizuar një gol fantastic, duke shtangur jo vetëm mbrojtjen, por edhe portierin Unai Simon.
Pjesa e parë mbyllet me drithërima më portën e spanjollëve, Palmeri godet traversën
45’ Është mbyllur me porta ta paprekura pjesa e parë e gjysmëfinales Itali-Spanjë. Vlen për t’u theksuar një traversë në minutën e 44 të goditur nga mbrojtësi italian Palmeri.
Sa fat kane keta italianet
Përgjigju