Franca, që ishte pretendetja kryesore për fitimin e kampionatit europian, është eliminuar nga Zvicra në fazën e 1/8 me penallti. Në Bukuresht 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan me shifrat 3-3, por që brenda kishin shumë dramë.
Ndeshja fillimisht u zhbllokua nga Seferovic me kokë në minutën e 15 që shtangu ‘gjelat’. Të besuarit e Deschamps u përpoqën të reagonin, por në minutën e 55 ishin me shumë fat kur Rodriguez gaboi një penallti që u prit nga Lloris.
Episodi iu dha zemër kampionëve të botës të cilët më pas përmbysën shifrat me ‘dopietën’ e Benzemas që realizoi dy herë në harkun e 3 minutave. U duk se gjithçka përfundoi kur në minutën e 75 Poul Pogba realizoi ndoshta golin më të bukur të Europianit duke i çuar shifrat në 3-1.
Ndoshta edhe mendja më e çmendur u dorëzua pas këtij goli por Zvicra jo. Fillimisht Seferovic dhe më pas Gavranovic, që realizoi në minutën e 90, dërguan në shtesë ndeshjen që bëri me zemër tifozët e të dy skuadrave. 30 minutat nuk prodhuan asgjë, ndërsa te penalltitë ‘helvetët’ u treguan më të saktë. I vetmi që gaboi ishte Kylian Mbappe për Francën, duke i dhënë mundësinë Sommer të bëhej heroi i mbrëmjes.
Në fazën çerekfinale Zvicra do të përballet me Spanjën të premten më 2 korrik në stadiumin e Petersburgut në Rusi.