Kombëtarja shqiptare humbi 0-1 ndaj Spanjës në ndeshjen e tretë dhe të fundit për Grupin B të Euro 2024 dhe me vetëm një pikë është zyrtarisht e eliminuar nga "Gjermani 2024". Ish-trajneri i kombëtares shqiptare Gianni de Biasi, në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se Shqipëria doli me kokën lart nga ky turne.

‘Ishte një ndeshje shumë e vështirë, Spanja kishte një skuadër te re. Shqipëria doli me kokën lart. Është një Spanjë krahasim me Shqipërinë një skuadër krejt ndryshe pavarësisht zëvendësimeve.’- u shpreh De Biasi.

I pyetur në lidhje me aktivizimin e sulmuesit Armando Broja, ish-trajneri theksoi se Sylvinho i di më mirë se analistët zgjedhjet që bën, pasi e njeh më mirë skuadrën.

‘Besoj se analistët apo ata që bëjnë komente pas ndeshjeve nuk e njohin realitetin, sa çe njeh trajneri. Zgjedhjet e trajnerit janë zgjedhjet duhura pasi ai njeh kushtet si janë fizikisht, unë besoj se nuk mund të diskutohet ajo që zgjedh trajneri. Ata marrin vendime pasi bëjnë shumë analiza.’- u shpreh De Biasi.

Sa i takon qëndrimit të Sylvinhos në kombëtaren shqiptare, De Biasi, tha se kjo është një e drejtë e FSHF-së, por ai ka bërë një punë shumë të mirë.

‘Kjo është një e drejtë e FSHF-së por ka bërë një punë të mirë e ka çuar Shqipërinë në Kampionatin Evropian në një kohë të shkurtës. Ka bërë një punë të mirë dhe pse jo duhet të qëndrojë dhe të vijojë të jetë në krye të kombëtares shqiptare.’- u shpreh De Biasi.