Tirane- E vendosur në një nga grupet më të frikshme të Euro 2024, Shqipëria shkon sot në ndeshjen e saj të fundit të kësaj fazë kundër Spanjës me një fije shprese për të arritur në raundet me eliminim të drejtpërdrejtë për herë të parë në historinë e saj.

Kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi të postuar në rrjete sociale i jep zemër skuadrës së kombëtares e cila shanset në letër i ka 100% të pamundura por topi është i rrumbullakët. 

Rama shkruan se Spanja është ekipi më i frikshëm në grup por në mbrëmje 12 lojtarët kuqezi, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur.

"Askush nuk do ta besonte me mendje - me zemër tjetër punë - që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”

Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen

Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë

Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EUR2024-ës"

Ndeshja nis sot në ora 21:00 në Arena Dusseldorf. Përballë Spanjës, kuqezinjtë do të tentojnë kualifikimin për një vend në fazën 1/8.