Euro bie në 129 lekë, vlera më e ulët në 9 vitet e fundit

Nuk ka të ndalur rënia e euros. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka pësuar dje rënien e rradhës, duke zbritur në 129 lekë, ose 0.88 lekë më pak se një ditë më parë. Një vit më parë, në të njëjtën datë, një euro këmbehej me 135.88 lekë. Ky është niveli më i ulët që nga 21 korriku i vitit 2009. 
Por edhe dollari është në fiksuar kuotën e 105 lekëve, me rënie 0.46 lekë kundrejt ditës së hënë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur këmbehej me 127.5 lekë, rënia e dollarit është më e shpejtë. Monedha e gjelbër ka zbritur në nivelin më të ulët që nga gushti 2014.

Procesi rënës i valutave ka nisur që nga fillimi i këtij viti, por gjatë tri javëve të fundit po kthehet në një fenomen shumë të theksuar. Në këto javë, euro ka humbur 3 lekë. Ekspertët e tregut pohojnë se arsyet mbeten të njëjta: oferta e lartë në valutë dhe kërkesa e dobët për monedhën vendase. Ata vlerësojnë se janë disa arsyet pse është shtuar sasia e euros në qarkullim. Së pari, burimet informale, duke përfshirë valutën që gjenerohet nga aktivitetet kriminale, por edhe nga korrupsioni dhe evazioni fiskal. Së dyti, janë shitjet e pasurive të patundshme. Ekspertët vlerësojnë se janë shtuar shitjet e shtëpive në zonën e bregdetit nga vendas, emigrantë, por edhe shtetas të huaj dhe kjo ka rritur sasinë e parasë “cash” në qarkullim. Të gjitha këto transaksione janë në euro.

Ndërkohë, importuesit dhe tregtarët po tërheqin më pak euro nga tregu për të blerë mallra, pasojë e drejtpërdrejtë e faktit të ngadalësimit të qarkullimit tregtar në vend. 
Ndërkohë, një tjetër faktor është edhe efekti psikologjik tek një pjesë e qytetarëve. Përballë faktit që euro po pëson çdo ditë rënie, ka nga ata që po nxitojnë të kthejnë kursimet, të cilat i kanë në euro, me lekë, duke shtuar kështu ofertën për valutë në treg, e cila, në një rreth vizioz, ndikon më pas, në një ulje të mëtejshme të vlerës së valutës europiane në tregun vendas.

Banka e Shqipërisë ka blerë euro së fundmi për nevojat e saj të rezervave valutore, por kjo duket se nuk ka ndikuar në frenimin e euros. 
Ndërkohë, me afrimin e verës, oferta e valutës pritet të rritet, nga prurjet e emigrantëve dhe turistëve, që këtë vit pritet të jenë më të shumtë në numër.
Në Shqipëri, 1/3 e familjeve vijojnë të jetojnë me valutën e huaj që vjen nga emigracioni, u theksua edhe dje, në një mbledhje të organizuar nga ana e Bankës Botërore në Tiranë, lidhur me remitancat. Ky “lumë” parash vazhdon të ndikojë në kursin e këmbimit me lekun. Ndërkohë, fushata me nismë të Bankës së Shqiprisë për de-euroizimin ende nuk është artikuluar shumë qartë dhe do të duhej kohë që shqiptarët të heqin dorë nga pagesat e rënda në euro për blerje të tilla, si banesat apo trojet e makinat.
 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elio: 24/03/2018 16:55

    Jane efektet e kembimit ne lek te eurove te gjeneruara nga trafiku hashashit te qeverise

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s