Lekut po i rritet pesha në ekonomi, por euro ende ‘nuk dorëzohet’. Edhe pse monedha vendase po fiton terren dhe monedha evropiane vijon të zhvlerësohet, përdorimi i valutës mbetet i lartë në kursime, kredi dhe borxhe.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, 50.9% e totalit të depozitave në banka ishin në valutë, ndërsa niveli i kredive në valutë arriti në 43.5% të totalit të tyre.

Edhe borxhi i qeverisë vijon të ketë një ekspozim të konsiderueshëm ndaj valutës. Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, 41.05% e borxhit të përgjithshëm të qeverisë ishte në valutë, ndërsa euro përbënte rreth 82.6% të borxhit në valutë.

Ekspozimi është i lartë sidomos në depozita, janë gati 7.8 miliardë euro kursime në valutë, të cilat preken direkt nga zhvlerësimi. Konvertimi i kursimeve në lekë është automatikisht me vlerë më të ulët.

Kurse një mbiçmim i tyre do rriste depozitat, por do të shtrenjtonte kostot e borxhit dhe të kredive të marrë në monedhë të huaj.

Banka vlerëson se duhet të mbeten në fuqi masat e deeuroizimit të miratuara rreth 1 dekadë më parë.

“Niveli i euroizimit mbetet ende relativisht i lartë, veçanërisht në segmentin e depozitave dhe të kreditimit. Në këto kushte, procesi i deeuroizimit kërkon vijimësinë e masave ekzistuese dhe një qasje të qëndrueshme afatgjatë”, thuhet në raport.

Banka e Shqipërisë thotë se zhvlerësimi i euros është ndikuar nga dërgesat e emigrantëve, investimet dhe jo vetëm pasi edhe turizmi në të gjitha hallkat e tij po sjell valutë në vend.

“Zhvillimi i turizmit urban, mjekësor dhe i vizitave afatshkurtra ka bërë që edhe gjashtëmujori i parë i vitit të karakterizohet nga një ofertë më e lartë valutore krahasuar me të kaluarën”, thuhet në raport.

Aktualisht një euro po këmbehet me 92 lekë, duke rënë me 5.4% në raport me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa dollari amerikan nga 83.7 lekë vjet e mbyll gushtin e këtij viti duke u këmbyer me mesatarisht 79 lekë.