Euro prek nivelin më të ulët pas sezonit turistik, po këmbehet me 104.6 lekë! Si ndikon tek ekonomia, bizneset e qytetarët?

Euro prek nivelin më të ulët pas sezonit turistik, po këmbehet me 104.6 lekë! Si ndikon tek ekonomia, bizneset e qytetarët?

Euro ka zbritur në nivelin më të ulët që prej gushtit të këtij viti. Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë këtë të mërkurë një euro po u blihet qytetarëve për 104.27 lekë, ndërsa pikat e këmbimit valutor ua shesin qytetarëve me 105.02 lekë. Ndërkohë kursi mesatar i këmbimit i euros është 104.65 lekë.

Kur euro këmbehet nëpër banka çmimi është edhe më i ulet pasi u blihet qytetarëve me 101 lekë dhe u shitet deri në 107 lekë.

Shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros por edhe të dollarit sipas Bankës së Shqipërisë por edhe qeverisë është turizmi, dhe fluksi i lartë i prurjeve valutore. Por nga ana tjetër ndikim në këtë forcim të lekut jep edhe shtrëngimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, ndikuar prej rritjes së normës bazë të interesit.

Rritja e normës bazë të interesit e bën më të fortë lekun, përballë monedhave të huaja.

Po ashtu ndikim në këtë nëncmim të euros jep edhe informaliteti, si dhe mungesa e importit të lartë të energjisë, pasi në këtë periudhë po eksportohet e për pasojë më shumë euro po hyn në vend, ndryshe nga sa ndodhi vjet ku miliona euro dilnin nga tregu për të blerë energji.

Ndikim japin edhe remitancat apo investimet direkte, që janë në rritje në krahasim me vitin e kaluar.

Ky zhvlerësim i lekut për buxhetin e shtetit, bizneset e qytetarët ka avantazhe e disa avantazhe. Ka ndikim në shlyerjen e borxhit në valutë. “Për shembull nëse një këst borxhi prej 10000 euro vjet kushtonte 1,16 milionë lekë, këtë vit vërtitet rreth vlerës 1 milion lekë deri në 1 milionë e 50 mijë lekë”.

Pra qeveria paguan më pak për të shlyer borxhin në valutë. E njëjta gjë ndodh edhe për qytetarët që kanë kredi në euro, kësti i tyre vlen më pak kur e këmben në lekë.

Kurse efekti negativ lidhet me zhvlerësimin e të ardhurave. Qytetarët që marrin pagat në euro, prej këtij nënvlerësimi rroga i këmbehet në më pak lekë. Konkretisht nëse vjet në këtë periudhë një rrogë me vlerë 1000 euro konvertohej në 116 mijë lekë, këtë vit e njëjta pagë vlen vetëm 104-105 mijë lekë.

Ndërsa buxheti i shtetit fiton më pak para nga të importet, pasi për shkak të zhvlerësimit të euros mblidhen më pak para nga TVSH-ja në doganë dhe nga akciza.

Kurse sa i takon bizneseve, humbësit më të mëdhenj janë eksportuesit, pasi për të njëjtin sasi malli që eksportojnë fitojnë më pak pasi këmbimi euro në lekë është shumë më i ulët se vjet. E kundërta janë importuesit, pasi ata përfitojnë nga zhvlerësimi i euros pasi ata blejnë në euro dhe shesin në lekë.

Vetëm si pasojë e rënies së euros, buxhetit të shtetit në 9 muaj i mungonin rreth 11 miliardë lekë, pasi planifikimi për të ardhurat nga TVSH-ja në import ishin bërë me kursin e vitit të kaluar kur euro ishte midis vlerave 116-120 lekë.

Euro nuk do e ndalojë rënien
Në katër tetor të këtij viti guvernatori i bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se forcimi i lekut po ndihmon në mbajtjen në kontroll të inflacionit për këtë arsye banka nuk do të ndërhyjë në treg.

Duke e konsideruar këtë nivel kursi si normalitetin e ri, Sejko paralajmëroi operatorët e tregut që të tregohen të kujdesshëm, pasi luhatjet do të vazhdojnë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori