Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vizituar ditën e sotme dy “Fan Zone”, të ngritura në kuadër të Euro2024, njëra në sheshin “Skënderbej” dhe tjetra te stadiumi “Selman Stërmasi”.
Gjatë inspektimit në këto hapësira sportive, dedikuar tifozëve, Veliaj ftoi gjithë qytetarët e Tiranës të vijnë të festojmë së bashku. Ai theksoi se në shesh është krijuar koncepti i një fushe sportive, në mënyrë që të gjithë të ndihen sikur janë në stadium.
“Kjo është hapësira më e madhe sportive sot në Tiranë. Atmosfera më e afërt me atë që po ndodh në Gjermani me Kombëtaren tonë. Në ‘Fan Zone’ ka nga diçka për të gjithë, edhe për ata që duan të shohin ndeshjen, të cilëve u kemi rezervuar pjesën qendrore. Kemi imituar një fushe futbolli sepse praktikisht të gjithë mund të ndihen sikur kanë zbritur në fushë për të qenë lojtari i 12-të dhe për të çuar energji pozitive nga Tirana”, deklaroi Veliaj.
Ai shtoi se gjatë muajit që do të zhvillohet Kampionati Europian, në sheshin “Skënderbej” është planifikuar të ketë aktivitete për të gjitha moshat. Në orët kur nuk ka ndeshje, “Fan Zone” do të jetë një arenë feste për të mbështetur kombëtaren tonë.
“Duam t’ia kalojmë mirë, do të kemi edhe DJ, edhe koncerte. Tirana do të jetë e gjitha në festë për të mbështetur Kombëtaren, për të kaluar mirë dhe për ta shijuar këtë eksperiencë, që nuk ndodh çdo vit. Është konceptuar si një mjedis familjar, ka diçka edhe për për prindërit, edhe për fëmijët. Të gjithë janë të mirëpritur”, deklaroi kryebashkiaku.
Një hapësirë e veçantë u është kushtuar edhe të huajve që vizitojnë vendin tonë gjatë muajve të verës, të cilët duan të mbështesin kombëtaret e tyre gjatë Euro 2024. Veliaj tha se pjesë e “Fan Zone” në sheshin “Skënderbej” do të bëhen edhe ambasadat mike të vendit tonë, që kanë komunitetin e tyre në Shqipëri.
Kur u ndal te stadiumi “Selman Stërmasi”, Veliaj tha këtu qytetarët do t’i shijojnë ndeshjet dhe koncertet në një stadium të vertetë.
"Ky stadium do të kthehet në një arenë të vërtetë, ku do të luajë lojtari i 12 i Kombëtares”, tha ai.