Ekipet shqiptare sot do të zhvillojë ndeshjet e kthimit të vlefshme për turin e parë të kupave të Europës, saktësisht Europa League. Kukësi, Flamurtari dhe Laçi do të presin kundërshtarët në shtëpi, pasi ndeshjet e para i zhvilluan në transfertë të tria.

Rezultatet e ndeshjeve të para ishin pozitive, përveç Kukësit që humbi, por disfata 1-0 përballë kazakëve të Kairat Almaty shikohet si e lehtë që të kthehet nga verilindorët e Shqipërisë për të vazhduar në rrugën e suksesit të edicionit të kaluar. Në prag të ndeshjes trajneri Canaj shprehet optimist për kalimin e turit të parë. “Kundërshtari do të mbrohet, pasi mori rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, por ne nuk do të dorëzohemi”.

Ndërsa Presidenti Gjici ka vendosur edhe një premio të majme në rast kualifikimi për të motivuar ekipin. Ndeshja zhvillohet në orën 19:30. E ndërsa për Kukësin rruga për më tej duket e vështirë, ndryshe është për Flamurtarin, që fitoi ndeshjen e parë në Gjeorgji me Sioni Bolnisi me rezultatin 3-2 dhe me një barazim sonte në orën 19:00 kalon në turin tjetër. Por trajneri Gjoka kërkon angazhim maksimal.

“Skuadra është në gjendje të mirë dhe e mobilizuar për të përsëritur transfertën e Gjeorgjisë. Nuk ka vend për eufori, megjithatë ne do të hyjmë në fushë për të zhvilluar një futboll sulmues dhe për të fituar. Jam i sigurt që tifozët do të në mbështesin maksimalisht. Ne jemi me këmbë në tokë” tha ai. Ekipi i fundit shqiptar është Laçi, që pas barazimit me Rudar Velenje sot në 17:00 luan i qetë përballë tifozerisë së tij për të kaluar më tej edhe pse më parë një gjë e tillë dukej e vështirë që të ndodhte.


d.b/shqiptarja.com