MONACO - Këtë të premte në orën 13:00 nisi në Monaco shorti për fazën e ligës së Europa League. 36 skuadrat pjesëmarrëse kanë mësuar rivalët, ndërsa këtë sezon në këtë turne marrin pjesë edhe Juventusi dhe Milani.

Juventusi ka mësuar rivalët. Bardhezinjtë do të përballen në shtëpi kundër Real Sociedad, Rennes, Omonias dhe NEC Nijmegen, ndërsa në udhëtim ka përballë AZ Alkmaar, Ferencvaros, Celta Vigo dhe Hapoel Beer Sheva.

Nga ana tjetër Milani do të luajë në shtëpi kundër Benficas, Ferencvaros, Sunderlandit dhe Ararat Armenias, ndërsa në udhëtim do të luajë kundër Olympiacos, Salzburg, Bournemouth dhe Levskit të Sofies.

Për të tretin vit radhazi, Europa League do të garojë në fazën e ligës me formatin e ri, 36 skuadra dhe një renditje e përgjithshme. Secili nga 36 ekipet do të luajë 8 ndeshje kundër rivalëve të ndryshëm, 4 në shtëpi dhe 4 jashtë fushe. Ekipet nga i njëjti vend nuk mund të përballen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në këtë fazë dhe çdo klub mund të përballet me një maksimum prej dy kundërshtarësh nga e njëjta shoqatë kombëtare.

Tetë skuadrat e para në renditje do të kualifikohen direkt në 1/8-at, ndërsa ekipet nga vendi i 9 deri në të 24-tin do të luajnë në play-off për një vend në fazën me eliminim direkt. Skuadrat nga vendi i 25-të e deri në të 36-in eliminohen nga gara.

Faza e ligës së Europa League do të fillojë më 16 dhe 17 shtator 2026, ndërsa finalja do të luhet më 26 maj 2027 në stadiumin e Frankfurtit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:20
Chiellini: Diçka do të ndryshojë në ditët e fundit të merkatos te Juventusi! Yildiz? Do të mungojë për disa muaj

1787923284_giorgiochiellini.jpeg

Giorgio Chiellini nuk përmendi emra konkretë, por zbuloi se merkatoja e Juventusit ende nuk ka përfunduar. Nga “Grimaldi Forum” në Monte Carlo, pas shortit që i rezervoi Juventusit përballjet në fazën e Europa League ndaj Real Sociedad, Celta Vigo, Ferencvaros, Rennes, Omonia, Hapoel Beeer Sheva dhe NEC Nijmegen, Chiellini foli për mikrofonat e “Sky Sport”.

“Na kanë qëlluar dy skuadra spanjolle, por objektivi ynë është të shkojmë sa më larg. Kemi shmangur disa transferta të komplikuara dhe tani duhet të tregojmë në fushë se e meritojmë të jemi në këto pozicione.

Objektivi? Si ne, ashtu edhe Milani, kemi përgjegjësinë për të arritur një rezultat që të na mundësojë të luftojmë edhe për një vend më shumë në Champions League. Jemi dy skuadra që e duan këtë objektiv, duke qenë të vetëdijshme për vështirësitë e ndeshjeve, edhe në kampionat", tha ai.

Duke folur për garën në kampionat, Chiellini theksoi: "Për të fituar në Itali, Interi ka një avantazh të madh ndaj skuadrave të tjera. Spalletti është një vlerë e rëndësishme. Ekziston dëshira për të konkurruar, por nga këtu deri te rikthimi te titulli nuk është aspak e lehtë. Varet edhe nga skuadrat e tjera dhe nga dëmtimet.

Ne mendojmë vetëm për veten tonë. Kemi shtuar personalitet dhe soliditet, pikërisht ato elemente që sezonin e kaluar nuk na lejuan të arrinim rezultate të rëndësishme. Krahasuar me sezonin e kaluar, skuadra është më e fortë dhe ne jemi gati", tha Chiellini.

Chiellini u ndal edhe te dëmtimi i Kenan Yildiz, duke konfirmuar mungesën e turkut.

“Dëmtimi i Kenanit është i rëndë, por brenda grupit ka optimizëm dhe besim. Në ditët në vijim do të ketë edhe komunikime të tjera mjekësore. Ai do të mungojë për disa muaj, por fatmirësisht nuk është një dëmtim që do të rrezikojë karrierën e tij. Është thjesht një pengesë e vogël. Do të përpiqemi t’u japim hapësirë lojtarëve të tjerë që luajnë në pozicionin e tij", tha drejtuesi i Juventusit.