Europa League rezervon sonte 90 minutat e fundit të Milanit ose Manchester United në Europë, pasi dy skuadrat do vihen sërish përballë njëra-tjetrës për të përcaktuar ekipin e kualifikuar në çerekfinale. 90 minutat e para në Angli u mbyllën në barazim 1-1, rezultat që në San Siro favorizon skuadrën italiane.
Të dy skuadrat, ashtu si një javë më parë, vijnë me shumë mungesa. Milan vijon të jetë pa Mandzukic, Bennaser, Romagnoli dhe Calabria, ndërsa rikthimi i madh është Zlatan Ibrahimovic. Gjithsesi nuk dihet me siguri nëse suedezi do startojë nga minuta e parë, ndërsa te Manchester United trajneri Solskjaer duhet t’ia dalë pa Martial, Mata-n, Cavani-n dhe Eric Bailly-n, ndërsa në dyshim janë Pogba dhe Donny van de Beek.
Ndërkohë thuajse e kualifikuar është Roma, e cila në ndeshjen e parë në Itali mposhti 3-0 Shakhtar Donetsk. Në Ukrainë gjithsesi nuk përjashtohen çudirat, por rezultati në Romë i jep një qetësi maksimale verdhekuqve.
Thuajse i kualifikuar për në çerekfinale është edhe Arsenal që sonte pret në Fly Emirates skuadrën greke të Olympiaco-s. Në ndeshjen e parë ‘topçinjtë’ fituan 3-1, ndërsa gjysmën e punës e ka bërë edhe Tottenham. Skuadra e Jose Mourinho-s në përballjen e parë fitoi 2-0 kundër Dinamos dhe sonte në Zagreb luan për të formalizuar kalimin më tej. Si të favorizuara nisen në ndeshjen e kthimit të 1/8 edhe Ajax e ekipet spanjolle Villarreal e Granada.